1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Në shumë aspekte Shqipëria sot është ndryshe"

Intervistoi: Fabian Schmidt20 Shtator 2006

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, në një intervistë eksluzive për Deutsche Welle, tregon mbi arritjet njëvjeçare të qeverisë së tij, mbi pavarësinë e drejtësisë, ligjin e pronave dhe çështjen e Kosovës.

https://p.dw.com/p/AqbI
Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë
Sali Berisha, kryeministër i ShqipërisëFotografi: AP


Fabian Schmidt: Zoti Berisha, pas një viti në qeveri cilat nga pikat që keni patur dëshirë të arrini e keni arritur tashmë, dhe ku mendoni se duhet bërë ende punë, cilat janë pikat më të vështira në të ardhmen?

Sali Berisha: Mendoj se arritja më e madhe e këtij viti është nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim asocijimit me Bashkimin Europian. Ishte një premtim yni, të cilin donim ta realizonim nëpërmjet reformave serioze dhe zbatimit të tyre, dhe kjo u realizua me datën 12 qershor, kur u nënshkrua në Luksemburg marrëveshja e asocijim stabilizimit. Një vit më parë ne i premtuam shqiptarëve se do ndryshojmë Shqipërinë. Unë jam i sigurt se, sot në shumë aspekte Shqipëria sot është ndryshe. Është ndryshe në drejtim të zbatimit të ligjit. Ligji para zgjedhjeve të 2005-ës, zbatimi i tij, ndodhej në nivelet më të ulta në planet, ishte disa herë më i ulët se në Burkina Faso. Qëllimi ynë kryesor ishte zbatimi i ligjit, vendimet e gjykatave, respektimi i ligjit, dhe zbatimi i paanshëm i tij. Sot, sensi i ligjit predominon kudo. Pikërisht, në sajë të përpjekjes sonë për të rivendosur shtetin ligjor, janë dy fusha në të cilat rezultatet janë evidente: Së pari në luftën kundër krimit të organizuar. Krimi i organizuar shqiptar, për shkak të simbiozës së tij me pushtetin, dhe bashkëpunimin me të në të gjitha nivelet u bë njëri nga më të rrezikshmit, më të pasurit, më të fuqishmit në Europë. Ne shpallëm zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në këto kushte, pas një viti cili është bilanci? Pas një viti bilanci është, mendoj unë, qartësisht pozitiv. Të gjitha grupet e mëdha dhe organizatat kriminale janë vendosur para ligjit. Në bashkëpunim me agjensitë e zbatimit të ligjit të vendeve mike janë kryer 19 operacione shumë të rëndësishme, të cilat kanë çuar në arrestimin e bosëve të mafias shqiptare në vendet e tjera mike dhe anëtarëve të këtyre organizatave. Ka marrë një godite shumë të rëndë trafiku i drogës, trafiqeve kriminale dhe i qënieve njerëzore. Droga, sipas qendrës së Bukureshtit, trafiku i saj, po spostohet drejt boshteve të tjera dhe jo më nëpërmjet Shqipërisë si rrugë kryesore. Ne vendosëm moratorim trevjeçar të varkave të shpejta në ujrat tona, të cilat përdoreshin gjerësisht për trafiqe. Janë bërë konfiskime dhjetra milionë euro të pronave të ekonomisë kriminale të grupeve të trafikut të drogës dhe trafiqeve të tjera. Shqipëria është një vend i sigurt sot. Faktin që këtë vit ne kemi patur mbi 30 për qind më shumë turistë se vitin e kaluar, unë personalisht e lidh para së gjithash me luftën që ne i bëmë kriminalitetit dhe me faktin që Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asocijimit.

Fabian Schmidt: Një nga problemet më të mëdha në Shqipëri ka qenë sistemi juridik nga njëra anë, dhe problemi i pavarësisë së juristëve nga ana tjetër. Në këtë kontekst dua të shtrojë dy pyetje: Së pari është ky rezultat i paaftësisë së sistemit të drejtësisë apo është problemi i pavarësisë së drejtësisë? Ndalem në këtë aspekt duke u nisur edhe nga problemi aktual i Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku.

Sali Berisha: Çdo qeveri që vjen në pushtet ka një qëllim kryesor, reformat. Në rastin tonë, krimi i organizuar arriti përmasa europiane dhe u bë kaq famëkeq, ai u bë pikërisht një nga problemet më madhore, dhe ishte lidhja e tij me politikën në të gjitha nivelet, dhe qëndrimi indiferent deri në bashkëpunues i institucionit të akuzës dhe pushteti gjyqësor, problemi më i madh. Në një vend ku funksionon institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme krimi nuk ka shpresë që të arrijë në këto përmasa. Unë kam qenë në opozitë, unë nuk mund të flas kaq shumë për lidhjet e pushteti gjyqësor me politikën, por po të bësh analizën e vendimeve të tij sheh se ka lidhje të sigurta me krimin. Këto lidhje kanë qenë shumë të fuqishme dhe vazhdojnë të jenë të pranishme. Ky është i gjithë qëndrimi dhe i gjithë problemi i Zotit Sollaku.

Fabian Schmidt: Zoti Berisha, si e shpjegoni ju këtë situatë, nga njëra anë parlamenti është në favor të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa Presidenti nuk vepron?

Sali Berisha: Jo, kjo çështje është votuar në parlament me 79 vota kundër dhe 140 pro dhe është propozuar shkarkimi i tij, pra është vendosur shkarkimi i tij, dhe shkarkimin e mban Presidenti i Republikës, sepse në përputhje me Kushtetutën shkarkimin e Prokurorit e bën Presidenti i Republikës.

Fabian Schmidt: Zoti Berisha, po të krahasojmë Shqipërinë me vitin 1992 ka ndryshime dhe zhvillime pozitive. Këto zhvillime po sjellin edhe një akumulim në pasuri. Por një detyrë e qeverisë sot do të ishte të mbështetej rritja masive e ekonomisë për popullsinë. Një vendim interesant i juaji është që në procesin e kthimit të pronave, në Shqipëri të mos kthehet në periudhën e latifondistëve. Por partitë e vogla të djathta duan të ankohen lidhur me çështjen e kthimit të pronave dhe e kanë çuar çështjen ne Strasburg. Ju i shihni argumentat e këtyre partive?

Sali Berisha: Së pari unë jam dakort me ju. Ju jeni dëshimtar i ndryshimeve të mëdha të Shqipërisë, pavarësisht nga problemet që ka patur Shqipëria. Por ky vend në 14 vite ka rritur 13 herë të ardhurat për frymë. Eshtë filluar me 204 dollarë për frymë dhe kemi arritur sot në 2640 dollarë për frymë. Kjo është një arritje e madhe. Produktin po ta pjesëtosh me numrin e banorëve jep këtë që them. Sikundër, sot vendi më hiperkolektivist në Europë është vendi më i privatizuar i Europës. Mbi 80 për qind e prodhimit vjen nga sektori privat. Ju përmendët me shumë të drejtë informalitetin në ndërtime. Ne kemi vendosur një platformë të re me ndihmën e Hernando de Soto, i cili ndofta drejtori i një Instituti që ka Think-Thank-un më të mirë në botë për ekstralegalitetin dhe po i legalizojmë, po i vendosim nën ligj. Rezultojnë përmasat e ekstralegales, pra ajo që është ndërtuar në këto 13-14 vite më e madhe, shumë më e madhe se ajo që është ndërtuar në një shekull në Shqipëri, të marrë së bashku. Kështu që ndryshimet janë evidente. Mbetet problemi i pronave. Jam shumë dakort me ju. Në një vend që ka patur hiperkolektivizëm total dhe realisht një trefishim demografik të popullatës, në një hark kohor prej 45 vitesh, nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveç reformës së pronësisë. Ne si Parti Demokratike kemi menduar që kjo të jetë 100 ha për familje. Me 100 ha për familje ne i përgjigjemi ish pronarëve. Ose me kompesim në vlerë tregu, ose me pagesë në vlerë tregu ose kompesim toke. Më tutje, nëqoftëse shkohet më tutje, Shqipëria nuk del dot nga borxhi edhe për 30 vjet të tjera dhe është e pamundur. Shpresoj se Gjykata e Strasburgut do ta ketë parasysh se reforma agrare është një reformë që përbën bazën e një rendi kapitalist.

Fabian Schmidt: Një tjetër koncept i qeverisë suaj është lartësimi i doganave dhe tatimeve në moton "Shqipëria një euro". Keni patur ndërkohë reagime dhe interes të shprehur nga investitorët për të investuar në Shqipëri?

Sali Berisha: Në rast se ne kemi formuluar listën e ofertës sonë "Shqipëria 1 euro" çka do të thotë do të marrin tokën për të ndërtuar uzinën, për të ndërtuar fabrikën, për të ndërtuar spital, shkollën private, hotel, tokën publike apo plantacionet, tokën bujqësore me 1 euro, ne nuk do të marrin shërbime të shumta me 1 euro. Ne jemi në përpunim të kritereve të adaptimit të kësaj nismeje, në mënyrë që kjo nismë të përdoret në përputhje të plotë me rregullat e lirisë së tregut, të mos dëmtojë kompetibilitetin etj. Për këtë ne kemi kërkuar ekspertë dhe presim që këtë javë, nga fundi ose fillimi i javës tjetër të na vijnë dy eskpertë ndërkombëtare, që të përpunojmë edhe këto kritere, të cilat do të miratohen në parlamentin shqiptar. Pas miratimit të tyre, domethënë unë parashikoj që të paktën para fundit të tetorit kjo nuk do mund të bëhet, por fundi i tetorit do të jetë koha më optimale, pastaj kjo do të publikohet, do tu ofrohet investitorëve në të katër anët, kudo që ndodhen në të gjitha vendet për të ardhur investuar në Shqipëri.

Fabian Schmidt: Shqipëria ndodhet fare pranë zgjedhjeve lokale. Por lidhur me procesin e reformimit të ligjit elektoral janë bllokuar disa proceduera në parlament. Jeni optimist se do të mund të respektohet data e zgjedhjeve lokale?

Sali Berisha: Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi që zgjedhjet të arrihen nga ana teknike, në datë pa ndonjë vështirësi serioze. Ka dy probleme, pra teknikisht është plotësisht e realizueshme. Eshtë koha, dhjetor, në një vend me dimër kontinental e pranoj që krijon vështirësitë e veta, por nga ana tjetër kushtetuta nuk të lejon të zgjasësh mandatin e këtyre qeveritarëve vendorë, sepse këta janë zgjedhur në përputhje më kushtetutën për tre vjet. Në këto kondita qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zhvilluar zgjedhjet. Ka një problem shumë serioz me kryetarin aktual të opozitës, i cili nuk do me çdo kusht zgjedhjet. Por është tërësisht e njohur se, duke përdorur dimrin si preteks, por hallin e ka se nuk ka bërë Kongresin e zgjedhjes së tij një anëtar një votë, dhe e di se mund të jetë kurban i këtyre zgjedhjeve.

Fabian Schmidt: Sa i përket çështjes së Kosovës, bashkësia ndërkombëtare me
në krye të ngarkuarin e posaçëm të OKB-së, Marti Ahrisaari është e angazhuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës deri në fund të këtij viti. Ju Zoti Berisha, si e shihni zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe çdo të thotë kjo për marrëdhëniet e Shqipërisë më Serbinë?

Sali Berisha: Plotësisht mbështes presidentin Ahtisaari dhe komunitetin ndërkombëtar, zgjidhja e statusit duhet të finalizohet brenda këtij viti, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Si në qëveri por edhe në opozitë kam qenë dhe mbetem thellësisht i angazhuar të jap ndihmesën time, ndikimin tim për garantimin e plotë të lirive dhe të drejtave të minoriteteve në tërësi dhe të serbëve në veçanti në Kosovë. Çështja e minoriteteve është një çështje shumë sensitive, një tregues jashtëzakonsisht i rëndësishëm i funksionimit të një shoqërie te lirë. Nga ana tjetër kam bindjen e thellë se zgjidhja e vetme që jep paqe dhe stabilitet në rajon është pavarësia e Kosovës, ashtu sikurse kam bindjen se marrja e të gjitha përgjegjësive të një vendi të pavarur nga ana e lidershipit të Kosovës dhe prania ndërkombëtare do të mund të konsolidojë në Kosovë ato standarte të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e nëj shoqërie të lirë. Pra janë disa gjëra, disa të dhëna që ky vend do të funksionojë realisht si një vend i pavarur, ndërkohë kjo iradion paqe dhe stabilitet në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Vijmë tek marrëdhëniet e Tiranës me Beogradin. Unë kam qenë dhe mbetem i vendosur dhe këtë i kërkoj dhe udhëheqjes politike të
Kosovës, për një kthim të faqes për një kapitull të ri në këto marrëdhënie, nën shembullin më të mirë të kombeve të qytetëruara europiane dhe për përpjekje të përbashkëta për një të ardhme në Bashkimin Europian dhe në Nato.

Fabian Schmidt: Dhe së fundi, lidhur me proceset e integrimit europian. Aktualisht ka shumë zëra në BE skeptikë për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit. A mund të mbetet dëshira e Shqipërisë për anëtarësimin në BE si një ëndërr pa fund?

Sali Berisha: Jam i vetëdijshëm për problemin që ekziston brenda Bashkimit Europian dhe ai është një problemi i thellë. Nuk është një problem thjesht i elitës, por është një problem në thellësinë e shoqërive të këtyre vendeve. Në besimin tim më të thellë, Bashkimi Europian është një proces i parikthyeshëm dhe i parezistueshëm. Në këtë kontekst, sërish unë jam optimist se reformat do të zgjidhin problemet e vendimmarrjes, janë probleme serioze, nuk mund të injorohen, ose problemi i pjesëmarrjes së shoqërive dhe mënyrës demokratike të vendimmarrjes, e këto janë probleme për tu zgjidhur. Zgjidhja e tyre dhe përpjekja jonë serioze për të arritur standarte, unë e konsideroj procesin e integrimit si një proces të bazuar në standarte, përpjekja jonë serioze për të arritur standarte do të jetë e sigurtë, që ne do të integrohemi në Bashkimin Europian. Nuk them se ka një pasion të madh për integrimin tonë, por nga ana tjetër ka një dokument, deklarata e Selanikut të vitit 2003, në të cilën ka një zotim solemt të lidershipit të Bashkimit Europian për integrimin e
vendeve të Ballkanit në këtë bashkim.