1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pala shqiptare e përgatitur për vazhdimin e bisedimeve

Bekim Shehu14 Mars 2006

Pala kosovare është e përgatitur për takimin e Vjenës që do të mbahet me datën 17 të këtij muaji. Pala kosovare dhe ajo serbe do të diskutojnë sërish për decentralizimin. Ekipi i Prishtinës kësaj radhe do të kryesohet nga ish lideri i UÇK-së, kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaqi.

https://p.dw.com/p/Arhl
Bisedimet në Vjenë, 20 shkurt 2006
Bisedimet në Vjenë, 20 shkurt 2006Fotografi: AP

Grupi Negociator i Kosovës, diskutoi modalitet e takimit të Vjenës që do të mbahet me datën 17 të këtij muaji, ku pala shqiptare dhe ajo serbe pritet të bisedojnë sërish për decentralizimin dhe të drejtat e pokicave në Kosovë. Udhëheqësi i Grupit Negociator, presidenti, Fatmir Sejdiu, tha se pala kosovare serish është e përgatitur për vazhdimin e këtyre bisedave, ndërsa grupi i Prishtinës vazhdon të jetë unik.

Delegacioni i Prishtinës që do të udhëtojë për në Vjenë, kësaj radhe do të kryesohet nga kryetari i PDK-së në opozitë, Hashim Thaqi. Ky i fundit thotë se, në Kosovë të gjithë udhëheqësit politik duhet të kenë përgjegjesi për procesin në të cilin ndodhet vendi.

Në takimin e sotëm të Grupit Negociator të Kosovës, i pari pas ndryshimeve në qeveri dhe parlament, morën pjesë edhe dy anëtarët e rinj të këtij mekanizmi të lartë politik, kryeministri, Agim Çeku dhe kryetari i kuvendit, Kolë Berisha. Sidoqoftë, në takimin e Vjenës ku pala kosovare dhe ajo serbe e Beogradit do të takohen për herë të dytë me datën 17 Mars, përveç çështjes së decentralizimit do të bisedohet edhe për trashigiminë kulturore e fetare të pakicave dhe për ekonominë. Kjo ishte kërkesë e ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari, të cilit gjatë qëndrimit të fundit në Kosovë pala kosovare i dorëzoi dokumentin me argumente për pozitën e barabartë, që do ta kenë pakicat pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.