1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Marinko Sekulic
11 Korrik 2024

Pjesëmarrësit e Marshimit të Paqes mbërritën në Srebrenicë si pjesë e përkujtimit të përvjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve. Në të morën pjesë edhe këtë vit të mbijetuar dhe shumë të rinj.

https://p.dw.com/p/4i8Zo
Marshimi i Paqes në përkujtim të gjenocidit
Marshimi i PaqesFotografi: Marinko Sekulić/DW

"Marshi i paqes është diçka që ne, fëmijët e luftëtarëve të Srebrenicës, duhet ta vazhdojmë me krenari, kur të mbijetuarit e gjenocidit nuk do të mund të ecin më në këtë rrugë. Ne duhet ta trashëgojmë dhe ta vazhdojmë atë në mënyrë që të ruajmë kujtimet dhe traditën, për ato që ndodhën në Srebrenicë dhe Podrinje gjatë luftës”, thotë Damir Cvrk, i cili erdhi nga Suedia, ku jeton sot, në udhëtimin treditor të marshimit, i cili u mbajt për herë të njëzetë këtë vit. Ai është udhëheqësi i një grupi prej 247 të rinjsh, baballarët e të cilëve ishin luftëtarë të Srebrenicës dhe që erdhën nga e gjithë bota - nga Australia, Amerika dhe shumë vende evropiane.

Marshi i paqes mbahet si pjesë e përkujtimeve në përvjetorin e gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë dhe rrethinat e saj. Është një ecje prej 100 kilometrash nëpër zona pyjore, kodrinore-malore, të vështira për t'u kaluar, me përrenj të shumtë dhe lumenj më të vegjël. Në këtë mënyrë, në korrik 1995, boshnjakët nga Srebrenica u përpoqën të depërtojnë në Tuzla dhe Kladnje, në territoret që ishin nën kontrollin e ushtrisë së B-H. Shumë prej tyre u vranë rrugës dhe ky marshim, në të cilin marrin pjesë çdo vit disa mijëra të rinj e të moshuar, gra dhe fëmijë nga e gjithë bota, mbahet me qëllim të nderimit të viktimave të gjenocidit.

Dëshira për më shumë informacione

Marshimi i Paqes - morën pjesë të rinj e të moshuar
Marshimi i Paqes - morën pjesë të rinj e të moshuarFotografi: Marinko Sekulić/DW

Së bashku me Damirën në këtë grup të fëmijëve të luftëtarëve të Srebrenicës është edhe Lejla Deliq, e ardhur nga Londra ku jeton: "Kam themeluar grupin "Fëmijët e luftëtarëve të Srebrenicës" dhe jemi në marsh për herë të tretë. Unë jam një fëmijë i "Zambakut të Artë" (çmimi më i lartë i luftës Ushtria e Bosnjë-Hercegovinës). Babai im kaloi në këtë rrugë dhe falë Zotit mbeti gjallë", thotë Lejla me krenari në zërin e saj dhe vazhdon: "Është e vështirë për mua kur dëgjoj historitë e të mbijetuarve dhe mund ta imagjinoj se sa e vështirë është për fëmijët e prindërve të cilët nuk e kanë mbijetuar këtë "rrugë vdekjeje". Besoj se është detyra jonë si brezi i dytë të vazhdojmë dhe të përcjellim historinë e gjenocidit që na ndodhi, sepse unë jetoj në Londër, ku shumë nga bashkëmoshatarët e mi atje nuk e dinë as ku është Bosnja, e lëre më çfarë ka ndodhur këtu gjatë luftës”, thotë Lejla.

Amina Jusufoviq është nga Janja, është 18 vjeç dhe mori pjesë në Marshimin e Paqes për herë të 12-të. "Kur isha tre vjeç më sollën prindërit për herë të parë. Më është zgjuar dëshira për të mësuar sa më shumë. Ndaj vijoj të vij dhe çdo vit kaloj këtë rrugë, sepse është më e pakta që mund të bëj për të treguar respekt për viktimat e gjenocidit", thotë Amina.

E pyetur se çfarë i bën përshtypje më të madhe gjatë këtyre marshimeve, ajo thotë: "Gjithçka që dëgjoj në tregimet e të mbijetuarve, sepse secila histori ka peshën e vet. Historitë e fëmijëve të cilëve u vranë të dashurit janë veçanërisht të vështira dhe inspirojnë që të kthehen këtu çdo vit”, thotë Amina Jusufoviq.

Damir Cvrk, udhëheqësi i këtij grupi fëmijësh, baballarët e të cilëve ishin luftëtarë të Srebrenicës, thotë se ai dyshon se bota di mjaftueshëm për atë që ndodhi në Srebrenicë gjatë korrikut 1995. "Unë nuk mendoj se edhe shumë boshnjakë që jetojnë në B-H dinë mjaftueshëm për atë se çfarë ndodhi në Srebrenicë, e lëre më në Evropë apo në botë. Ne të rinjtë duhet të përpiqemi që pas njohjes së gjenocidit në Srebrenicë, ngjarjet e luftës në Bosnjë-Hercegovinë të futen në mësimet e historisë në shkolla. Duhet të flasim për këto zhvillime, sikur flasin për Holokaustin kundër hebrenjve në mënyrë që e gjithë bota ta dijë se çfarë ka ndodhur këtu”, thotë Damir Cvrk.

Marshimi i Paqes edhe në Dortmund
Marshimi i Paqes edhe në DortmundFotografi: Mehmed Smajić/DW

Familja në Marshimin e Paqes

Shumë familje janë renditur në kolonë. Në mesin e tyre është edhe familja Mehmetoviq nga Sarajeva, babai, nëna dhe dy djemtë. Ahmedi është 10 vjeç. Thotë se nuk u lodh duke ecur: "Kam ardhur për të nderuar të vrarët në këtë rrugë dhe mendoj se do të vij sërish, ishte e lodhshme, por kaloi”, thotë ky dhjetëvjeçar nga Sarajeva.

Vëllai i tij Adrijani është 18 vjeç, edhe ai është për herë të parë në Marshimin e Paqes. "Shkuam të gjithë bashkë, si familje, kjo është hera e parë. Nuk është aspak e lehtë të ecësh në këtë vapë, por nëse ke vullnet me ndihmën e Allahut, gjithçka mund të kapërcehet.", thotë ai.

Në mesin e mijëra pjesëmarrësve të Marshimit të Paqes janë edhe ata që i mbijetuan gjenocidit në Srebrenicë. Njëri prej tyre është Ramo Kadriq, për të cilin DW ka shkruar edhe më parë. Ai kaloi në këtë rrugë edhe në vitin 1995. Ndonëse është në moshë të shtyrë, është plagosur dy herë në luftë dhe e ka të vështirë të lëvizë, nuk dorëzohet. Ai ka marrë pjesë në çdo Marsh Paqeje deri tani. "Po shkoj dhe do të shkoj deri sa mund të eci, sepse çdo herë përveç përpjekjeve fizike po ripërjetoj gjithçka që ndodhi në këtë rrugë në atë korrik. Unë shoh përsëri në kujtesën time njerëzit që mbetën përgjithmonë në këto pyje... Është e vështirë duhet të jetosh me të dhe të mos harrosh kurrë që të mos i ndodhë më askujt”, thotë Ramo.

Në Srebrenicë është bërë krimi më i rëndë pas Luftës së Dytë Botërore
Në Srebrenicë është bërë krimi më i rëndë pas Luftës së Dytë BotëroreFotografi: Mehmed Smajić/DW

Në tre faza, në tre ditët e ecjes nga 8 deri më 10 korrik, pjesëmarrësit kalojnë nga 25 deri në 30 kilometra në ditë, ndërsa në kampe gjatë natës mbahen mësime të shkurtra historike.

Kolona e dytë, me shumë më pak pjesëmarrës, është nisur nga drejtimi i Zhepës më 9 korrik. Këtë vit në këtë kolonë ishin 120 pjesëmarrës. Të dy kolonat e pjesëmarrësve të Marshimit të Paqes mbërritën mbrëmë në Qendrën Përkujtimore të Potoçarës - një ditë para përkujtimit dhe lutjes kolektive, ku këtë vit do të rivarrosen eshtrat e 14 viktimave të tjera të gjenocidit.