1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Olimpiadat e gjermanishtes - traditë e gjallë në Shqipëri

22 Prill 2010

Në Shqipëri është konsoliduar tradita e zhvillimit të olimpiadave dhe konkurseve për gjuhën gjermane. Nxënësit nga shkollat e mesme dhe ato 9 vjeçare konkurojnë mes tyre në nivele të ndryshme të njohurive që kanë.

https://p.dw.com/p/N35E
Fituesit e Olimpiadës së gjermanishtes 2010
Fituesit e Olimpiadës së gjermanishtes 2010Fotografi: DW

Enxhia Sala është nxënëse në vitin e tretë të gjimanzit “Sami Frashëri” në Tiranë. Ajo është fituesja më e madhe e Olimpiadës së gjuhës gjermane 2010, duke marrë çmimin e parë për nivelin më të lartë të përvetësimit gjuhësor, që njihet si niveli C1. Në fund të korrikut Enxhia do të përfaqësojë Shqipërinë në Olimpiadën botërore të gjuhës gjermane në Hamburg, ku do të ketë konkurentë dhe nga rreth 30 vende të tjera të botës. Ajo thotë për DW se ndihet e privilegjuar që ndjek mësimet në një gjimnaz dy gjuhësh në shqip e gjermanisht, ku sipas programit lëndët e matematikës dhe të gjeografisë bëhen në gjermanisht.

Enxhia Sala - fituesja nga gjimnazi "Sami Frashëri"
Enxhia Sala - fituesja nga gjimnazi "Sami Frashëri"Fotografi: DW

Matematika është lënda ime e preferuar ndaj dhe nga kjo anë unë përfitoj shumë. Dhe mendoj që universitetin ta bëj në Gjermani. Dega, që do të ndjek mendoj se do të ketë të bëjë me matematikën”.

Kurse Iva Petja nga gjimanzi “Gaus” po në Tiranë do të jetë po përfaqësuese e Shqipërisë në Olimpiadën e Hamburgut, por në një nivel më të ulët. Ndryshe nga Enxhia, ajo e shikon perspektivën e saj në degën e mjekësisë dhe studimet ka dëshirë t'i realizojë po në njërin prej universiteteve gjermane.

Iva Petja, fituesja nga gjimnazi "Gaus"
Iva Petja, fituesja nga gjimnazi "Gaus"Fotografi: DW

Në radhët e rreth 70 pjesëmarrësve të Olimpiadës së gjuhës gjermane 2010 kishte dhe nxënës nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja Asim Vokshi. Entiola Kullolli, së bashku me shoqen e saj Ladiola Bendaj merituan çmime në këtë veprimtari dhe ato kanë përfituar një vizitë njëmujore në Gjermani. Ato mezi po presin fundin e verës, kur dhe do të realizojnë vizitën e parë në një vend, të cilin për momentin e njohin vetëm nga librat.

Entiola Kullolli - fituese nga Shkolla e Mesme "Asim Vokshi"
Entiola Kullolli - fituese nga Shkolla e Mesme "Asim Vokshi"Fotografi: DW

Kam 7 vjet që merrem me gjermanishten. Fillova kur isha në klasën e pestë në një shkollë private. Gjermanishtja për mua është si një ushqim për shpirtin dhe prandaj kam vendosur ta çoj deri në fund”, thotë Entiola për DW.

Për Ilva Hamzajn vizita në Gjermani ka një emocion tjetër.

Kam qënë një herë në Gjermani dhe mezi pres të kthehem prapë atje, pasi atëhere isha e vogël”.

Në grupin e organizatorëve të Olimpiadës është dhe mësuesja e gjermanishtes Bruna Frashëri. Duke qëndruar pranë nxënësve, duke biseduar me ta ajo shikon mjaft aspekte pozitive në veprimtari të tilla konkuruese, siç janë olimpiadat.

Bruna Frasheri, mësuese, njëra nga organizatoret e Olimpiadës së gjermanishtes 2010
Bruna Frasheri, mësuese, njëra nga organizatoret e Olimpiadës së gjermanishtes 2010Fotografi: DW

Realisht nxisin të gjithë nxënësit për rezultate sa më të mira në mësime. Duke qenë se ata fitojnë jo vetëm një çertfikatë ose një vertetim për njohuritë e tyre për një nivel të caktuar nxënësit kanë mundësi të marrin pjesë ose në kurse verore, që i ndihmojnë në përvetësimin e gjermanishtes, por dhe të marrin pjesë në olimpiada ndërkombëtare, ku përfaqësojnë Shqipërinë. Është absolutisht një eksperiencë e shkëlqyer për nxënësit dhe njëkohësisht një motivim më shumë për të gjithë të tjerët, që duan të mësojnë gjermanishten dhe të kenë rezultate shumë të larta”, thotë ajo për DW.

Edhe Kira Cami, njëra nga nxënëset fituese të Olimpiadës së gjuhës gjermane 2010 thotë se ndihet mirë kur aktivizohet në gara me nxënës të tjerë.

Konkurset janë shumë nxitëse, sepse je në garë me të tjerët dhe ato të shtyjnë të mësosh më shumë. Që t'i japësh vetes një stimul që të jesh ti e para dhe jo të tjerët”.

Grupi i fituesve të Olimpiadës së fundit ishte vetëm më vajza. Por mësuesja Bruna Frashëri shpreson se vitin e ardhshëm do të ketë fitues dhe nga radhët e djemve. Pasi nga viti në vit shikohet një interesim gjithnjë e në rritje nga të rinjtë për të mësuar gjuhën gjermane. Për për të thelluar edhe më shumë njohuritë për kulturëm, historinë, por dhe zhvillimet politike, ekonomike sociale etj., të njërit prej vendeve lidere në botë.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi