Përfaqësuesit serbë - vende në komisionet për hartimin e kushtetutës së Kosovës dhe simboleve shtetërore
1 Shkurt 2007Ekipi negociator i Kosovës, do të përfshijë në komisionet për hartimin e kushtetutës dhe simboleve shtetërore edhe pjesëtarët e pakicave, përfshirë edhe serbët e Kosovës. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës më në fund kanë pranuar të marrin pjesë në takimet e këshillit konsultativ për komunitete, mekanizëm ky që angazhohet për përfshirjen e të drejtave të pakicave në Kosovë në dokumentin përfundimtar të statusit të Kosovës, të cilin nesër në Prishtinë do ta sjellë ndërmjetësi, Marti Ahtisari.
Veton Surroi, i cili udhëheq këshillin konsultativ për komunitete, thotë se këshilli konsultativ për komunitete, do të njoftojë anëtarët e këshillit nga radhët e pakicave menjëherë sapo plani për statusin të arrijë në Prishtinë. Ai shpreson që plani të mos sjellë ndonjë gjë të papritur jashtë konceptit që Prishtina zyrtare mendon për pjesëtarët e pakicave.
Disa anëtarë të këshillit nga radhët e pakicave jo serbe kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre lidhur me planet e grupit negociator të Kosovës. Xhevdet Neziraj, përfaqëues i komunitetit komunitetit egjiptas thotë se pakicat e tjera jo-serbe janë të diskriminuara në raport, me serbët e Kosovës.
Çështja e pakicave dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore dhe institucionale vazhdon të jetë kërkesë e faktorëve kryesorë ndërkombëtar. Në këtë mes thirrje e veçantë u drejtohet serbëve të Kosovës. Udhëheqësit institucional kosovar vazhdimisht ftojnë pjesëtarët e komunitetit serb që të integrohen në shoqërinë kosovare. Pjesëmarja e tyre në institucione do të bëjë më të lehtë realizimin e interesave të tyre.