1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Serbi bashkohet një pjesë e opozitës

13 Gusht 2020

Në Serbi është themeluar edhe një subjekt politik - Opozita e Bashkuar e Serbisë (UOS). Pas krijimit të këtij subjekti, janë shuar disa të tjera.

https://p.dw.com/p/3gqWZ
Serbien Demonstration vor dem Parlament in Belgrad
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Vendimin për krijimin e një subjekti të ri politik në Serbi e kanë nënshkruar 12 parti dhe lëvizje: Partia Demokratike, Partia për Liri dhe Drejtësi, Partia Popullore, Lëvizja për Ndryshime, Shoqata e Sindikatave Sloga, Lëvizja Popullore e Serbëve në Kosovë e Metohi, Bashkësia Demokratike Hungarezëve në Vojvodinë, Platforma Qytetare etj. Në Opozitën e Bashkuar të Serbisë nuk do të jetë lëvizja Dveri e Boshko Obradoviqit, të cilin presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe disa të tjerë shpesh e kanë quajtur me orientime fashiste. UOS është formuar, siç thuhet, me të vetmin qëllim: "largimin nga pushteti të regjimit të korruptuar, të bazuar tek vullneti i një personi“.

Serbien Wahl 2020 | Dragan Djilas, Allianz für Serbien
Opozitari Dragan Djilas, kreu i Partisë për Liri dhe DrejtësiFotografi: Reuters/M. Djurica

UOS do të funksionojë si një subjekt fleksibël dhe nuk do të ketë program të përbashkët. Partitë politike do të paraqiten si të pavarura në opinion, por thuhet se ky subjekt do të ketë vetëm një kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që do të mbahen në vitin 2022. Kjo lloj konfederate partiake është kritikuar për shkak të karakterit të saj jo unik.

Misioni i papërfunduar

Analisti i njohur, Cvijetin Milivojeviq thotë në një deklaratë për Deutsche Wellen se "formimi i OUS mund të shihet si përfundim i një misioni të papërfunduar. Opozita është marrë tepër pak me zgjedhjet e fundit jolegjitime në Serbi, që kanë rezultuar me një parlament të orkestruar nga vullneti i "perandorit", e këto zgjedhje nuk janë shprehje e vullnetit të zgjedhësve. Por në këtë subjekt janë futur tani edhe disa të cilat ekzistojnë vetëm në mënyrë fiktive, në letër“, pohon Milivojeviq.

Ai thotë se opozita ndoshta di diçka më shumë sesa populli, por ky hap mund të shihet vetëm si përgatitje për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato lokale në Beograd. Opozita do të përgatitet sepse është e mundur që të kemi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Milivojeviq mendon se do të kishte qenë më mirë, sikur opozita të ishte bashkuar para dy vitesh, për të drejtuar pakënaqësinë qytetare në Serbi, e jo për manovrime politike.

Frankreich Paris | Aleksandar Vucic, Präsident Serbiens
Fotografi: Reuters/G. Fuentes

Opozita në gjendje të vështirë

Gazetari Slobodan Stupar e sheh subjektin e ri UOS si një përsëritje të bashkimeve të kaluara opozitare. „Opozita në Serbi po e gjen veten shumë vështirë në kushtet e tanishme. Mendoj se pa mbështetjen serioze nga Perëndimi, pa presione ndaj Vuçiqit dhe pa ndihmë direkte të opozitës, nuk do të ketë ndryshime serioze në Serbi", mendon Stupar.

Nuk jam i sigurt, shton ai, se cili është qëllimi i bashkimit të tanishëm opozitar. Por është e qartë se dallimet po shihen që në fillim mes subjekteve që e përbëjnë ate. „Mendoj se opozita duhet të rimendojë veprimin, sepse ajo që shohim tani është bashkim i subjekteve të dobëta, të cilat nuk do të mund të veprojnë në formë unike. Duhet të gjejnë ndonjë formë tjetër veprimi dhe të gjejnë një lider që mund t'i drejtojë", thotë Stupar.

Opozita vazhdon grindjet

Fillimi i subjektit të ri nuk premton shumë. Vetëm pak orë pas formimit, UOS është gjetur në shënjestër të kritikave brenda opozitës. Presidenti i SDS Boris Tadiq thotë se ai nuk është ftuar fare të jetë pjesë e këtij subjekti, por nuk do t'i bashkohej, sepse këtë subjekt e sheh si një "mungesë uniteti dhe jo dëshmi e unitetit“. Ndërsa një nga UOS thonë se Tadiqi e ka sulmuar këtë subjekt madje para vetë Vuçiqit.

Cvijetin Milivojeviq pohon se për momentin nuk janë të qarta as kriteriet për anëtarësim në UOS. Ndërsa grindjet e filluara menjëherë pas themelimit të UOS ai i sheh si "përplasje mes ish-bashkëpunëtorëve", sepse dikur të gjithë ata kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike dhe ate në funksione të larta. Kjo nuk është mirë, sepse pjesë e opozitës është edhe Boris Tadiqi, i cili nuk është ftuar në këtë subjekt. Ndërsa tani ata komunikojnë mes vete përmes kritikave në media.

Stupar pohon se problemi më i madh i opozitës është që ajo po pret që "Vuçiqi fillimisht të përfundojë problemet me Kosovën, e pastaj të shtojë presionin, me ndihmën e faktorëve të jashtëm“.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme

Serbien Belgrad Coronavirus | Proteste gegen neuen Lockdown vor dem Parlament | Polizeieinsatz
Protestat e 7 korrikut, BeogradFotografi: Getty Images/AFP/A. Isakovic

Milivojeviq mendon se opozita duhet të bashkohet rreth qëllimeve të caktuara, siç janë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale. „Ne jemi vendi i vetëm në rajon, e mbase edhe në Evropë, ku zgjedhjet mbahen njëkohësisht në të gjitha nivelet. Kjo me qëllim që të fitojë një subjekt politik, në këtë rast partia e Vuçiqit. Kjo duhet të ndryshojë", thekson Milivojeviq.

Por ka dhe të tillë që mendojnë se krijimi i UOS ka për qëllim ndarjen definitive të tyre nga lëvizja Dveri, që në Serbi konsiderohet si lëvizje me orientime tepër nacionaliste djathtiste. Mendohet se këtu do të ketë mosmarrëveshje dhe konflikte të shumta. Milivojeviq e sheh si problem serioz faktin që Serbia nuk ka të djathtë moderne evropiane. Ndërsa angazhimi i vetëm i djathtistëve është që "Kosova të mbetet pjesë e Serbisë". Por qëndrime të ngjashme ndaj Kosovës kanë edhe shumë parti nga e majta dhe qendra politike. Ndaj këtu nuk shihet ndonjë dallim serioz mes këtyre subjekteve.