1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160711 Banken Stresstest

17 Korrik 2011

Pjesa më e madhe e bankave evropiane duket se janë të pajisura mirë për kriza të mundshme financiare në të ardhmen. Në një "test stresi" të autoriteteve të mbikqyrjes financiare në BE, vetëm tetë banka nuk kaluan provën.

https://p.dw.com/p/11wyL
Bankat gjermane kanë një kuotë mesatare të kapitalit bazë prej 7,5%Fotografi: dapd

Tetë banka evropiane nuk e kaluan testin e autoriteteve të mbikqyrjes financiare në BE: pesë banka spanjolle, dy nga Greqia dhe një institut krediti në Austri. Bankat gjermane e kaluan të gjitha provën. Shefi i Mbikqyrjes Bankare në Evropë, Andrea Enria, bëri një bilanc të kujdesshëm të testit të stresit këtë vit:

"Që prej testit të fundit vitin e kaluar paisja e bankave me kapital është përmirësuar ndjeshëm."

Dy banka gjermane e kaluan testin me rezultat të ngushtë, fjala është për HSH Nordbank dhe Nord LB. Të dyja kanë një kuotë të kapitalit të vet mes 5 dhe 6 për qind, pra shumë pak mbi kuotën e kërkuar prej 5 për qind. Gjithsej 16 institute krediti nga e gjithë Evropa bëjnë pjesë në grupin e bankave, të cilat e kaluan testin me rezultat shumë të ngushtë. Edhe këtu autoriteti i mbikqyrjes bankare gjykon se duhet vepruar nga autoritetet kombëtare të mbikqyrjes bankare:

"Kur kuota e kapitalit bazë i afrohet nivelit 5 për qind dhe banka ka probleme në testin e stresit, atëherë autoritetet mbikqyrëse duhet të marrin masa që banka të forcojë zërin 'kapital i vet' në buxhetin e saj".

Bankat gjermane kanë një kuotë mesatare të kapitalit bazë prej 7,5%. Më mirë rezultoi në test banka "Landesbank Berlin" me një kuotë kapitali më të lartë se 10 për qind. Numri një në sektorin bankar gjerman, Deutsche Bank, ka një kuotë kapitali prej 6,5%.

ARCHIV - Dunkle Regenwolken hängen über der Skyline von Frankfurt am Main am 01.02.2008. Am Freitag (15.07.2011) veröffentlicht die Bankenaufsicht EBA die Stresstestergebnisse europäischer Banken. Foto: Frank May dpa +++(c) dpa - Bildfunk+++
Banka, Frankfurt mbi MainFotografi: picture-alliance/dpa

Një rast të veçantë paraqet banka e landit Hessen-Thüringen, Helaba: momentin e fundit ajo refuzoi të merrte pjesë në testin e mbikqyrjes bankare evropiane, pasi autoriteti nuk llogarit si pjesë të kapitali bazë edhe të ashtuquajturat "rezerva të heshtura", të cilat rezultojnë nga mbivlerësimi i borxheve apo nënvlerësimi i aseteve. Shefi i autoritetit të mbikqyrjes bankare evropiane Enria, u shpreh:

"Helaba mori pjesë në testin e stresit. Rekomandimet tona për autoritetin kombëtar mbikqyrës në Gjermani përmbajnë edhe ato për Helaban. Ne kemi mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme. Por ne nuk mund t'i publikojmë ato pa miratimin e bankës. Mua më vjen keq për këtë vendim të bankës për të mos publikuar rezultatin."

Autoriteti i Mbikqyrjes Bankare në Evropë kontrolloi gjithsej 90 institute duke ia nënshtruar bilancet e tyre një skenari krize. Në këtë kontekst u pa se si do t'i kishte punët banka nëse Evropa do të binte në një recesion të thellë, nëse kurset e aksioneve do të pësonin rënie të fortë dhe normat e interesit do të rriteshin.

A young man withdraws euro notes from a cash machine in Bratislava, Slovakia on 01 January 2009. Slovakia has become the 16th member of the eurozone, the second former communist country to join the grouping on 01 January 2008. The Slovak koruna (crown) will remain in circulation alongside the euro until 16 January. EPA/PETER HUDEC +++(c) dpa - Report+++
Fotografi: picture alliance/dpa

Bashkimi Evropian kërkon nga bankat që nuk e kaluan testin që deri në fund të vitit të sigurojnë kapital të ri. Nëse institutet nuk e arrijnë këtë, duhet të ndërhyjnë qeveritë e vendeve përkatëse për t'i ndihmuar bankat.

Autor: Torsten Huhn / E. Xhani
Redaktoi: P. Pani