1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujtohet "revolucioni i papërfunduar" i 17 qershorit në ish-RDGj

Silke Bartlick17 Qershor 2007

Qeveria federale dhe landi i Berlit të dielën (17.06) përkujtuan kryengritjen popullore në ish-RDGj (Republika Demokratike e Gjermanisë) më 17 qershor 1953. Në ceremoninë festive që tradicionalisht zhvillohet në gurin memorial në varrezën Seestrasse merrnin pjesë krahas dëshmitarëve të kohës edhe zëvendëskancelari, Franz Müntefering dhe kryebashkiaku i Berlinit, Kluas Wowereit.

https://p.dw.com/p/AxeV
17 qershori 1953 në Berlin
17 qershori 1953 në BerlinFotografi: AP

Qysh nga shtatori i vitit 1953 ekziston ky vend përkujtimor, në një varrezë në pjesën perëndimore të Berlinit, në Wedding, dikur një lagje punëtorësh. Disa prej viktimave të 17 qershorit qysh nga ajo kohë kanë gjetur këtu prehjen e fundit, si Rudi Schwander, që iu desh të vdiste pak pasi kish mbushur 15 vjeç, apo Rudolf Berger, që ishte vetëm 40 vjeç. Manfred Schumann, që sot është afër 80 vjeç, asokohe bashkë me këta burra dhe shumë qytetarë të tjerë të RDGj-së dolën në rrugë: "Mua më arrestuan në Leipcig, merrja pjesë në demonstratë në Leipcig dhe më arrestuan më 18 qershor. Ne ishim fillimisht trembëdhjetë vetë në një qeli. Një polic popullor ishte në mesin tonë, ai kish thënë se nuk qëllon ndaj punëtorëve. Pas kësaj mua më pushuan nga puna pa afat për shkelje të rendit demokratik-antifashist."

Në fund të shtatorit 1953 Manfred Schumann erdhi në Gjermaninë Perëndimore. Në RDGj ai nuk gjente më punë. "Unë asokohe humba atdheun tim", thotë ai.

Në të gjithë RDGj-në, kujton Franz Müntefering, ministër i punës dhe ç´ështjeve sociale, ka pasur rreth njëmilionë njerëz, që asokohe ngritën krye kundër sistemit. Në fillim ata protestuan kundër normave të punës, por shumë shpejt nga lëvizje sociale ajo u shndërrua në politike: "Në Berlin dhe në shumë qytete të tjera njerëzit u ngritën dhe thanë "jo", "JO" ndaj shfrytëzimit me normat antihumane pune, "jo" ndaj spiunimeve dhe vrojtimit prej partisë e shtetit, "jo" ndaj shtrembërimit të socializmit prej udhëheqjes shtetërore të RDGj-së."

Parrullat "ne duam të jemi njerëz të lirë" jehonin atëherë jo vetëm përmes RDGj-së, por edhe në pjesën tjetër të botës. Me këtë thirrje lidheshin kërkesat konkrete për përmirësime sociale si dhe për lirinë e mendimit dhe për zgjedhje demokratike. E megjithatë udhëheqja e partisë së bashkuar socialiste, SED e mposhti në mënyrë të përgjakshme protestën përmes policisë popullore dhe tankeve sovjetike. 55 demonstrues gjetën vdekjen, rreth 1400 u arrestuan, një pjesë e tyre u dënuan me burgime afatgjata, ndërsa qindra mijëra të tjerë u larguan nga RDGj-ja.

Müntefering: "Me qershorin 1953 RDGj-ja humbi edhe atë legjitimitet politiko-moral që i kishte mbetur. Ideja e socializmit të lirisë, tek e cila besonin shumë pas katastrofës së nacionalsocializmit, u shpërdorua prej funksionarëve dritëshkurtër të shtetit të diktaturës."

Kryengritja e 17 qershorit 1953 është, sipas kryebashkiakut të Berlinit Klaus Wowereit, një datë e rëndësishme në historinë e lirisë, që nuk duhet ta harrojmë. Amaneti i këtij "revolucioni të papërfunduar" është bërë realitet qysh nga viti 1989.