1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndresë ndaj trysnisë së troikës

7 Shkurt 2012

Gjermania dhe Franca propozojnë ngritjen e një llogarie të veçantë për të ardhurat e Greqisë, për të shlyer huat. Ndërkaq, në Athinë qeveria përpiqet të arrijë miratimin e kursit të saj të kursimit.

https://p.dw.com/p/13yKM
Fotografi: dapd

Në rast se Greqia merr përsipër detyrimin që të zbatojë kërkesat e troikës, atëherë vendin e kërcënon mjerimi i plotë. Për këtë është i bindur kryetari i Partisë me orientim të djathtë Laos, Giorgos Ka­ratzaferis. Populisti mendon se di edhe një gjë tjetër (kanoset një revolucion, që do të djegë tërë Evropën, thotë ai). Sindikatat kanë bërë thirrje për një grevë të gjerë sot (7.2.). Qëndresa kundër qeverisë Papadimos po rritet. Ministri i Financave i Athinës, Evangelos Venizelos, pranon. "Po, ne jetojmë në kohëra dramatike. Po, është tragjike që duhet të shkurtojmë pagat dhe pensionet, mirëpo alternativa ndaj kësaj është thjesht e papërfytyrueshme. Pikërisht këtë po përpiqemi të shmangim."

Alternativa është me gjasa falimentimi i shtetit që në mars, sepse troika, e përbërë nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po e vë Athinën nën trysni edhe më të madhe e të dhimbshme (qeveria duhet të shkurtojë 150.000 vende pune në sektorin publik deri në vitin 2015, të ulë pensionet dhe të ulë me 150 euro pagën minimale. Në sektorin privat ulja e të ardhurave planifikohet të arrijë deri 25 për qind.

Ministri i Financave Evangelos Venizelos
Ministri i Financave Evangelos VenizelosFotografi: dapd

Grekët e thjeshtë kundër masave të kursimit

Ekspertët e troikës po shqyrtojnë që prej tri javësh nëse dhe si i ka zbatuar Athina kushtet e lidhura me dhënien e paketës së parë të ndihmës. Me sa duket pakënaqësia është e madhe. Dyshimet në vullnetin e Athinës për reforma po shtohen. Në të njëjtën kohë në Greqi po ngopen me masat e ashpra. Nëpunësja e shtetit, 43 vjeçarja Anna Gior­go­pou­lou thotë. "Nuk besoj që uljet e pagave do të rrisin aftësinë konkurruese të ekonomisë sonë dhe do të përmirësojnë tregun grek. Kushdo e di, edhe troika, e cila vetëm sa kërkon ta zhysë vendin në mjerim."

Drojë se masave nuk mund t'u bëhet bisht

Alexandros Kamariakis punon gjithashtu në sektorin publik. Edhe ai ka dyshime. "Kjo nuk është e mirë për askënd (as për punëmarrësit e as për punëdhënësit). Mirëpo, çfarëdo që të thotë troika, duhet bërë doemos. Ma do mendja se është e pashmangshme."

48 vjeçari Lefteris Kehagioglou është i bindur se qeveria greke nuk ka aq guxim sa t'u kundërvihet politikanëve të Bashkimit Evropian. "Ata e bëjnë këtë vetëm ngaqë nuk e kanë ndikimin e nevojshëm politik që t'u thonë Merkel-ave të kësaj bote: Gjejini paratë ku të doni! Punëtorët janë hallka më e dobët e vargut."

Autor: Reinhard Baumgarten / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti