OJQ "Ndihmë për njerëzit që presin në burg dëbimin nga Gjermania" - nderohet me çmimin për paqen të qytetit të Aachenit
8 Maj 2006Me çmimin për paqen të qytetit të Aachenit me të cilin deri më sot janë nderuar për kurajon e tyre civile, humanizimin dhe drejtësinë personalitete të ndryshme politike të botës u nderua këtë vit shoqata "Ndihmë për njerëzit që presin në burg dëbimin nga Gjermania" me qendër në Büren.
Duke argumentuar vlerësimin e jurisë, kryetari i saj Otmar Steinbicker tha: "Shoqata nderohet me çmimin për paqe të Aachenit, sepse ka mëse dhjetë vjet që lufton në bazë me mjete paqësore kundër burgimit në pritje të dëbimit nga Gjermania. Me këtë çmim ne duam të tërheqim vëmendjen për politikën e dëbimeve të të huajve nga Gjermania, e cila po bëhet gjithnjë e më rigoroze dhe jonjerëzore si dhe të kundërshtojmë politikën ndaj azilit, për të cilën duket se është më i rëndësishëm elementi mbrojtës, sesa mbrotja e njerëzve në rrezik."
Burgu i Bürenit për personat që presin të dëbohen nga Gjermania gjendet në afërsi të Paderbornit dhe është ndër më të mëdhjetë e Gjermanisë. 560 vetë mund të strehoen aty. Ky burg u hap në vitin 1994. Pak pas hapjes së këtij burgu u themelua shoqata "Ndihmë për njerëzit që presin në burg dëbimin nga Gjermania", e cila deri sot është përkujdesur për rreth 10.000 refugjatë. Kjo shoqatë i këshillon ata, vendos lidhje me avokatë, i shoqëron në gjykatë dhe mbron interesat e tyre kundrejt drejtorisë së burgut.
Aktualisht kjo shoqatë po përgatitet për të hedhur në gjyq drejtorinë e këtij burgu, sepse sipas mendimit të saj, kjo nuk kujdeset sa duhet për trajtimin mjeksor të të burgosurve. Po ashtu kjo shoqatë po përpiqet që në nivel politik të arrijë që të miturit të përjashtohen nga rastet e personave që mbahen në burg në pritje të dëbimit nga Gjermania.
Zëdhënësi i kësaj shoqate Frank Gockel mendon se nderimi me çmimin e Aachenit për paqen do t'i sjellë asaj një mbështetje më të gjërë shoqërore.
"Çmimi është tepër i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë çështja e personave që mbahen në burg në pritje të dëbimit nga Gjermania gjen sërish vend në media. Ka kohë që në lidhje me këtë lloj burgimi nuk është shkruar më ose është njoftuar fare pak në media. Qëllimi ynë është që ky lloj burgimi të mos ekzistojë dhe për këtë është mirë që të fitojmë sa më tepër mbështetje në opionin e gjërë. Tani mund ta arrijmë më me forcë këtë."
Ceremonia e dorëzimit të çmimit të Aachenit për paqen organizohet më 1 shtator në Aachen.