Opinion: Banka Qendrore Evropiane kthehet në byronë politike të Evropës
7 Shtator 2012Kë të telefonoj kur dua të flas me Evropën? Ka qenë ish-Ministri i Jashtëm amerikan Henry Kissinger ai që e ka bërë dikur këtë pyetje. Sot atij i duhet përgjigjur: Në Frankfurt, te Banka Qendrore Evropiane [EZB], pasi atje (prej së enjtes është e qartë) bëhet politikë evropiane. Dhe jo në Bruksel.
Me vendimin e saj për të blerë në sasi të pakufizuar obligacione shtetërore të vendeve të eurozonës në krizë, ECB-ja hoqi dorë nga parimi i saj i deritanishëm sipas të cilit ajo është e detyruar vetëm ndaj stabilitetit të çmimeve. Kjo gjë mori fund. Ruajtësit e monedhës po e prishin këtë traditë, dhe ata po shkelin të drejtën ekzistuese. Banka kthehet në financier të shtetit.
Vetëm përfaqësuesi gjerman në këshillin e ECB-së, shefi i Bankës Qendrore Gjermane Jens Weidmann, votoi kundër vendimit. Madje edhe vende të cilat deri tani kishin qenë në anën e tij (Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda) në fund refuzuan t'i shkonin pas gjermanit. Më keq akoma: Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e pati mbështetur gjithmonë Weidmann-in, i dëshmon tani me shkrim ECB-së se po vepron në kuadër të mandatit të saj.
Si mund të pretendojë tani e tutje ECB-ja se është banka emetuese më e pavarur në botë? Sepse pikërisht këtë detyrë ka ajo sipas statuteve të veta dhe sipas kushtetutës së BE-së. Mirëpo ajo nuk është kurrsesi më në gjendje të jetë e tillë, sepse vendimi i së enjtes parashikon ndër të tjera që blerja e obligacioneve shtetërore të kryhet vetëm pasi vendi përkatës të jetë futur nën ombrellën e shpëtimit. Kësisoj banka emetuese bën politikë.
Dhe çfarë ju lutem është më e mirë te programi i ri sesa te programi i parë i këtij lloji? Që dy vitet e para ECB-ja u ka blerë çertifikata borxhi fëmijëve të vet të vështirë. Vërtet me një kuadër financiar, por e shoqëruar edhe prej shpresës se tani e tutje politikanët në shtetet e krizës do të nisnin zbatimin e reformave të domosdoshme. Kjo gjë u bë vetëm me gjysmë zemre. Megjithatë Spanjës dhe Italisë iu desh të ofronin norma interesi rekord për huatë e reja. Mirëpo, normat tepër të larta të interesave të tregut për obligacione shtetërore nuk janë gjë tjetër veçse fatura për detyra shtëpie të pakryera.
Pra, kur ECB-ja ndërhyn kaq masivisht në tregun e obligacioneve shtetërore, sepse siç thotë shefi i bankës emetuese Draghi tregu është i çrregulluar, atëherë kjo mund të shkaktojë për kohë të shkurtër një shtensionim, mirëpo në plan afatgjatë kjo barrë gjigante do ta dëmtojë Evropën.
Në thelb tani nuk ka rëndësi se si gjykon Gjykata Kushtetuese mbi ombrellën e shpëtimit ESM të mërkurën e ardhshme; nëse ky mekanizëm është apo jo në përputhje me ligjin themeltar gjerman. Edhe sikur gjykata të thotë jo, ajo nuk do ta ndalojë ECB-në që ta zbatojë programin e saj të obligacioneve.
Kancelarja gjermane Merkel do t'i jetë mirënjohëse Draghi-t. Ajo nuk ka pse e pyet më parlamentin kur të duhet të zgjerohet edhe më shumë ombrella e shpëtimit. Sepse vendos (shumë e saktë): Banka Qendrore Evropiane. Ajo e ka ndezur makinën e prerjes së monedhave, dhe vetëm Mario Draghi e di se ku është leva e fikjes.