1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në 100-vjetorin e shkrimtarit të mirënjohur irlandez Samuel Beckett

Pandeli Pani16 Prill 2006

Me veprat e tij Becketti zgjeroi mundësitë e dramës dhe të letërsisë përmes përdorimit të elementeve groteske, simbolikës dhe vendosjes së personazheve në situata reflektimi të brendshëm.

https://p.dw.com/p/AsFx
Samuel Beckett më 23. 09. 1967 gjatë provave për pjesën "Loja e fundit" në teatrin Schiller në Berlin
Samuel Beckett më 23. 09. 1967 gjatë provave për pjesën "Loja e fundit" në teatrin Schiller në BerlinFotografi: dpa

Shkrimtari i mirënjohur irlandez Samuel Beckett ka shkruar një numër të madh romanesh, tregimesh, skenaresh apo pjesësh teatrale. Ndër më të njohurat janë "Duke pritur Godonë" (1952) si dhe "Loja e fundit" (1957). Me veprat e tij ai njëkohësisht e mrekullonte dhe e turbollonte publikun, e provokonte dhe e bënte shpesh edhe të kruante kokën nga habia. Pjesa më e shkurtër e Beckettit është "Breath", e cila zgjat vetëm 35 sekonda. Në vitin 1969 Beckett u nderua me çmimin nobel për letërsinë.

Në Dublin ditëlindja e shkrimtarit po festohet me një festival në të cilin po shfaqen të gjitha dramat e autorit. Ndër pjesët e shfaqura është edhe "Eh Joe" (Hej Xho).
Pjesën "Eh Joe" Samuel Becketti e shkroi në vitin 1965. Ishte koha kur artistët e parë të zhanrit të instalimeve dhe videoinstalimeve kishin filluar të bëheshin aktivë. Skena hapet dhe në të shihet një dhomë e vogël në të cilën shihet i vetmuar një burrë i moshuar, që mbyll dritaren për të qenë i sigurt që është vetëm në dhomë dhe që dëgjon gjatë gjithë kohës zërin e një femre. Ky zë e bën fajtor për fatin e ish të dashurës së tij dhe i bën të qartë se në ç'gjendje të pashpresë ndodhet. Burri nuk thotë asnjë fjalë dhe i vetmi aksion në këtë pjesë realizohet përmes kameras, e cila lëviz në pauzat kur nuk flet gruaja për t'u afruar gjithnjë e më tepër tek personazhi. Në fund kamera fiksohet tek fytyra e tij, ndërkohë që zëri i femrës vazhdon t'i flasë.

Samuel Beckett lindi më 13 prill të vitit 1906 në një familje të mesme protestante në Dublin. Nga viti 1923- 1927 studio romanistikë në Trinity College në Dublin. Pas përfundimit të studimeve shkoi për të punuar si lektor për anglishten në Francë, ku u njoh me James Joyce. Gjatë kësaj kohe ai u morr edhe me krijimtari letrare, ndër të tjera edhe me lirikë. Më pas u kthye sërish në Irlandë, për të vazhduar sërish në Francë, Gjermani dhe Angli. Së fundi Becketti u vendos në Francë, ku kaloi edhe pjesën më të madhe të jetës, deri sa vdiq.
Pas nderimit me çmimin nobel, ai u tërhoq gjithnjë e më tepër deri sa thuajse u zhduk prek perceptimit të opinionit të gjerë. Madje në vitin 1989 kur Becketti vdiq, shumëkush u çudit, që ai ishte ende gjallë.

Fama e Beckett-it bazohet sot kryesisht tek drama "Duke pritur Godonë", titulli i së cilës është shndërruar në shumë gjuhë në shprehje frazeologjike, që përdoret edhe nga njerëz që nuk e dinë as se kush ishte Becketti dhe as Godoja. Shkak për këtë është ndër të tjera vetë përmbajtja e veprave të tij, të cilat nuk janë të lehta për t'u përtypur prej gjithëkujt, ngaqë nuk përmbajnë një vijë të qartë veprimi dhe historie, përshkruhen nga një atmosferë boshësie, mungese qëllimi dhe kuptimi, ndjenja e tejngopjes dhe e bajatosjes, vaniteti dhe mungesa e perspektivës.