Për një botë me më tepër drejtësi! Organizatat e rinisë katolike diskutojnë mbi globalizimin
18 Gusht 2005Rreth një miliardë të rinj jetojnë në globin tonë, më shumë se dy tretat e tyre në vendet e Azisë dhe Afrikës. Shumica të prekur nga varfëria dhe uria, pa patur mundësi shkollimi dhe përkujdes shëndetësor. Kështu që Dita Botërore e Rinisë është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar përtej kufijve kulturorë problemet e globalizimit. Këto probleme lindin nga rritja e ndërkontakteve mes ekonomive, kulturave dhe njerëzve. Ose thënë ndryshe nga marshimi i pandalur i globalizimit. Australianja, Margaret Brosnan nga Organizata Ndërkombëtare "Studentët e Rinisë Katolike" është e mendimit: Në procesin e globalizimit kërkohet mendimi i të rinjve, si të krishterë ashtu dhe katolikë. Duhet që ne të shkëmbejmë mendimet me të rinjtë e tjerë, miqtë tanë. Ne duhet të organizohemi me komunitete të tjera. Me qëllim që të arrijmë synimin, që njerëzit të trajtohen me dinjitet.
Nëse mendësia dhe lidhja globale rriten si pasojë e globalizimit, nuk rritet siguria globale. Kështu mendojnë të rinjtë katolikë. Në vend të saj në të gjitë botën po rriten varfëria, shkatërrimi i mjedisit, shkelja e të drejtave të njeriut, fundamentalizmi fetar, dhuna dhe terrorizmi. Zobel Behalal nga Kameruni është i sigurtë:
Ne nuk mund të ndryshojmë rritjen e diskriminimit, për shkak të padrejtësisë sociale, hendekut mes të varfërve dhe të pasurve. Të varfërit bëhen më të varfër dhe të pasurit gjithnjë e më të pasur. Kjo është një arritje e gloablizimit. Pikërisht këtë duhet të ndryshojmë.
Pasojat negative të globalizimit nuk duken vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në vendet e pasura si Gjermania. I këtij mendimi është edhe Wolfgang Finke nga organizata gjermane e rinisë katolike:
Finke: Unë mendoj, se globalizimi prek çdo vend, sepse çdo vend i ndjen pasojat e tij. Gjermania është e prekur konkretisht nga globalizimi dhe kjo duket në shifrat e larta të papunësisë. Të rinjtë përpiqen të gjejnë mundësitë e punësimit. Por një moment i rëndësishëm që duhet përmendur këtu, është pasiguria, se si do të jetë e ardhmja e punësimit të tyre. Kështu që tek të rinjtë jo vetëm në Gjermani, por kudo ka një ndërgjegjësim më të fuqishëm për drejtësinë dhe padrejtësinë në botë, si edhe përsa i përket shpërndarjes së vlerave materiale.
Organizatat e rinisë katolike janë të mendimit, se në botë duhet të jetë më shumë drejtësi, dhe kështu ajo do të ketë edhe më e sigurtë. Shpresa e tyre është që shumë nga pelegrinët të marrin me vete përvojën e këtyre ditëve në shtëpitë e tyre.