1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pandemia Corona: Ndotja e mjedisit rrit rreziqet e COVID-19

20 Nëntor 2020

COVID-19 mund të shkaktojë vdekje edhe tek pacientët që nuk kanë qenë të sëmurë më parë. Studiuesit hamendësojnë se ajri i ndotur mund të luajë një rol të madh tek kjo gjë.

https://p.dw.com/p/3lZZh
Italien I Luftverschmutzung in Mailand
Ndotja e ajrit në Lombardi, pamje nga Milano, 08.08.2020Fotografi: picture-alliance/dpa/La Presse/C. Furlan

Që kur pandemia e Coronës filloi të përhapej në Wuhanin kinez dhe më vonë në pjesë të Italisë së Veriut, shkencëtarët filluan të shihnin ndotjen e mjedisit në këto rajone. Wuhani me miliona banorë ka industri çeliku dhe qymyri, uzina kimike dhe kombinate të mëdha për prodhimin e letrës. Prandaj edhe ndotja e ajrit është e madhe.

Njëjtë edhe në Lombardi të Italisë së Veriut, qendrën e përhapjes së Coronës në pranverë rë 2020. Gati gjysma e të gjithë viktimave italiane të COVID-19, kanë vdekur në këtë zonë. Mjekët hamendësojnë, se numri i lartë i vdekjeve mund të ketë të bëjë me ndotjen e ajrit me përqindje të lartë lëndësh të dëmshme krijuar tek ky rajon nga industria dhe bujqësia që kultivohet në mënyrë ekstensive. Prej kohësh dihet se grimcat e vogla të pluhurit, që ndotin ambientin dobësojnë sistemin imunitar dhe prekin mushkëritë.

Toksinat e ambientit dëmtojnë indet e mushkërive

Studimet e fundit të plublikuara në revistën shkencore "Cardiovascular Research",  e konfirmojnë këtë gjë. Sipas tyre ekziston një lidhje midis ndotjes së mjedist dhe rritjes së rreziqeve që COVID-19 të shkaktojë vdekje.

Studiuesit kanë llogaritur se mesatarisht 15 përqind e vdekjeve nga Corona në botë kanë të bëjnë me faktin që viktimat kanë thithur për një kohë të gjatë ajër të ndotur. Numri i viktimave varion shumë nga rajoni në rajon: Në Europë, sipas vlerësimeve, 19 përqind, në Azi 27 përqind, në Amerikën Veriore 17, në Brazil 12 dhe Zelandë të Re vetëm 1 përqind.

Grimcat e pluhurit shkaktojnë infeksione në mushkëri. "Është parë se tek infektimet me COVID-19 preket kryesisht shtresa e brendshme e enëve të gjakut, e ashtuquajtura shtresa endoteliale,” thotë Dr. Münzel, profesori i Universitetit dhe kardiolog nga Mainzi, një nga bashkë-autorët e studimit. Pikërisht këto shtresa endoteliale preken nga grimcat e pluhurit të ambientit. Nëse mushkëritë dëmtohen një herë nga grimcat e pluhurit, ato nuk mund të mbrohen nga SARS-CoV-2.

Luftverschmutzung in China
Ndotja e ajrit në Kinë, pamje nga Pekini, 10.10.2020Fotografi: Li Shangli/dpa/dpa/picture-alliance

Tri rreziqet: Ajri i ndotur, sëmundje të mëparshme dhe virusi

"Vlerësimet tona tregojnë për rëndësinë e madhe që ka ndotja e ajrit mbi faktorët e shëndetit, të cilat keqësohen reciprokisht dhe mund të shkaktojnë infektime vdekjeprurëse," shpjegon Andrea Pozzer, drejtuesja e grupit për kiminë atmosferike në Institutin Max-Plank të Kimisë, e cila po ashtu ka marrë pjesë në studim.

Ndojtja e mjedisit dhe virusi i Coronës janë kombinime të rrezikshme për enët e gjakut dhe zemrën, thotë profesor Münzel. Prandaj njerëzit me sëmundje zemre preken shumë nga kjo gjë. Nëse dikush i sëmurë me sëmundje zemre ose të enëve të gjakut, merr një infektim me COVID-19, atëherë shtohen rreziqet për sëmundje të rënda si infarkt zemre apo hemoragji. "Sa më e vogël të jetë grimca e pluhurit, aq më e madhe është mundësia që ajo të përfundojë në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe prej andej në sistemin e enëve të gjakut," shpjegon Münzel.

Grimcat e pluhurit kanë shumë burime

Grimcat e pluhurit janë bërthamëza karboni në sipërfaqe të të cilave janë bashkangjitur lëndë të dëmshme, si përshembull alumin, plumb, nitrat apo sulfat. Ato qëndrojnë pezull në ajër, pasi kanë ardhur për shembull nga oxhaqet e industrisë. Ato quhen herë blozë, herë grimca rëre. Ato vijnë nga gomat e makinave ose pajisjet e frenimit, nga grimcat plastike, poleni apo nga pluhuri i kantiereve të ndërtimit.

Bujqësia jep kontributin e vet në ndotjen e ambientit nëpërmjet emisioneve të amonjakut, mbetjeve të plehërave kimike apo nga eliminimi i mbeturinave. Oksidi i azotit që del nga motorët që punojnë me naftë, e forcojnë ndikimin e pluhurit.

Studiuesit bëjnë dallime midis dimensioneve të ndryshme të pluhurit. Ka grimca pluhuri që janë 100 mikrometër dhe ka të tjera që janë vetëm pak nanometra. Shumë të rrezikshme janë të ashtuquajturat pjesëzat shumë të imta me diameter më të vogël se 0,1 mikrometra përkatësisht 100 nanometra. Kjo i përgjigjet madhësisë së virusit. Për këto pjesëza të vogla shumë të rrezikshme, BE nuk ka vendosur asnjë lloj kufiri maksimal të lejueshëm. Por, as BE as vende të tjera nuk i respektojnë kufijtë maksimalë të vlerave të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO).

Niederlande Den Haag | Coronavirus | CT-Aufnahme der Lunge
Pamja e mushkërisë e një pacienti të infektuar me Corona - Grimcat e pluhurit shkaktojnë infeksione në mushkëri, sipas ekspertëveFotografi: picture-alliance/dpa/R. De Waal

Rrezik i nënvleftësuar

OBSH kërkon për pjesëzat e vogla me diametër 2,5 mikrometra që të ndodhen në kufirin maskimal prej 10 mikrogramësh për metër kub. Vlera kufitare vendosur nga BE ndodhet më lartë tek 25. "90 përqind e popullsisë së botës jetojnë praktikisht me vlera shumë më të larta pluhuri se vlerat e vendosura nga OBSH," thotë Münzel, "ne na duhen vlera kufitare për grimcat e vogla të pluhurit, në mënyrë që të mbrohemi nga pasojat për shëndetin."

Rreziku që vjen nga ndotja me grimcat e vogla të pluhurit, nënvleftësohet në publik. Deri tani nga Corona kanë vdekur më shumë se një milionë vetë, paralajmëron kardiologu nga Mainzi. Për shkak të ndotjes së ambientit me grimca të vogla pluhuri, vdesin në botë 9 milionë vetë çdo vit. Ajo që kërkohet është ndryshimi i mënyrës së të menduarit, sidomos nga politika, thotë profesori i mjekësisë. Me vaksinën që po zhvillohet, mund të luftohet virusi i Coronës. Por vaksinë kundër kualitetit të keq të ajrit nuk ka.