1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa viziton Xhaminë Blu në Stamboll

Jörg Seisselberg1 Dhjetor 2006

I shoqëruar prej myftiut të madh të Stambollit ai hyri në Xhaminë e njohur Blu. Televizionet turke dhanë pamje sesi Pap, i drejtuar nga Meka, qëndroi për disa sekonda me sytë mbyllur

https://p.dw.com/p/AqZp
Papa pa këpucë në Xhaminë blu
Papa pa këpucë në Xhaminë bluFotografi: AP

Gjatë udhëtimit të tij në Turqi papa Benedikti XVI ka vizituar në Stamoll Xhaminë Blu. Vizita konsiderohet një gjest i rëndësishëm pajtimi midis kishës katolike romake dhe islamizmit; kjo edhe në prapavijën e fjalimit të diskutueshëm të papës në Regensburg. Shprehjet e përdorura për islamizmin atje shkaktuan zemërim të madh ndër myslimanët.

Benedikti XVI hyri në xhami i shoqëruar prej myftiut të madh të Stambollit, Mustafa Cagrici. Xhamia Blu është shtëpia më njohur islame e zotit në Turqi. Derisa myftiu lutej me zë të lartë brenda xhamisë Benedikti, edhe ky me sa dukej duke u lutur, u pa tek lëvizte buzët. Sipas zakonit mysliman, papa u drejtua nga Meka. Në pamjet televizive u pa sesi ai kryqëzoi krahët përpara kraharorit dhe qëndroi për disa sekonda me sytë mbyllur. Vizita e Benediktit XVI në një xhami është e dyta e një pape pas asaj të Gjon Palit II.

Përpara vizitës në xhami papës iu tregua muzeu fare i afërt i Shën Sofisë. Ndërtimi i njohur dikur si kisha më e madhe në botë ishte shndërruar në xhami pas pushtimit të ish-Kostandinopojës më 1453 nga sulltan Mehmeti dhe është sot muze.

Paradite Benedikti XVI dhe patriarku ortodoks i Stambollit, Bartolomeu I, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për afrimin e mëtejshëm të kishave të tyre. Në të kërkohet si synim uniteti i plotë midis kishës lindore dhe asaj perëndimore. Në lidhje me terrorizmin dënohet dhuna në emër të fesë. Theksohet me forcë se duhen ruajtur rrënjët e krishtera të Evropës.

Ndarja e kishës ishte edhe temë e lutjes së përbashkët me patriarkun. Këtu Benedikti e cilësoi ndarjen "skandal për botën". Në fund të ceremonisë Benedikti theksoi vullnetin e tij për bashkim:

"Ju siguroj se kisha katolike është e gatshme të bëjë gjithçka për tejkalimin e pengesave dhe për gjetjen e rrugëve më të efektshme së bashku me vëllezërit e motrat ortodoksë për bashkëpunimin baritor."

Në shërbesën fetare kreu i kishës katolike nuk i trajtoi marrëdhëniet me islamizmin. Papa i ftoi për dialog udhëheqësit kishtarë të rreth 300 milion besimtarëve ortodoksë në mbarë botën, për të përcaktuar mënyrën sesi mund të ushtrohet në të ardhmen posti papnor. Një ofertë të tillë pati bërë më 1995-ën edhe paraardhësi i Benediktit, Gjon Pali II.