1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqja etnike në Bullgari e pasigurtë?

Stephan Ozsvath 24 Gusht 2007

Në fillim të javës së shkuar me qindra romë protestuan dy netë me radhë në Sofje. "Lidhja kombëtare bulgare" me tendenca të ekstremit të djathtë bëri të ditur krijimin e "një garde kombëtare".

https://p.dw.com/p/BXRi
Familje rome në BullgariFotografi: AP

Në fillim të javës së shkuar në "Krasna Poljana" një lagje në kryeqytetin bullgar Sofje, dolën nëpër rrugë me qindra romë. Ata i vunë zjarrin koshave të plehrave, shkatërruan autovetura, dhe rrënuan një lokal. Dëgjoheshin thirrjet "Vdekje bullgarëve". Ministri i brendshëm bullgar, Petkov kërkoi zbatimin e plotë të ligjit. Si pasojë një numër i madh i zjarrvënësve u arrestuan. Por për organizatën ekstremiste bullgare "Lidhja kombetare e Bullgarisë" këto masa nuk mjaftojnë. Ajo ka publikuar krijimin e "gardës kombëtare".

Sipas raportimeve të mediave, kjo organizatë vepron në disa qytete me një trupë prej 30 deri në 35 personash. Nga Veliko Tarnovo, Jamboli dhe Plovdiv raportohet se disa anëtarë të gardës madje janë të veshur me uniforma që të kujtojnë ato të paramilitaristëve naziste, pantallona të errëta, këmisha kafe dhe rripa lëkure.

Rumjan Setshkov (Setschkov) kryetari i fondacionit të romëve SEGA është i tronditur: "Për mua është i pakuptimtë krijimi i organizatave paramilitariste apo ushtrive private në një vend demokratik. Kjo do të thotë që shteti ja lë detyrat e tij liderëve të rrezikshëm, të cilët do të mbronin popullin bullgar nga komunitete të tjera."

Ministri i brendshëm Rumen Petkov është i shqetësuar se garda kombëtare mund të verë në rrezik "paqen etnike" në vend. Petkov e cilësoi "gardën kombëtare" si një strukturë paramilitariste.

Ndërsa sipas këshillit të hebrejve bullgarë "Shalom" pas romëve, mund të bëhen objekt sulmi edhe pakica të tjera si hebrejtë, myslimanët dhe armenët.

Prokuroria bullgare po shqyrton raportimet nëse garda kombëtare ka shkelur ligjet e antidiskriminimit. Bojan Rasate (Rassate), shef i lidhjes kombëtare bullgare e hedh poshtë këtë akuzë: "Ne duam të luftojmë, pra të bëjmë diçka, t'i vimë në ndihmë policisë. Ne duam të mbështesim mbrojtjen e civilëve. Kjo organizatë duhet të jetë një organizatë publike, qytetare."

Ditët e shkuara ka patur madje viktima. Dy djem romë humbën jetën. Nëse këto vdekje kanë pasur lidhje me aksionet e këtyre ditëve nuk është e qartë. Nga ana tjetër debatohet sepse u përshkallëzua kaq ashpër një grindje e tillë. Romët vetë thonë se atyre u duhej të të mbroheshin nga sulmet e ekstremistëve të djathtë.