1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papandreu largohet: Greqia me qeveri të unitetit kombëtar

9 Nëntor 2011

Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen. Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, kryeministri socialist tha se Greqia tashmë do të ketë një qeveri të unitetit kombëtar.

https://p.dw.com/p/137k9
Lamtumirë! Papandreu jep dorëheqjen
Lamtumirë! Papandreu jep dorëheqjenFotografi: dapd

Sipas disa njoftimeve të agjencive që përputhen me njëra-tjetrën, kryetari i parlamentit, Filippos Petsalnikos do të jetë kryeministër i ri i Greqisë. Petsalnikos konsiderohet njeri i besuar i Papandreut dhe ka një përvojë të gjatë në politikën greke. Deri më sot kandidat kryesor ishte ish-zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Lukas Papademos. Pas fjalimit televiziv, Papandreu i është drejtuar zyrës së presidentit grek Karolos Papulias për të dhënë dorëheqjen.

Filipos Petsalnikos
Filipos PetsalnikosFotografi: picture alliance/dpa

Papandreu u shpreh se ai i uron shumë suksese qeverisë së re dhe se është arritur marrëveshja e duhur për një qeveri të tillë. Të dyja partitë e mëdha pas ditë debatesh të ashpra, kanë rënë dakord për një qeveri të përkohshme. PASOK-u dhe partia konservatore, "Demokracia e Re" do të bashkëpunojnë, megjithë mospajtimet që kanë, me qëllim që të luftojnë krizën dhe të nxjerrin Greqinë nga gjendja kritike, ku ndodhet aktualisht, tha Papandreu.

Ne grekët jemi në gjendje të bashkëpunojmë

Greqia do të bëjë gjithçka që të mos dalë nga eurozona, theksoi Papandreu. Detyra kryesore e qeverisë së re është që punojë së bashku me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për të vënë në jetë masat drastike të kursimit që synojnë konsolidimin e e rimëkëmbjen e financave të shkatërruara të shtetit.

Qeveria e re duhet të dërgojë "një sinjal të fortë tek partnerët tanë që ne grekët jemi të aftë të marrim përgjegjësinë që na takon dhe të bashkëpunojmë" tha Papandreu. Gjithashtu qeveria e re do të punojë për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Papandreou dhe Antonis Samaras tek presidenti Karolos Papoulias
Papandreou dhe Antonis Samaras tek presidenti Karolos PapouliasFotografi: dapd

Autor: Ag/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi