1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PAMECA dhe vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it në mbështetje të zgjedhjeve lokale në Shqipëri

Arben Muka21 Dhjetor 2006

Për ditën e votimeve pritet që OSBE/ODIHR-i të angazhojë afër 100 vëzhgues afatshkurtër të huaj

https://p.dw.com/p/AraC
Tirana
TiranaFotografi: DW

Pavarësisht se dita e votimeve për pushtetin lokal nuk është ende e qartë, Misioni Policor i Asistencës së BE-se, PAMECA ka nisur të trajnojë përfaqësuesit e policisë shqiptare që do të angazhohen në zgjedhje. Në bazë të një marrëveshje mirëkuptimi që kanë nënshkruar Ministria e Brendshme dhe misioni PAMECA, trainimit do t'i nënshtrohen afër 6500 punonjësve të policisë, për të respektuar ligjin shqiptar por dhe për t'u afruar me standartet e vendeve europiane në këto çështje.

Të dyja palët tashmë kanë një tregues të suksesit në rolin e policisë në zgjedhje, siç ishte angazhimi i saj në votimet e përgjithshme të vitit 2005, angazhim që u përshëndet nga vëzhguesit e huaj, si korrekt dhe në përputhje me ligjin. Një problem i ri që do të ndeshet këtë herë është numri i pamjaftueshëm i punonjësve të policisë për të qënë prezent në çdo qendër të votimit të Shqipërisë.

Kryekomisar Arben Doci, drejtues i lartë në Policinë e shtetit thotë se përballë kësaj gjendje do të duhet të shtohen dhe forca të tjera brenda strukturave të policisë, siç janë punonjësit në sallat operative, ndërlidhësit etj. Në Shqipëri kanë mbërritur dhe 22 vëzhguesit afatgjatë të huaj që do të operojnë nën flamurin e misionit të OSBE/ODIHR-it. Ata po shpërndahen në 12 qarqet e vendit për të ndjekur nga afër në terren çdo element të fushatës elektorale, të ditës së votimit, të numërimit të votave, shpalljes së rezultateve etj.

Për ditën e votimeve OSBE/ODIHR-i do të angazhojë dhe afër 100 vëzhgues afatshkurtër të huaj. Më parë OSBE/ODIHR-i kishte premtuar për një numër 400 vëzhguesish, por shefi i misionit, ambasadori Jurgen Grynet, thotë se ishte e pamundur të arrihej një numër i tillë. Sipas tij tani po bisedohet me përfaqësitë diplomatike në Tiranë, për të bërë të mundur rritjen e numrit të vëzhguesve te zgjedhjeve për pushtetin lokal.