1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pako e re ndihmash për Greqinë?

hb/wl (rtr, dpa) / Esat Ahmeti21 Gusht 2013

Greqia ka nevojë me sa duket për më shumë fonde nga partnerët e saj evropianë. Qeveria gjermane deri tani e kishte lënë të hapur çështjen e një pakete të tretë shpëtimi për Greqinë.

https://p.dw.com/p/19TvE
Fotografi: Reuters

Vetëm një muaj para zgjedhjeve ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble (në foto lart) , është politikani i parë gjerman në radhët e qeverisë, që e ka pranuar haptazi që Greqia do të ketë nevojë për ndihmën e partnerëve të saj ndërkombëtarë edhe pas vitit 2014.

"Për Greqinë do të duhet të ketë edhe një program tjetër", tha ministri Schäuble të martën në një tubim elektoral të CDU-së në Ahrensburg, në afërsi të Hamburgut. Deri tani qeveria gjermane e kishte lënë qëllimisht të hapur çështjen, se si do të financohet Greqia pas skadimit të programit të dytë të ndihmës pas vitit 2014. Nga ministria greke e Financave është raportuar se deri në vitin 2016 do të jenë të nevojshme kreditë, por shumë më të vogla se sa në programet e deritashme.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh shumë më e rezervuar sesa Schäuble. "Ne në eurozonë kemi thënë gjithmonë se do të rivlerësojmë situatën në Greqi në fund të vitit 2014, ose në fillim të vitit 2015. Është e arsyeshme që të ndjekim këtë plan kohor", tha ajo për gazetën "Ruhr Nachrichten".

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Asgjë e re?

Qysh më 12 gusht një zëdhënës i ministrisë së Financave kishte theksuar se nuk ka arsye të mendohet për lehtësira të tjera financiare për Greqinë. Por sipas raportimeve në media edhe Banka Federale e Gjermanisë llogarit me një paketë të tretë të ndihmës për Greqinë pas zgjedhjeve gjermane më 22 shtator. Ndoshta për këtë do të vendoset pastaj në fillim të vitit 2014. Po ashtu edhe ekonomistë të shumtë gjermanë, si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), parashikojnë ndihma të mëtejshme nga evropianët për Athinën.

Megjithatë Schäuble theksoi tani gjatë paraqitjes së tij se nevoja për ndihma të mëtejshme nuk është asgjë e re. "Kjo i është thënë gjithmonë publikut", tha ai. Në fakt në të kaluarën ministri e ka konsideruar një paketë të tretë të ndihmave si të mundshme, por jo edhe si të pashmangshme.

Schröder akuzon kancelaren Merkel

Partitë opozitare, SPD dhe të Gjelbërit e kanë vlerësuar si të vonuar deklaratën publike të Schäubles. Ekspertja e Grupit Parlametar të të Gjelbërve, Priska Hinz, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se: "Ministri gjerman i Financave thyen edhe një tjetër tabu të vetëshpallur nga ai". Pas zgjedhjeve Schäuble pak nga pak do të japë pëlqimin e tij edhe për një falje të dytë të borxheve.

Në foto, ish kancelari Gerhard Schröder
Në foto, ish kancelari Gerhard SchröderFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe ish kancelari gjerman Gerhard Schröder (SPD) ka shfrytëzuar paraqitjen e tij të parë në fushatën elektorale për të sulmuar politikën e qeverisë aktuale. Në një tubim të socialdemokratëve në Detmold, Schröder akuzoi pasardhësen i tij Angela Merkel (CDU), se nuk është duke i thënë të vërtetën qytetarëve në lidhje me koston e krizës së borxhit evropian. "Me fshehje të fakteve dhe mbulime me dredhi nuk mund të fitohet besimi i popullit, por vetëm me fjalë të qarta", tha Schröder, i cili po shoqëronte kandidatin e socialdemokratëve për kancelar Peer Steinbrück në një tubim elektoral në Detmold.