1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për një pjesë të biznesit gjerman Shqipëria treg i panjohur për investime

Arben Muka9 Prill 2013

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, DIHA, publikon të dhënat e anketës mbi klimën e biznesit dhe investimeve për vitin 2013.

https://p.dw.com/p/18CYH
Fotografi: DW

Nga përgjigjet që kanë dhënë përfaqësuesit e sipërmarrjes gjermane dhe të huaj që inkuadrohen në Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregëtisë në Shqipëri, DIHA, ka vlerësime kritike për mënyrën e të bërit biznesit. Shifrat "flasin" vetë: 64 përqind e tyre mendojnë se situata ekonomike aktuale është negative. Kurse për perceptimin që kanë sipërmarrësit për parashikimin afatmesëm të ekonominë shqiptare, ndarja është e tillë 15 përqind e të anketuarve parashikojnë përmirësim të gjendjes ekonomike, 33 përqind janë shprehur se situata nuk do të ndryshojë, dhe 52 përqind janë përgjigjur se situata do të përkeqësohet. Efektet negative kanë reflektuar dhe në perspektivën e sasisë së fuqisë punëtore të anagzhuara në këto veprimtari. Kështu vetëm 27 përqind e kompanive që janë pjesë e anketimit parashikojnë rritje të numrit të punonjësve të tyre, kurse 18 përqind kanë pritmëri të uljes së numrit të të punësuarve. Hezitime ka edhe në parashikimin e shpenzimeve për investimet. Në këtë vit që vijon 45 përqind e të pyeturve shprehen se investimet për këtë vit do të mbeten të pandryshuara; 28 përqind shprehen se do të rrisin investimet dhe 27 përqind që do t'i ulin .
Çfarë duhet të ndryshojë?
Një nga pyetjet e anketës ishte e drejtëpërdrejtë për të marrë mendimin e sipërmarrësve për detyrat më emergjente për autoritetet, ku ata janë përgjigjur për aspekte të tilla si zbatimi i ligjeve, zhvillimi i infrastrukturës, furnizimi me energji elektrike, përmirësimi i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, largimi dhe trajtimi i mbetjeve, si dhe investimet në arsimin profesional.
Në bazë të përgjigjeve të tyre shikohet se 55 përqind kanë thënë se janë shumë të pakënaqur me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit; 52 përqind kanë shprehur pakënaqësi me administratën publike duke kërkuar që procedurat e saj të jenë më transparente; 48 përqind janë të pakënaqur me parashikueshmërinë e politikave ekonomike.
Zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë
Presidentja e DIHA-s Andrea Gebbeken mendon se legjislacioni shqiptar është sipas standardeve, "por ajo që bie në sy në praktikë është moszbatimi njëlloj i këtij legjislacioni, ku një pjesë e sipërmarrjeve favorizohen dhe për një pjesë tjetër ka arbitraritet. Kjo lidhet shumë me profesionalizmin e administratës publike". Duke prezantuar të dhënat e anketimit, Gebbeken përsërit faktin se mbi 80 % e të pyeturve janë përgjigjur se do ta zgjidhnin sërish Shqipërinë si një vend për të investuar.
Drejtorja Ekzekutive e DIHA-s Anette Kasten, duke bërë një pasqyrim të interesave që ka biznesi gjerman për Shqipërinë veçon industrinë e lehtë. "Specifikisht industria tekstile, përpunimi i lëkurave, teknologjive kabllore, prodhimi i aparateve mjekësore etj. Interesim biznesi gjerman ka dhe për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, sektorin energjetik, turizmin, në një kohë që agrobiznesi vlerësohet me mjaft perspektivë."
Nga të dhënat që ka DIHA Shqipëria ende mbetet për një pjesë të biznesit gjerman si një treg i panjohur. Ajo që lëviz me ngadalë është problemi i përmirësimit të imazhit që vendi ka në optikën e huaj.

Porträt Annete Kasten
Annete Kasten, drejtore Ekzekutive e DIHA-sFotografi: DW/Arben Muka

Në këtë aspekt ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Mueller - Holtkemper gjen rastin t'i kthehet aktualitetit politik. "Për çështjen e imazhit të Shqipërisë shumë shpejt është një rast i mirë. Parpara janë zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Gjatë kësaj periudhe shumë gazetarë e kameramanë nga bota do të mbërrijnë këtu për ta përcjellë këtë event. Apeli im do të ishte për të gjithë që ta shfrytezojnë këtë proces për një imazh sa më pozitiv për vendin." Periudha e mbajtjes së anketimit në Shqipëri është e njëkohshme me atë që është zhvilluar dhe në 16 vende të Europës Qendrore dhe Lindore, si pjesë e rrjetit të Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë, AHK. Nga data 1 shkurt deri më 3 mars 2013 të pyetur gjithsej ishin 1623 kompani që operojnë në këto shtete, nga të cilat 33 ishin në Shqipëri, që përbëjnë gjysmën e anëtareve të DIHA-s. Përmbajtja e pyetësorit është e njëjtë për të gjitha shtetet që u përfshinë në anketim, duke pasur vetëm ndonjë aspekt që nga organizatorët është gjykuar si specifikë për dinamikën e zhvillimeve në secilin nga shtetet.