Obama, Klinton apo McKejn? Mesazh i dyjëzuar nga votimet paraprake të super tuesday-t në SHBA
7 Shkurt 2008Votimet e super së martës në 24 shtete federale tërheqin vëmendjen e komentatorëve të gazetave gjermane.
"Nürnberger Zeitung" shkruan: "Shanset për Obamën pas super së martës janë mëse të mira. Konkurentja e tij Klinton ndonëse kryeson me pak pikë diferencë, Obama pritet të ketë shanse edhe më të mira në votimet që zhvillohen në shtetet e tjera. Aq më shumë që tani për të do të derdhen edhe më shumë para nga donacionet. Nga ana tjetër, tek republikanët Xhon McKejnit vështirë se mund t´ia kalojë dikush tjetër. Ndonëse ai shpesh herë nuk është një linjën e partisë dhe shumë konservatorë e kanë halë në sy, tek zgjedhësit kjo mund të luajë rol në avantazh të tij . Barak Obama, Amerika e re dhe moderne përballë Xhon McKejnit, kokëfortit jokonvencional dhe heroit të luftës së Vjetnamit, një duel i tillë do të jetë në qendër të kryeartikujve edhe në Evropë."
Për komentatorin e "Eßlinger Zeitung": "Edhe pse Klinton e Obama i kanë fituar zgjedhjet paraprake, kjo nuk do të thotë se ata do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë. Ata i pret lufta me Xhon McKejnin, i cili ia ka dalë mban në kampin e republikanëve. Dëshira e dukshme e amerikanëve për një fillim të ri politik është njëra anë e medaljes. Përtej luftës së Irakut për amerikanët e SHBA tema numër një e luftrave elektorale është shqetësimi për ekonominë e sëmurë. Në këtë fushë tradicionalisht amerikanët kanë më shumë besim tek republikanët."
"Handelsblatt" konstaton mëdyshjen që doli në pah pas super së martës: "SHBA janë spostuar sërish paksa në qendër, por megjithatë ata nuk janë në unanimitet. Mesazhi që del nga zgjedhjet e super tuesday-it është po aq i dyjëzuar sa edhe vet rezultati. Bashkuesi mbipartiak, që do t´i jepte fund përçarjes së vendit, ende nuk është gjetur."