1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Objekte të periudhës romake të zbuluara në Shqipëri rehabilitohen nga ekspertët gjermanë

Arben Muka13 Gusht 2008

Rreth 30 objekte, të gjitha të bronxta, si hallka zinxhirësh, unaza, kopsa të dekoruara do të jenë në fokus të hulumtimeve më të thelluara nga studiuesit vendas dhe të huaj.

https://p.dw.com/p/EwLc
TiranaFotografi: DW / Cama

Në Laboratorin e Arkeometrisë dhe të Konservimit në Tiranë janë kthyer nga rehabilitimi në Mainz të Gjermanisë rreth 30 objekte historike, të cilat vlerësohen nga arkeologët si një thesar i çmuar për gjurmët e periudhës romake. Ato janë gjetur rreth një vit më parë në ambientet e teatrit antik të Apollonisë, në një gjendje mjaft të rënduar nga vetë kushtet klimatike me lagështirë, që ato kishin përballuar në një hapësirë të madhe kohore.

Arkeologët konstatuan nivel të lartë korodimi në sipërfaqet e objekteve, si dhe pjesë të humbura. Për t'i riaftësuar ato Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit në Tiranë kërkoi ndihmën e homologëve në Mainz të Gjermanisë me qëllim që t'i kthehej atyre vlera e ekspozimit në publik dhe të trashëgimisë të tyre.

Që në vëzhgimet e para që ju bënë objekteve, specialistët ishin të mendimit se kishin të bënin me gjurmë të periudhës romake, një argument tjetër për lashtësinë e qytetit të Apollonisë, që është gjithmonë nën vëmendjen e ekipeve arkeologjike vendase dhe të huaja. Tashmë pas rehabilitimit rreth 30 objektet, të gjitha të bronxta, si hallka zinxhirësh, unaza, kopsa të dekoruara do të jenë dhe në fokus të hulumtimeve më të thelluara nga studiuesit vendas dhe të huaj.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë është duke përgatitur një dosje të veçantë aplikimi për kompleksin arkeologjik të Apollonisë që të merret në mbrojtje nga UNESCO, si pjesë e thesarit të trashëgimisë botërore.