1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shqipëri nderohet Dita e Flamurit me solidaritet

28 Nëntor 2019

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri, ndërkohë kërkimet në Thumanë ndërpriten. Bashkimi Europian shprehet, se sot më shumë se kurrë i qëndrojmë pranë popullit shqiptar.

https://p.dw.com/p/3TsFB
Symbolbild Albanien & EU
Fotografi: picture-alliance/picturedesk.com/H. Ringhofer

Festa Kombëtar , 28 Nëntori, 107 vjetori i Pavarësisë, e gjen sot Shqipërinë në dhimbje dhe trishtim për jetët e humbura nga tërmeti vdekje prurës prej 6,4 ballësh, që ra të martën (26.11.2019). Aktivitetet festive të planifikuara për sot janë anuluar. Vendin e  tyre e ka zënë solidariteti i BE, vendeve fqinjë, Gjermanisë,  Francës, SHBA dhe qytetarëve, bizneseve e sistemit bankar vendas për t'u ardhur në ndihmë familjeve në fatkeqësi.

Mesazhe solidariteti

Ptesidenti Meta ka ftuar qytetarë të Shqipërisë „të angazhohen për të nderuar Flamurin Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre". Kryeministri Rama në urimin drejtuar shqiptarëve për Ditën e Flamurit thekson që ajo të kthehet "në ditë të shënuar solidariteti kombëtar e në respekt të atyre që nuk janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për të gjithë ne." Kryetari i PD dhe gjithë opozitës jashtë parlamentit, Basha në urimin e rastit me rastin e përvjetorit të sotëm të Ditës së Pavarësisë, dha mesazhe solidariteti duke nxjerrë në pah atë që po ndodh vërtet në Shqipëri,”pavarësisht ndasive, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar” ka theksuar Basha.

Delegacioni i BE shkruan se „sot mendimet tona janë për popullin shqiptar dhe në veҫanti për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre.”BE më shumë se kurrë i qëndron pranë popullit shqiptar" thekson delegacioni i BE.  Burime zyrtare nga Komiteti Ndërministror për Emergjencat Civile bëjnë me dije se deri më sot vetëm qytetarët kanë dhënë 730 mijë euro për të dëmtuarit nga tërmeti, përveç ndihmave në veshmbathje dhe shtresa për akomodimin e tyre.

Albanien nach Erdbeben
Fotografi: DW/Ani Ruci

Rritet numri i  viktimave, ndërpriten kërkimet në Thumanë

Kërkimet për të mbijetuarit në rrënoja kanë vijuar pa ndërprerje nga ekipet vendase të kërkim-shpëtimit, ato nga Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, Greqia, Franca, Kroacia dhe BE. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, (28.11) numri i viktimave arriti në 40 dhe numri i të gjeturve gjallë në 45. Ndihmë mjekësore në spitalet e Durrësit dhe Tiranës po marin 657 të lënduar nga goditja e tërmetit.

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije, përmes një njoftimi për shtyp se operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë në Thumanë, në fshatin më të prekur nga tërmeti. Tre viktimat e fundit janë nxjerrë sot, në orën  04:00 të mëngjesit. Mes 40 viktimave në total janë katër fëmijë dhe shumë të rinj dhe të reja. Operacionet e Kërkim-Shpëtimit po vazhdojnë në Durrës, në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, ku ka informacione nga banorët se nën to janë ende qytetarët e pagjetur.

Infografik Karte Erdbeben in Albanien EN

Rreziku nga tërmete të tjera - i pranishëm

Paralajmërimi i Qendrës Sizmologjike Europiane të Mesdheut se tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri do të pasohet nga tërmete të tjera ka rritur vëmendjen e popullsisë dhe të autoriteteve. Gjatë natës së kaluar janë regjistruar dy lëkundje të forta me magnitudë 4.4 dhe 4.5 ballësh, që i kanë çuar në mbi 310 lëkundjet pas tërmetit shkatërrimtar të së martës së kaluar, 26 nëntorit. Paniku dhe frika e banorëve në Durrës dhe Thumanë janë rritur.

Duke filluar nga dita e sotme dhe në vijim pritet që akomodimi në ҫadra në fushën e sportit në Thumanë dhe Durrës i banorëve, të cilëve tërmeti u ka shkatërruar banesat, të kalojë në hotelet e Durrësit dhe Lezhës, në bazë të një marrëveshjeje që ka bërë qeveria Rama me pronarët e tyre për të paguar qëndrimin dhe ushqimin e tyre. Marrëveshja do të mundësojë që fëmijët e familjeve të prekura të vazhdojnë shkollën. Kryeministri i ka kërkuar sot Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, të sapongritur, të inventarizojë me shpejtësi banesat e shkatërruara dhe ato të dëmtuara që të rifillojë puna sa më parë për ndërtimin dhe riparimin e tyre.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana