1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pandemia: Rekorde të reja rastesh pozitive në Shqipëri

18 Nëntor 2020

Ecuria e pandemisë COVID-19 në Shqipëri po vazhdon të karakterizohet nga rritja e përditshme e rasteve të reja pozitive. Për ndërprerjen e valës së infektimeve hyjnë sot në fuqi masa të reja kufizuese.

https://p.dw.com/p/3lTOM
Albanien | Stadtansicht Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Për të frenuar përhapjen e infektimit me virusin vdekjeprurës autoritetet shëndetësore në Komitetin  e Ekspertëve në Shqipëri vendosën të martën, (17.11) marrjen e masave të reja kufizuese, që hyjnë menjëherë në fuqi të mërkurën(18.11). Në bazë të masave të reja ndalohen "grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura; mbledhjet partiake dhe tubimet;  konferencat, ceremonitë e festave, martesave dhe ato mortore, përtej familjes, deri në një urdhër të dytë”.

Albana Fico, Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik dhe anëtare e Komitetit të Ekspertëve argumentoi vendosjen e masave të reja si pasojë e "rritjes së shpejtë të rasteve pozitive.” "Situata mbetet e kontrolluar, por ka një nivel të shtuar risku nga rritja e rasteve pozitive ditore, të shprehur qartë me një rritje prej 243 rastesh për 100 mijë banorë”, theksoi ajo.

Autoritetet shëndetësore njoftuan se në 24 orët e fundit , rastet e reja pozitive shënuan një rekord të ri prej 694 personash. Gjashtë vetë humbën jetën, nga të cilët pesë të moshës nga 61-78 vjeꞔ dhe një grua e re në moshën 28 vjeꞔ. Numri total i viktimave nga pandemia ka arritur në 637 vetë. Në tre spitalet anti-covid të Tiranës janë të shtruar 412 pacientë, nga të cilët 10 në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Deutschland Coronavirus - Intensivstation Universitätsklinikum Bonn
Fotografi: Rolf Vennenbernd/dpa/picture alliance

Mjaft njerëz kurohen në kushte shtëpiake

Një pjesë e konsiderueshme e rasteve pozitive aktive kurohen në kushte të banesave të tyre me rekomandimin e mjekëve të familjes dhe nën kujdesin e tyre. Qeveria deklaroi ditët  e fundit se do të japë mbështetje financiare për medikamentet që të infektuarit me virusin Corona marrin për t'u kuruar në banesat  e tyre.

Për të përballuar valën  e dytë të pandemisë qeveria e Tiranës bëri me dije rritjen me 23 përqind  të buxhetit të shëndetësisë dhe me 40 përqind të pagave të personelit shëndetësor. Masat e reja kufizuese që hynë sot në fuqi vijnë një javë pas izolimit të pjesshëm dhe ndalimit të qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve nga ora 22.00 e mbrëmjes deri në orën 6.00 të mëngjesit.

Këto masa përkojnë në kohë me njoftimin dy ditë më parë, (16.11) nga kompania farmaceutike gjermane BioNTech, ( Biopharmaceutical New Technologies) dhe ajo shumëkombëshe amerikane Pfizer që vaksina e tyre anti-Covid rezulton të jetë efikase në masën 90 përqind. Dy kompanitë njoftuan në fillim të kësaj jave edhe që kanë projektuar të prodhojnë, deri në fund të këtij viti, 50 milionë doza vaksinash dhe të kenë gati për vitin 2021, 1,3 miliardë të tjera. Burime nga Komisioni Europian (KE) bëjnë me dije se kompania gjermane BioNTech është një nga 6 kompanitë, me të cilat ky komision ka diskutuar blerjen e vaksinave anti-Covid. KE ka deklaruar se do të bëjë donacione vaksinash për vendet në Europë me të ardhura mesatare, ku futen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, që është në pritje të hapjes së negociatave të pranimit në BE.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana