Obama në mbrojtje të klimës
26 Qershor 2013Në një fjalim të mbajtur në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington, Obama bëri të ditur se do të angazhohet fuqimisht për të përmirësuar situatën e mjedisit në mbarë botën. Ai paralajmëroi një paketë masash për të përballuar problemin e ndryshimeve klimaterike, duke ofruar edhe rritjen e kufizimeve për emetimin e karbonit në SHBA. Emetimi i gazit serë, dyoksidi i karbonit nga termocentralet me qymyr që është mjaft i dëmshëm për klimën sipas Obamës do të kufizohet maksimalisht. Deri në 2014, sipas presidentit amerikan do të vendosen kufizime të reja. Termocentralet me qymyr janë në SHBA përgjegjëse për gati një të tretën e emetimit të gazit karbonik. Përveç kësaj Obama u deklarua për investime të reja në fushën e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme si në prodhimin e energjisë solare dhe të energjisë nga era, por edhe për masa kursimi në përdorimin e energjisë.
BE reagon pozitivisht ndaj projekteve të Obamës
Obama bëri thirrje edhe për një traktat botëror, që këto masa të zgjerohen përtej kontinentit amerikan. Ky fjalim i Obamës u cilësua si një kthesë e madhe në politikën e tij në këtë fushë duke pasur parasysh qëndrimet e mëparshme të tij në këtë temë. Obama e arsyetoi këtë duke vënë theksin në perspektivën e një mjedisi pa ndotje: “Si një president, si një baba dhe si një qytetar amerikan, jam këtu për të thënë se duhet të veprojmë. Ne sot kemi përgjegjësinë edhe breza pasardhës, kemi një detyrë morale për t'i trashëguar pasardhëvse tanë një planet mjedisor pa ndotje dhe dëmtime.”Republikanët konservatorë si dhe përfaqësues të industrisë i kritikuan qëndrimet e Obamës. Sipas tyre, si rezultat i kësaj politike vihet në rrezik rimëkëmbja ekonomike dhe vendet e punës. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso deklaroi se tani lufta kundër ndryshimit të klimës merr një shtytje të re.