1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Irak punët mund të venë edhe më keq

10 Prill 2007

Demonstratat antiamerikane në Irak, në përvjetorin e marshimit të trupave aleate në këtë vend, tërheqin vëmendjen e komentatorëve të shtypit gjerman të së martës.

https://p.dw.com/p/Arkm
Ushtarë amerikanë në Irak
Ushtarë amerikanë në IrakFotografi: AP

Në gazetën THÜRINGER ALLGEMEINE që botohet në Erfurt, për këtë temë lexojmë:

"Vetëm frika nga një kaos i plotë i bën amerikanët dhe pak aleatët e tyre që të mos largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga terreni (irakian). Sidoqoftë, qeveria dhe opozita në Uashington janë të paktën në një pikë të një mendimi: punët mund të venë edhe më keq. Qindra mijëra vetët, që ndoqën dje në Naxhaf thirrjen e predikuesit të urrejtjes el Sadr, tregojnë me vrullin e protestës se sa e dobët është qeveria irakiane dhe pushtuesi. Në një kohë që në perëndim dëgjon gjithnjë e më shpesh frazën cinike, po lërini të hanë kokat e njëri-tjetrit, çdo njeri që është marrë sado pak me temën e terrorizmit e di, se një tërheqje e shpejtë e trupave i vlen para së gjithash terrorizmit ndërkombëtar."

HEILBRONNER STIMME i bën këtë karakterizim gjendjes në Irak, pas eleminimit të dielën me vendim të qeverisë të 9 prillit, ditës së rrëzimit të bustit të Sadamit në kryeqyteti, si ditë feste për Irakun:

"Katër vjet pas fundit të regjimit të Sadam Huseinit, irakianët nuk kanë më asnjë shkak për të festuar. Por jo vetëm për këtë shkak u eleminua kjo ditë feste. Zyrtarisht, ky hap u ndërmor për të parandaluar trazirat, për të cilat ekzistonte droja. 9 prilli, një ditë fare normale pune? Me sa duket jo. Çfarë mund të konsiderohet normale në Irak katër vjet pas marrjes së pushtetit nga forcat e armatosura të SHBA dhe aleatët e tyre? Një ditë normale në Irak ka sot këtë pamje: ndalim qarkullimi, ndalime për të dalë nëpër sheshe, dyzina të vdekurish në atentate të ndryshme me bomba si dhe thirrje për dhunë."

Ja edhe mendimi i TAGESZEITUNG të Berlinit:

"SHBA ndodhen deri në grykë në baltën irakiane. Shtrohet pyetja se çfarë duhet të ndodhë, derisa udhëheqja e Uashingtonit të nxjerrë më në fund përfundime nga gabimet e saj. Shtimi i trupave ushtarake, i planifikuar nga presidenti i SHBA, Xhorxh Bush dhe përmbajtja e tij fort tek një strategji e dhunës vetëm do t'i shtojnë përmasat e katastrofës. Nëqoftëse SHBA duan të largohen vetëm me pak humbje, ato duhet të pranojnë dështimin dhe të paraqesin sa më shpejt që të jetë e mundur një plan të besueshëm tërheqjeje. Edhe nëse është e paqartë se çfarë do të pasojë."

Komentatori i gazetës DIE WELT bën një bilanc të gjendjes në Irak katër vjet më pas:

"Kur katër vjet më parë, në Bagdad u rrëzua statuja e Sadam Huseinit, për të gjithë botën, por para së gjithash për irakianët vetë u bë e qartë se tirani u mund. Bilanci katër vjet më vonë të bën esëll. Iraku në fakt është bërë vetëm pas pushtimit të tij fushë beteje, vend i interesave egoiste për pushtet dhe i çmendurisë fetare. Shiitët e shtypur në mënyrë radikale nga Sadami marrin hak ndaj sunitëve për poshtërimet e përjetuara, sunitët mbrojnë me brutalitet të madh privilegjet e vjetra. Një vend i përfshirë nga lufta civile, katër vjet pas çlirimit të tij.

Eshtë e vërtetë: u bënë gabime. Vetëm pushteti ushtarak nuk sjell siguri, pa të cilën nuk mund të ketë paqe...askush nuk kishte një projekt për Irakun e ri, i cili përbëhet etnikisht dhe nga pikëpamja fetare prej tri pjesësh dhe që krijonte një njësi me detyrim vetëm nën grushtin e Sadamit. Askush nuk qe në gjendje të parashikonte se si do të vepronte një shoqëri e gërryer pjesërisht me liritë personale të fituara papritur, se si do të vepronte një elitë e re pushteti me legjitimitetin demokratik."

Dhe së fundi, mendimi i analistit të gazetës që del në Bilefeld (Bielefeld), NEUE WESTFÄLISCHE:

"Lufta e Irakut ishte etiketuar vetëm si një fushatë kundër terrorizmit. Edhe si e tillë ajo ka dështuar krejtësisht. Si përfundim, lufta e Irakut u dha shtysë dhe justifikim shtesë fundamentalistëve të gatshëm për dhunë. Rreziku nuk është i vogël që edhe në Afganistan, terrori i humbësve t'i shkatërrojë të gjitha shpresat për një të ardhme. Edhe në këtë vend, pas pesë vjetësh nuk ka shumë për të kremtuar."