"Ukraina do të mbijetojë, Perëndimit duhet t’i vijë turp"
25 Shkurt 2022E enjte, 24 shkurt 2022, këtë ditë nuk do ta harrojmë kurrë. Ditën, kur udhëheqja e çmendur ruse, nisi një luftë të madhe kundër Ukrainës. Ditën, për të cilën ukrainasit dhe miqtë e tyre në mbarë botën prej kohësh ishin të përgatitur, e megjithatë shpresonin, se ajo nuk do të vinte kurrë. Ditën, në të cilën Kremlini thjesht ndezi një luftë në Europë.
Shumë shtrojnë pyetjen me habi: Si mundi të arrihet deri këtu? Përgjigjen e jep një citat i Winston Churchill-it: "Ju kishit mundësinë e zgjedhjes mes luftës dhe turpit. Ju zgjodhët turpin dhe tani po merrni luftën." Përmasat e ndërhyrjes nuk lenë asnjë dyshim: Trupat ruse kanë sulmuar Ukrainën, po ashtu si përpara rreth 100 vjetësh, kur Ukraina për herë të parë shpalli pavarësinë. Pasojat e këtij hapi monstruoz do ta trondisin botën.
Gabimi fatal i Perëndimit
Një përgjegjësi të madhe për këtë zhvillim e mban Perëndimi. Kur Rusia më 2014 për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së saj më 1991 sulmoi Ukrainën dhe aneksoi Krimenë, Perëndimi vendosi për turpin, sipas citatit të Churchill-it. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të SHBA-së, Gjermanisë dhe shteteve të tjera kryesuese perëndimore e kanë mbajtur me të dyja duart qeverinë ukrainase duke iu lutur, të mos bëjë rezistencë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk duhej „provokuar" në asnjë mënyrë. Motivi: Perëndimi i druhej pikërisht 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore një vatre të re lufte botërore. Ndonëse e kuptueshme, ky ishte një gabim fatal.
Rusia e dehur nga suksesi në Krime vazhdoi më tej me luftën në Donbas në lindje të Ukrainës. Perëndimi në të kundërt me shumë ngurrim e pajisi Ukrainën me armë (Gjermania e refuzoi tërësisht këtë hap) dhe druhej të vendoste masa të ashpra ndërshkuese ndaj Moskës. Vetëm pas goditjes ndaj avionit malaizjan të pasagjerëve MH17 pati sanksione të caktuara kundër ekonomisë ruse. Por ato ishin të kufizuara dhe të dobëta, aq sa Rusia arriti në konkluzionin, se mund të vazhdonte pa hasur në ndonjë rezistencë serioze.
Koha për të ndihmuar Kievin
Edhe Ukraina e ka nënvleftësuar shkallën e marrëzisë së udhëheqjes së Moskës dhe qendrimin e pjesës së madhe të popullsisë ruse, që nuk e percepton Ukrainën si një shtet të pavarur. Megjithatë shumë ukrainas flinin mbi dafinat e sigurisë: „Ne jemi fqinjë, far e fis – Rusia nuk do të tentojë luftë të hapur". Edhe vet qeveria e Kievit asokohe nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë duke dërguar kësisoj një sinjal të gabuar edhe tek aleatët e saj në Perëndim. Kjo sipas motos: gjërat nuk janë fort keq.
Në këtë mënyrë humbi shansi, për ta parandaluar luftën që nisi tani. Krerët e shteteve perëndimore kishin vendosur të negocionin me Rusinë, me shpresën, se do t'i kthenin arsyen agresorit. Por ky qendrim siç ka treguar dhe historia e njerëzimit asnjëherë nuk ka qenë i suksesshëm. Edhe në Ukrainë ka dështuar një pozicion i tillë. Rusia të ardhurat prej eksporteve të saj të naftës e të gazit i ka përdorur për zhvillimin e armëve të reja dhe për përgatitjen e luftës apokaliptike – jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër të gjithë Perëndimit. Shumë herë është paralajmëruar, të gjitha janë bërë hapur – Kremlini dhe propagandistët e tij nuk i kanë fshehur asnjëherë qëllimet e tyre. E megjithatë Perëndimi preferoi të mbyllë sytë. Në fakt fytyrat e politikanëve perëndimorë duhet të skuqen prej turpit.
Ukraina nuk kthehet nën kontrollin e Moskës. Tani ka ardhur koha që të korrigjohen gabimet dhe Ukraina të ndihmohet me çdo mjet. Do të ketë luftime, gjakderdhje, ndoshta edhe një regjim të okupuesit dhe një luftë të gjatë partizane. Ukraina do të humbasë shumë prej bijve e bijave më të mirë. Por ajo do të mbijetojë – për këtë nuk ka dyshim. Ukrainasit asnjëherë nuk do ta pranojnë të tërhiqen prej hunde nga Moska. Kjo kohë ka kaluar dhe nuk kthehet më.
Po Rusia? Rruga e agresionit që po ndjek Moska kundër Ukrainës dhe të gjithë botës perëndimore herët ose vonë do të përfundojë në një katastrofë. Ndoshta pas kësaj Rusia do të ketë shansin për një fillim të ri. Por tani të gjithë njerëzit liridashës janë ukrainas.