1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nënshkruhet në Ankara marrëveshja për ndërtimin Nabucco-s

14 Korrik 2009

Pesë shtete dhe BE nënshkruan në Ankara një marrëveshje qeveritare për ndërtimin e tubacionit të furnizimit me gaz natyror, Nabucco. Kjo linjë synon të kufizojë varësinë e Evropës nga gazi rus.

https://p.dw.com/p/Ioq3
Dritë jeshile për projektin e BE-së "Nabucco"Fotografi: AP

Synimi i marrëveshjes së nënshkruar të hënën (13.07.) në Ankara është kapërcimi i pengesave shtetërore për tubacionin 3300 metra të gjatë. Përmes këtij tubacioni, prej vitit 2014 do të transportohet gaz natyror prej Detit Kaspik drejt Evropës, duke e anashkaluar Rusinë.

Nabucco - projekt inkurajues ekonomik dhe politik për Evropën

BE e mbështet ndërtimin e tubacionit të gazit, i cili ka përkrahjen edhe të SHBA. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso tha në Ankara se projekti me emrin Nabucco do të kontribuojë për sigurinë energjitike të Turqisë, Evropës Juglindore dhe Evropës Qendrore. Në fazën e parë, në këtë linjë do të transportohen çdo vit 10 miliardë metër kub gaz, më vonë 31 miliardë metër kub. Tubacionin e gazit e ndërtojnë Turqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe Austria. Sipërmarrjet që marrin pjesë në projekt kanë premtime për furnizime me gaz nga Azerbajxhani, Iraku i Veriut dhe Turkmenistani. Siria dhe Egjipti gjithashtu kanë premtuar furnizim. Në konsorciumin industrial me seli në Vjenë, përfaqësohen koncerni energjitik austriak OMW, ai gjerman RWE, Botas (Turqi), Bulgargaz (Bullgari), Transgaz (Rumani) dhe MOL (Hungari). Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher është këshilltar politik i projektit, gjë që nga disa analistë u veçua si fakt që i shton projektit peshën politike.

Karte Infografik Nabucco Gas-Pipeline albanisch
Harta e vendeve të Nabucco-s

Marrëveshja e nënshkruar në Ankara, sipas organizatorëve, ofron një kuadër stabil juridik për projektin. Problemi kryesor për Nabucco-n konsiderohet sigurimi i furnizimeve me gaz, meqenëse edhe Rusia përpiqet që me projektin konkurues "South Stream" ta blejë gaz nga vendet eksportuese.

Kryeministri i Bullgarisë, Sergej Stanishev e vlerësoi me këto fjalë marrëveshjen e Ankarasë:"Ne jemi disa vjet larg përfundimit të sistemit të tubacionit NABUKO-s, megjithatë për qeverinë bullgare dhe qytetarët bullgarë, që përjetuan një përvojë shumë të pakëndshme gjatë krizës së gazit në janar të këtij viti, ceremonia e sotme nënshkruese është një mesazh i fortë, inkurajues, si nga ana politike, ashtu edhe ekonomike."

Ndërtimi i tubacioneve të gazit fillon në vitin 2011

Ndërtimi i tubacionit të gazit pritet të fillojë në vitin 2011, gazi i parë, sipas Barroso-s do të transportohet në vitin 2014. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan e quajti dakordimin politik për tubacionin e gazit një moment historik për sigurinë energjitike të Evropës. Turqia hoqi dorë nga kërkesa për të marrë 15% të gazit të transportuar nga Nabucco. Kompromisin ajo megjithatë e pranoi me kusht që në rast krize të ketë akses në rezervat e gazit në Evropë. Tubacioni duhet të ndërtohet në një mënyrë të tillë që të pompojë gaz në të dyja drejtimet.

Kryeministri i Hungarisë, Gordon Boinoi theksoi rëndësinë e kooperimit:"Rruga për të dalë nga kriza për të gjitha vendet tona nuk është duke u drejtuar nga brenda, por në të kundërtën, në një nivel më të lartë bashkëpunimi, koordinimi dhe integrimi. Këto janë fjalët kyç për ta menaxhuar këtë krizë."

Presidenca suedeze e radhës e BE e quajti Nabukon me rëndësi strategjike për BE. Ajo foli për "një hap konkret për realizimin e konceptit të korridorit jugor."

Autor: Agjencitë/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani