1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210110 Opel Auto

22 Janar 2010

Kriza e prodhuesit të automjeteve Opel ka arritur një kulm të ri. Fabrika në Antverpë të Belgjikës do të mbyllet në verë. Sipas drejtuesve të koncernit një hap i domosdoshëm në situatën e vështirë ekonomike.

https://p.dw.com/p/LdZV
Fabrika e Opelit në Antverpë të Belgjikës do të mbyllet në verë.
Fabrika e Opelit në Antverpë të Belgjikës do të mbyllet në verë.Fotografi: AP

Për të afro 2600 punonjësit e fabrikës së Opelit në Antwerpë lajmi i keq erdhi të enjten paradite. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të ndërmarrjes ata mësuan se në fund të qershorit fabrika do të mbyllet. Dyshimet, që ekzistonin prej kohësh, u bënë realitet. „Vendimi u morr pa ne. Belgët nuk kishin në dorë asgjë. Qeveria jo, sindikatat jo.“ – „Ne duam siguri. Secili pret mbylljen, por nuk na thonë asgjë të saktë.“

Sindikalistë të zhgënjyer folën për një „pushim kolektiv nga puna“. Walter Cnop, Sekretar i Përgjithshëm i sindikatës CSC Metall e quajti mbylljen e fabrikës katastrofë absolute për punëtorët belgë. „Është një akt kriminal të mbyllësh një fabrikë, e cila ka punuar me kaq efikasitet, për 2.600 punonjësit dhe familjet e tyre, që janë të prekura dhe që tani nxirren në rrugë."

Sindikatat thonë sa vendimi ka qenë politik dhe jo ekonomik

Ndryshe e sheh këtë shefi i Opel-it Nick Reilly. Ai njoftoi, se është i vetëdijshëm për „konsekuencat“, që ka ky lajm për punonjësit në Antverpë dhe për familjet e tyre. Por janë domosdoshmëritë ekonomike, që e detyrojnë Opel-in, ta mbyllë këtë fabrikë të tij. „Mbyllja e fabrikës në Antverpë si pjesë e planit të përgjithshëm për rimëkëmbjen e sipërmarrjes është hapi logjik për koncernin. Prandaj sot po bëjmë të ditur synimin tonë, që ta mbyllim fabrikën në Antverpë.“

Grevë në uzinën e Opelit në Bohum
Grevë në uzinën e Opelit në BohumFotografi: AP

Vendimi i koncernit mëmë General Motors (GM), për t'u ndarë nga fabrika në Antverpë, nuk erdhi papritur. Prej kohësh dihej se GM do ta mbyllte fabrikën belge. Prandaj një ditë më parë punëtorët kishin bllokuar hyrjen e fabrikës së Opel-it në Antverpë. Makinat e prodhuara nuk mund të dilnin më që andej. Bllokada do të vazhdojë, thekson Rudi Kennes i sindikatës socialiste ABVV. Lufta vazhdon. „Ajo që ne duhet të bëjmë tani, është të bëhemi solidarë dhe të përcaktojmë strategjinë tonë dhe pastaj do të shohim më tej. Ndërkohë parkimi këtu mbetet i mbyllur dhe të gjitha makinat e prodhuara nuk dalin jashtë."

Zhgënjimi i punëtorëve të Opel-it në Belgjikë është i madh

Por së shpejti mund të preken edhe të tjerë, në rradhë të parë në Gjermani. Gjatë këtij viti do të shkurtohen më shumë se 8.000 prej afro 50.000 vendeve të punës së Opel-it në Europë. Kryesia e Opel-it njoftoi, se tregu evropianoperëndimor i automjeteve në vitin 2010 do të përfshijë afro 1,5 milionë makina më pak se sa një vit më parë. Këto janë afro 4 milionë makina më pak se para tre vjetëve. Kështu Opel duhet t'i reduktojë kapacitet me një të pestën, tha Reilly dhe kjo duket e qartë në rastin e Antverpës. „Edhe sikur tregu në të ardhmej të zhvillohet më pozitivisht, nga ç'e parashikojmë ne, ne do të kemi mjaft fleksibilitet për të reaguar ndaj tij me resurse tö tjera evropiane."

Nick Reilly, shefi i Opelit njoftoi se është i vetëdijshëm për „konsekuencat“.
Nick Reilly, shefi i Opelit njoftoi se është i vetëdijshëm për „konsekuencat“.Fotografi: AP

Me fjalë të tjera: për fabrikën belge të Opel-it nuk ka më shpresë.

Autor: Susanne Henn / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama