1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pak shpresë" për ekonominë greke

Bernd Riegert / Eliana Xhani13 Shkurt 2014

Qeveria greke është optimiste se ekonomia së shpejti do të dalë nga recesioni. A është kjo vetëm dëshirë apo fundi i vërtetë i krizës po shfaqet në horizont? Në Athinë mbizotëron skepticizmi.

https://p.dw.com/p/1B7uz
Zappeion in Athen Archiv 2013
Fotografi: Aris Messinis/AFP/Getty Images

Në panairin e pijeve dhe ushqimeve në afërsi të aeroportit të Athinës sipërmarrje greke por edhe koncerne ndërkombëtare ofrojnë produktet e tyre më të reja. Stendat e panairit në sallat moderne janë shik dhe tërheqin mjaft vizitorë. Hidhen themelet për biznese të ardhshme. Pamja është e njëjtë me atë të shumë sallave të panaireve në Evropë. Po ku është kriza, e cila që prej 2008-s e mban Greqinë të mbërthyer në recesion?

Më e keqja mund të jetë lënë prapa, mendon prodhuesi i birrës Athanasios Syrianos. Njoftimet pozitive, që qeveria greke përhap për rritjen ekonomike së shpejti, sipërmarrësi i mesëm nga Atalanta i sheh me skepticizëm: "Nuk besoj se përmirësimi do të vijë shpejt, por nuk besoj as që situata do të bëhet më e keqe". Sipërmarrësi, i cili është shkolluar në Gjermani, thotë se firma e tij e ka kapërcyer relativisht mirë krizën. Tregu i birrës nuk pësoi rrënim ashtu si shumë tregje të tjera. Përkundrazi: grekët u janë larguar markave të koncerneve ndërkombëtare nga Belgjika apo Holanda. "Konsumatorët janë të tronditur nga kriza, ata kërkojnë produkte të reja. Produktet tona preferohen për faktin që jemi prodhues grekë. Një vit më parë patëm një rritje të xhiros prej 22 për qind." Edhe sivjet rritja e xhiros është dyshifrore.

Ngushticë kredie dhe papunësi

Athanasios Syrianos është edhe zv/president i dhomës së tregtisë gjermano-greke në Athinë. Ai sheh dy probleme të mëdha për sipërmarrjet greke. Nga njëra anë është rritur në masë të madhe barra fiskale, pasi shteti në krizë duhet të rrisë të ardhurat, dhe nga ana tjerër bankat japin shumë pak kredi për ekonominë. "Një sistem bankar jofunksionues më duket për momentin problemi më i madh dhe qendror. Ne nuk sigurojmë dot financim për të bërë investime." Për fabrikën e tij të birrës Syrianos ka siguruar fonde me anë të garancive shtetërore gjermane Hermes, nga një bankë në Luksemburg. Tek bankat greke megjithë shifrat pozitive të biznesit nuk pati sukses.

Athanasios Syrianos, sipëmarrës
Athanasios Syrianos, sipëmarrësFotografi: DW/Bernd Riegert

Në qendër të Athinës, në afërsi të sheshit Omonia me shumë trafik, ku jetojnë mjaft emigrantë, të ligjshëm dhe të paligjshëm, ka zyrat e redaksisë "Gazeta Greqia". Prej 20 vjetësh Jan Hübel shkruan për të vetmen gazetë në gjuhë gjermane në Greqi. Pas gjashtë vjetësh krizë Hübel sheh një fije shprese. "Në rrugë shihen më shumë njerëz që bëjnë blerje. Dyqanet ngadalë po rimbushen por natyrisht njerëzit i shohin me kujdes çmimet dhe nuk blejnë pa menduar", thotë Hübel. Kriza ekonomia ka rënduar fort shumë familje. Kuota e papunësisë është rreth 27 për qind. Në qytet ka shumë më tepër të pastrehë se më parë. Edhe në lagje dikur të kamura hapen qendra që ofrojnë ushqim falas.

Arbeitsloser sitzt auf dem belebten Omonia-Platz in Athen
Sheshi Omonia në AthinëFotografi: DW/Bernd Riegert

Familjet varfërohen

Konstatojmë një varfërim në rritje të shoqërisë. Shohim se para së gjithash familjet janë të prekura nga varfëria", thotë Christos Katsioulis, drejtor i zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert. Ndihma për të papunët dhe sigurimi shëndetësor përfundojnë pas 12 muajsh. Pastaj nuk ka më rrjet social shtetëror, thotë Katsioulis. "Këto familje janë të varura nga familje të tjera ose nga mbështetja e fqinjve. Ose nuk kanë më asnjë lloj përkrahje. Kjo e ka forcuar edhe më shumë hendekun ekzistues në shoqëri mes të varfërve dhe të pasurve". Atmosferën në popullsi Kostioulis e vlerëson "pesimizëm të përmbajtur". Askush nuk beson vërtet në një rritje të ekonomisë së shpejti, të njoftuar nga qeveria dhe mediet në fillim të presidencës greke të BE-së.

Për luftimin e papunësisë shteti grek synon të aplikojë programe punësimi me ndihmën e BE-së për të krijuar disa qindra mijëra vende pune. Por programi ende nuk ka filluar tamam. Reformat zgjasin shumë dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me zyrtarë me mungesën e vullnetit të nevojshëm, beson Christos Katsioulis nga Fondacioni Friedrich Ebert: "Edhe administrata has në problemin që korniza ligjore në Greqi për shumë shumë gjëra ndryshon aq shpejt, sa ajo e ka të vështirë t'i ndjekë zhvillimet ose është e zënë me përshtatjen e rregullave me ndryshimet e reja. Kjo kushton kohë dhe energji dhe e bën të vështirë që ajo të kryejë funksionin e ofruesit të shërbimeve për ekonominë dhe qytetarët."

Rerformat kërkojnë kohë

Për shembull administrata fiskale, tregon një sipërmarrës sigurimesh që dëshiron të mbetet anonim, vazhdon të jetë katastrofë. Ryshfeti është në rend të ditës për të ulur shumën e taksave që duhen paguar ose për të shmangur një kontroll nga fisku. Biznesmeni thotë se e ka përjetuar vetë shumë herë një gjë të tillë. Edhe vetë ministri për Reformën në Administratë, Kyriakos Mitsotakis, ka pranuar se do të duhen vite që morali i njerëzve në Greqi të ndryshojë dhe të ndërgjegjësohen se pagimi i taksave është në të mirë të qytetarit.