1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paketa e kursimeve e vë qeverinë greke para një sprove

Jannis Papadimitriou / Angelina Verbica6 Nëntor 2012

Parlamenti in Athinë duhet të votojë të mërkurën paketën e kursimeve, një parakusht për ndihma të tjera financiare nga jashtë. Dhe kjo është një sprovë për qeverinë tripartiake të Antonis Samaras.

https://p.dw.com/p/16dmc
Fotografi: Reuters

Kryeministri konservator Antonis Samaras mundi të parandalojë në kohë një revoltë në partinë e tij. Ai përjashtoi së fundi nga franksioni Nikos Stavrogiannis, sepse ai ishte deputeti i parë i një fraksioni qeveritar, që refuzoi publikisht masat e kursimit. Samaras i vuri kështu në vijë konservatorët. Më shumë zien tani tek anëtarët e tjerë të koalicionit: Partneri i ri, "E Majta Demokratike", kundërshton unanimisht reformën e planifikuar të tregut të punës dhe edhe në partinë socialiste, PASOK, shtohen zërat protestues.

Në fakt koalicioni me tri parti ka shumicën në parlamentin grek me 175 prej 300 deputetëve. Por tani është e qartë se 16 deputetë të së Majtës Demokratike kanë refuzuar që të japin të mërkurën (07.11.2012) mbështetjen për votimin e paketës së kursimit.Çdo gjë varet tani nga votimi i socialistëve. Por ai nuk mund të parashikohet, mendon gazetari dhe analisti ekonomik nga Athina Kostas Tsouparopoulos dhe paralajmëron: "Mbijetesa e qeverisë prej tri partish varet në fijen e perit." Fillimisht u mendua se kryeministri Samaras do ta kalonte pa problem në parlament paketën e kursimeve edhe pa votat e të Majtës Demokratike me mbështetjen e socialistëve. Por ndërkohë edhe partia socialiste rrezikon të dështojë nga grindja për kursin e kursimit. Vetë kryetari i partisë Evangelos Venizelos nuk është më i padiskutueshëm", thotë Tsouparopoulos.

Shkurtime të mëdha për pensionistët dhe punonjësit

Grevë kundër masave të kursimit në Athinë
Grevë kundër masave të kursimit në AthinëFotografi: Reuters

Paketa e re e kursimit parashikon ndër të tjera, të ulë pensionet dhe pagat në shërbimin publik, të rrisë moshën e pensionit në 67 vjeç dhe të liberalizojë më tej tregun e punës. Gjithsesi komisioni i financave i parlamentit grek të dielën (04.11. 2012) miratoi buxhetin me kursime për vitin 2013, me shumicën e votave të konservatorëve dhe të socialistëve. E Majta Demokratike abstenoi nga votimi me vërejtjen se do të pozicionohet vetëm në parlament. Ajo do të refuzojë definitivisht reformën e tregut të punës, theksoi zëdhënësi i grupit parlamentar Theodoros Margaritis: "Reforma e ligjit të punës nuk ka të bëjë me problemet fiskale të vendit dhe është vendosur në momentin e fundit në rendin e ditës." Masat fiskale janë të dhimbshme, por ata mund të përmbysen në të ardhmen. "Ne nuk pajtohemi me një ligj, që nxjerr praktikisht jashtë ligji marrëveshjet e zbatueshme kolektive dhe i sakrifikon punonjësit për interesat e korporatave", tha deputeti i së Majtës Demokratike.

Në parlament kundër çdo rezistence

Protestues para parlamentit në Athinë
Protestues para parlamentit në AthinëFotografi: Reuters

Kryeministri Samaras njoftoi se do ta kalojë në një nen të vetëm në parlament të gjithë programin e kursimeve, së bashku me reformën e tregut të punës. Gazetat njoftojnë se kryeministri po sheh edhe mundësi të tjera, për të realizuar masat e kursimit edhe kundër rezistencës së fortë. Sikur të dy partnerët në koalicion të abstenojnë lidhur me pjesë të paketës kursimit, atëherë do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë e deputetëve të pranishëm për një votë pozitive. Nga ana konstitucionale kjo nuk do të ishte e dënueshme, por do të ishte një humbje serioze politike për Samaras, besojnë shumë komentatorë në Athinë.

Deri në momentin e fundit politikanët konservatorë bindin partnerët e tyre të koalicionit dhe opinionin se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç programit të kursimit. Në televizionin grek ish zëdhënësi i qeverisë Evangelos Antonaros u shpreh me tone dramatike: "Natyrisht që duhet të mbrohen të drejtat e punonjësve, këtë e dua edhe unë. Por parakusht për këtë është, që të ketë ende punonjës." Sipas statistikave, më shumë se 1.200 vetë humbasin çdo ditë punën në Greqi. "Kështu që këtu një gjë vlen: duhet paguar kësti i ardhshëm, në mënyrë që ekonomia të lëvizë me ngadalë përpara."

Tsipras kërkon zgjedhje të reja

Alexis Tsipras gjithnjë e më popullor në sondazhe
Alexis Tsipras gjithnjë e më popullor në sondazheFotografi: Reuters

Jo të gjithë grekët kanë këtë mendim. Sindikatat reagojnë ndaj shkurtimeve dhe reformave të tregut të punës me një grevë të përgjithshme 48-orëshe. Avokatët, gjykatësit dhe shoferët e taksive duan të bëjnë grevë madje për një javë të tërë. Kryeministri Samaras përpiqete të qetësojë gjakrat me premtimin, se bëhet fjalë për paketën e fundit të kursimeve, për popullsinë. Udhëheqësi i opozitës së majtë Alexis Tsipras e quan këtë thënie "shakanë e ditës" dhe kërkon zgjedhje të reja, me sa duket i inkurajuar nga sondazhet aktuale, që i japin një pozicion më të mirë se konservatorëve. Analisti i çështjeve ekonomike Kostas Tsouparopoulos i sheh me skepticizëm zgjedhjet e reja.

"Nuk e di, nëse kështu do të zgjidhen problemet. Dy herë kanë zgjedhur grekët këtë vit, tani kanë një qeveri dhe kjo duhet të mjaftojë fillimisht." Natyrisht është kollaj, që të vihet në diskutim paketa e kursimeve dhe edhe pagesa e transhit tjetër të kredisë, por pastaj duhej të propozohej edhe një alternativë. Dhe atë as ai vetë nuk e sheh.