1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistani: vrasja e Mehsudit, sulm kundër paqes

Sandra Petersmann/ A. Dodi4 Nëntor 2013

SHBA vranë shefin e Talibanëve në Pakistan - me një sulm me avion pa pilot. Një hap pak para negociatave të paqes. Qeveria e Pakistanit është e zemëruar dhe flet për një "sulm mbi procesin e paqes" nga ana e amerikanëve.

https://p.dw.com/p/1AAxp
Pakistanezë lexojnë gazetën me lajmin për vrasjen e Mehsudit
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zyrtarisht SHBA dhe Pakistani janë aleatë që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Po veprojnë kështu me njëri-tjetrin aleatët? Qeveria e Pakistanit e kritikon me fjalë të ashpra sulmin me avion pa pilot kundër udhëheqësit të Talibanëve, Hakimullah Mehsud. "Për mendimin tonë, ky nuk ishte një sulm kundër një personi të veçantë, por një sulm kundër procesit të paqes", u shpreh ministri i Brendshëm i Pakistanit, Chaudry Nisar Ali Khan. Ai u shpreh edhe më qartë në një konferencë shtypi në Islamabad:

"Në shtatë javët e fundit, ne kemi punuar duke vënë gur mbi gur për një proces, i cili synon t'i sjellë paqen Pakistanit. Dhe çfarë bëtë ju? Ju e rrënuat këtë proces pikërisht në çastin, kur ne donim të dërgonim një delegacion me dijetarë të respektuar të fesë, për të dorëzuar ftesën tonë formale për bisedime."

Ministri i Brendshëm i fajësoi SHBA se janë përgjegjëse për terrorin dhe ekstremizmin në Pakistan. Para 11 shtatorit 2011 vendi i tij nuk ka pasur problem me terrorizmin. Ky problem u shkaktua vetëm nga lufta globale antiterror e SHBA.

SHBA reaguan të qeta ndaj kritikave të Pakistanit. Bisedimet me Talibanët janë një çështje e brendshme e Pakistanit, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Uashington. Pakistani dhe SHBA kanë një interes të përbashkët strategjik, që t'i japin fund dhunës ekstremiste. Por me cilat mjete? Qeveria e kryeministrit të zgjedhur në maj, Navaz Sharif ndjek linjën e bisedimeve. Jo më larg se javën e kaluar, Sharifi i kërkoi gjatë vizitës në Uashington Presidentit të SHBA, Barack Obama që ta ndërpresë luftën me avion pa pilot në kufirin midis Pakistanit dhe Afganistanit. Pa sukses. Sepse qeveria e SHBA e kupton përdorimin e diskutueshëm përsa i përket së drejtës ndërkombëtare të avionëve luftarakë pa pilot si një politikë më të justifikuar të vrasjes me qëllim, për të penguar gjëra më të këqia. Konflikti aktual për sulmin vdekjeprurës kundër Hakimullah Mehsudit mund të ketë pasoja edhe ndaj trupave të NATO-s në vendin fqinj, Afganistan. Legjenda e Cricket-it, Imran Khan ka bërë të ditur se Partia e Drejtësisë e tij do të bllokojë furnizimin e trupave të NATO-s. Partia e Khanit qeveris në rajonin kufitar Khyber Pakktunkhwa, përmes të cilit kalojnë rrugë të rëndësishme furnizimit të trupës mbrojtëse ndërkombëtare të Afganistanit.

"Më vjen keq ta them kaq qartë këtë, por pikërisht kur do të fillonte dialogu me Talibanët, njerëz që duhet të merrnin pjesë në dialog, si Hakimullah Mehsudi u vranë, për të sabotuar bisedimet."

Hakimullah Mehsudi nuk është udhëheqësi i parë i rangut të lartë të Talibanëve, që është vrarë nga avionët luftarakë pa pilot të SHBA. Kjo nuk ka bërë që të pakësohen atentatet terroriste në Pakistan dhe në Afganistan. Lëvizjet e Talibanëve në të dyja vendet nuk janë identike, por bashkëpunojnë ngushtë në luftë kundër trupave të NATO-s.