1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në dorën e Zotit!

Christoph Heinzle5 Shtator 2007

Në 5 shtator 1997 dhjetë vjet më parë ndërroi jetë nënë Tereza. Mbajtësja e çmimit Nobel për paqen arriti moshën 87 vjeç.

https://p.dw.com/p/BbRG
Nënë TerezaFotografi: AP

Misionaret e urdhrit të Nënë Terezës "Dashuria për tjetrin"

Në moshën 18 vjeçare ajo shkoi në Kalkuta të Indisë si murgeshë e një urdhri fetar, punoi në lagjet e varfëra dhe u kthye në simbolin e dashurisë për tjetrin. Urdhri që ajo themeloi në Kalkuta mori gjithashtu emrin "Misionaret e dashurisë për tjetrin". Edhe dhjetë vjet pas vdekjes së Nënë Terezës urdhri i saj vazhdon të jetojë.

Kaligati, vendi më i dashur i nënë Terezës. Atje më të varfërit e Kalkutës duhet të vdesin me dinjitet. Haripad Das dergjet në mes të sallës së madhe, një nga rastet e pashpresa mes 50 burrave me turbekuloz në stadin final:"Dikush më solli këtu për shkak të sëmundjes sime të rëndë. Unë nuk dua ilaçe. Do të ishte më mirë nëse do të vdisja. O Zot, unë dua të vdes" - thotë Das.

Përkujtim në shtëpinë e nënës së misionareve. Llampa neoni me dritë të fortë ndriçojnë dhomën e zhveshur ku ndodhet varri i Nënë Terezës. Këtu çdo gjë është thuasje si në kohën kur Nënë Tereza jetonte, thotë me krenari motër Nirmala, pasuesja e saj në krye të Urdhrit: "Nuk është bërë asnjë ndryshim, e njëjta punë vazhdon si më parë me të njëjtin përkushtim. Ne vetëm e kemi zgjeruar aktivitetin tonë. Puna për më të varfërit e të varfërve mbetet e njëjtë."

Rreth 5.000 motra të urdhrit të Nënë Terezës punojnë sot në 134 vende. Urdhri ka nën patronazh 760 shtëpi, një e katërta më shumë se përpara vdekjes së Nënë Terezës para dhjetë vjetësh. Dhe ai vazhdon të zgjerohet më tej. Motër Nirmala thotë: "Kjo është puna e Perëndisë."

Këtu në tokë ndodhet vetëm selia përfaqësuese, mendon ajo. Mbi këtë rend të përcaktuar mirë motrat janë të bindura.

Më 26 gusht Urdhri në Kalkuta festoi si zakonisht ditëlindjen e Nënë Terezës. Atë të djelë ajo do të ishte bërë 97 vjeç. Faktin që shkrimet private të themelues së Urdhrit ritheksojnë dyshimet e saj në besim, pasuesja e Nënë Terezës, motër Nirmala e komenton shkurt. Kjo është pjesë e jetës së saj spirituale që nuk e cënon aspak proçesin e shenjtërimit, thotë ajo: "Le të lëvdojmë e të falenderojmë Zotin për jetën e Nënë Terezës dhe për jetën tonë. Ne i lutemi Zotit të na bekojë dhe i lutemi Nënë Terezës të lutet për ne në mënyrë që edhe ne të bëjmë diçka të bukur për Perëndinë në jetën tonë."

Shishu Bhavan, streha e fëmijëve e Nënë Terezës

Pak më larg shtëpisë së Nënë Terezës ndodhet Shishu Bhavan, streha e fëmijëve e Nënë Terezës. Më shumë se 300 fëmijë qëndrojnë atje derisa gjenden për ta prindër adoptivë. Disa prej fëmijëve janë me të meta. Të gjithë janë sjellë në jetë pa dëshirë nga nëna të reja, beqare, të varfra të cilat në shumicën e rasteve lindin në këto shtëpi. Më mirë se aborti, thonë motrat të cilat janë edhe kundër mjeteve kontraceptive. Me ndihmën e bamirësisë këtu ndiqet një politikë konservative, mendojnë kritikët. Motrat mendojnë megjithatë se ndryshe nga ndërmjetësit e tjerë të adoptimeve ato nuk interesohen për para dhe biznes. Në rradhë të parë ato interesohen për gjetjen e prindërve që t'u falin fëmijëve dashuri.

Në strehën e fëmijëve punon edhe motër Andrea. Gjermanja nga Frajburgu erdhi tek Nënë Tereza në vitin 1959. Me dëshirën e Nënë Terezës ajo u bë mjeke. Motër Andrea e kundërshton akuzën se tek misionaret e dashurisë për tjetrin ka mangësi në kujdesin mjekësor: "Ne asnjëherë nuk do të kemi spitale të mirëfillta. Ne do të përpiqemi përsa është e mundur të bëjmë jashtë spitaleve çdo gjë është e mundur për t'u ardhur njerëzve në ndihmë. Ne duhet të mbetemi të lira për të shkuar pranë familjeve, të varfërve dhe pranë njerëzve në rrugë. Nënë Tereza thoshte gjithnjë:"Qëndroni në rrugën që Zoti ka planifikuar për ne. Të tjerët kanë rrugë të tjera, por për ne kjo është rruga e paracaktuar."

Trashëgimtaret e Nënë Terezës ia ndalojnë vetes planet konkrete mbi të ardhmen e strukturës dhe zgjerimit të Urdhrit. Motoja e tyre vazhdon të jetë: "Gjithçka është në dorë të Perëndisë."