1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Navalny kundër Putinit - Finalja

Mikhail Bushuev
17 Janar 2021

Aleksej Navalny kthehet në Rusi. Lufta e pabarabartë mes kritikut të Kremlinit dhe presidentit Putin do të kalojë kështu në fazën finale. E bota është e detyruar të bëjë sehir, shkruan Mikhail Bushuev.

https://p.dw.com/p/3o0fD
Alexej Nawalny
Aleksej NavalnyFotografi: YouTube - vDud/Reuters

Çfarë do ta presë Aleksej Navalnyn në Rusi, kur të prekë tokën ruse të dielën? Si skenarë të mundshëm përfliten: nga një attentat me vrasje deri tek arrestimi (me shumë gjasa) apo tek kthimi triumfues (pa gjasa), si në një film hollivudian, ku fundi varet nga dëshira e regjisorit. Të dielën mbasdite pritet që politikani opozitar dhe gazetari investigativ të mbërrijë në Moskë, pasi ai qëndroi për disa muaj në Berlin e më vonë në Shvarcvald për rikonvaleshencë pas sulmit me helmin e grupit Novitçok.

Çfarë do të mund të ndodhë në këtë mbrëmje në aeroportin Vnukovo në Moskë? E mundur është gjithçka: si pritja frenetike e përkrahësve të tij, ashtu edhe kundërdemonstrata (të orkestruar nga Kremlini e të tjerë që duan ta prishin imazhin e një triumfi, apo edhe një arrestim i menjëhershëm, i inskenuar për mediat, ose përmes derës së pasme. Por ka edhe skenarë të tjerë: Autoritetet ruse mund ta anulojnë fluturimin në minutën e fundit, të grisin pasaportën e Navalnyt në kontrollin kufitar dhe ta kthejnë me forcë jashtë vendit, të shndërrojnë dënimin me arrest shtëpiak në burg, të ngrenë akuza të reja apo ta vendosin në arrest shtëpie – Kremlini me presidentin Putin në krye ka disa opsione.

Për Putinin kthimi i Navalnyt i padëshiruar

Për një (përpjekje) të re për vrasje nuk nevojitet një aksion i rafinuar dhe pastaj i dështuar për turp, si sulmi me helmin kimik të ndaluar me gjasa i porositur nga instanca të shtetit. Edhe një pistoletë e tipit të vjetër mund ta eliminojë Navalnyn ashtu si bashkëudhëtarin e tij, Boris Nemcov.

Që Kremlini është në panik dhe nuk ka zgjidhje nuk ka gjasa. Kthimi i Navalnyt kishte kohë që ishte bërë i ditur, dhe nuk është ndonjë surprizë: Pikërisht Putini përkundër të gjitha pritshmërive mund t'i lerë njëherë gjërat të rrjedhin, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë kthimi i kundërshtarit të tij më të fortë është i pakëndshëm për Putinin, por problematik. (Përpjekja) për vrasjen e politikanit të njohur opozitar sipas qëndrimit të Kremlinit e pati çmimin e vet me disa sanksione të vendosura nga perëndimi. Moska nuk trembet më nga sanksione të reja në rast të vdekjes së Navalnyt.

Mikhail Bushuev DW Russisch
Mikhail BushuevFotografi: DW

Pse kthehet Navalny në Rusi?

Përpara këtij sfondi shumë vetë pyesin: Pse e bën Navalny këtë? Po, është e guximshme ta provokosh kështu kundërshtarin e fuqishëm në Kremlin. Por a nuk është çmenduri ta çosh veten, nëse jo drejt vdekjes së sigurtë, drejt fatkeqësisë? Arsyet e kthimit të Navalnyt janë të kuptueshme vetëm pjesërisht. Jashtë vendit ai nuk mund të jetë aq efektiv sa në Moskë. Edhe moviti i vetësakrifikimit nuk duhet lënë jashtë vëmendjes: Si mund të fshihet ai jashtë vendit, kur ata që i qëndrojnë më afër janë nën presion? Por ka edhe gjasa që llogaria e Navalnyt të jetë fitimi i kohës me një hap të guximshëm.

Nga guximi i ekspozuar me bujë i Navalnyt nuk duhet të verbohemi. Ai e di po aq mirë, se mundësitë e Putinit i tejkalojnë tej mase mundësitë e tij. Vetë Navalny nuk di ndoshta më shumë, se çdo spektator në kulmin e një filmi hollivudian: gjendja për protagonistin duket e pashpresë. Por në fund do të ketë një Happy End. Ndoshta edhe jo. Pikërisht në këtë pikë ndodhemi tani. Protagonisti, një mjeshtër i jetës i ka shpëtuar njëherë vdekjes, por a e mund dot sfidën tjetër? Kjo është finalja e një lufte të pabarabartë dhe të pamëshirshme. E bota është e detyruar të bëjë sehir.