1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190810 Griechenland Beamte Zählung

19 Gusht 2010

Të punësuarit nga shteti në Greqi duhet të tremben për vendin e punës. Qeveria greke është duke i numëruar për të gjetur se ku mund të bëhen shkurtime. Një reformë që ka vite që ka filluar do shkojë deri në fund.

https://p.dw.com/p/OrNJ
Qeveria greke numëron të punësuarit në shtet
Qeveria greke numëron të punësuarit në shtetFotografi: AP

Me qëllim të uljes së numrit të madh të nëpunësve shtetërorë, qeveria greke ka shpallur reforma të rëndësishme në administratën publike. Sipas të dhënave zyrtare, në shtet janë të punësuar saktsisht 768.009 grekë e konkretisht: në ministri, në parlament, si gjyqtarë, profesorë, policë dhe ushtarë mercenarë. Gjithsesi, brenda kësaj shifre nuk përfshihen zyrtarët e sektorit të shërbimeve publike.

Projekti për regjistrimin e zyrtarëve po konceptohet qysh prej dhjetë vjetësh e megjithatë ai është shtyrë vazhdimisht. Ndërsa tani qeveria socialiste nën Jorgos Papandreu do ta çojë deri në fund procesin e numërimit të të gjithë nëpunësve, në mënyrë të krijohet një pasqyrë të qartë për aparatin e fryrë dhe të kushtueshëm të burokracisë.

Ministria e financave
Ministria e financaveFotografi: AP

Dimitris Polichroniadis është i indinjuar nga politikanët, sepse të ardhurat e tij do të reduktohen me 20 për qind, inflacioni rekord prej 5,5 përqind i heq atij nga dora pjesën e rrogës që i mbetet, e tani atij i duhet të paguajë edhe për numërimin e nëpunësve për shkak të krizës buxhetore, ankohet mësuesi nga Athina.

Ai u regjistrua pa dëshirë në Ministrinë e Financave menjëherë sapo qeveria greke shpalli si kusht se atij që nuk bashkëpunon për regjistrim do t' i pritet rroga në të ardhmen.„Tani duhet të kemi frikë për humbje të mëtejshme të të ardhurave” - ankohet kryefamiljari 45 vjeçar, Polihroniadis.

« Sipas meje, numërimi zyrtar është vetëm një justifikim për përgatitjen e një masakre në tregun e punës dhe për të krijuar një frymë kundër zyratrëve "gjoja dembelë". Mijëra njerëz do të humbasin vendin e punës edhe në sektorin e shërbimeve publike. »

Për dekada të tëra adminsitrata në Greqi ka qënë e fryrë. E megjithatë kur diçka shkonte keq në këtë sektor, thuhej gjithmonë, se kjo ndodh pë rmungesë personeli. Në fakt ky interpretim në një pikë është i drejtë, sepse ka sektorë të veçantë ku vërtetë ka mungesë personeli. E pikërisht për të shmangur këto disnivele numërimi mund të jetë i dobishëm. "Neglizhimet në administratë janë përgjegjësi e politikës", mendon mësuesi. Shpesh herë nëpunësit nuk zgjidhen sipas kualifikimit, por në bazë të teserës së partisë. "Në të kaluarën, të gjitha qeveritë kanë ndjekur të njëjtën politikë, duke abuzuar me shtetin si me një mall privat. Secila parti punëson simpatizantët e vet dhe për këtë merr votat në zgjedhjet pasuese."

Policët në grevë, korrik 2010
Policët në grevë, korrik 2010Fotografi: AP

Po kështu mendon edhe Leandros Rakintzis, Inspektor i Përgjithshëm për Administratën Publike, në Greqi. Edhe pse 72 vjeç ai punon pa u lodhur kundër korrupsionit në administratë. Ai kritikon para së gjithash faktin se vendet e punës në administratë jepen si dhurata elektorale, siç ndodhi edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. "Pak para zgjedhjeve, kompania e tramvajit në Athinë shpalli 72 vende vakante pune, që duhej të ziheshin menjëherë, ndonëse ky sektor mund t' ia dilte edhe me më pak punonjës. Në fund u punësuan 150. Kjo ishte mëse qartë një dhuratë elektorale“

Ish-gjyqtari i dikurshëm Rakintzis mendon se në Greqi do mund të shkurtohet gjysma e nëpunësve në sektorin publik. Ai e përshëndet aksionin e numërimit dhe habitet se përse shtetit u kujtua kaq vonë për ta bërë këtë.

Kësaj pyetjeje beson se është në gjendje t' i japë përgjigje Konstantinos Argirou, drejtor sektori në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe përgjegjës për numërimin e zyrtarëve. Ai si një nëpunës i shkollës së vjetër me koretzi lë të nënkuptohet, se jo gjithmonë funksionon si duhet bashkëpunimi midis instancave shtetërore:„Qysh prej dhjetë vjetësh në zhvillojmë bisedime se si mund të përpilohet saktë numri i nëpunësve të shtetit. Kjo nuk është e lehtë. Ministria e Financave nuk lejohet të na verë ne në dispozicion të dhëna të rëndësishme, të tjera autoritete nuk kanë ende sistemin e përpunimit elektronik të të dhënave, pra ne na është dashur të luftojmë vazhdimisht me vështirësitë."

Protesta, korrik 2010
Protesta, korrik 2010Fotografi: AP

Pas aksionit të numërimit, qeveria e Papandreut paratë që do të kursehen nga shfryrja e burokracisë në administratë do t' i shfrytëzojë për të përballuar më në fund vënien nën kontroll të korrupsionit në jetën e përditshme. Dimitris Polichroniadis ka dyshim, nëse me këtë do t' i dilet mbanë. Sepse pikërisht shteti shpesh herë është ai që i mbyll sytë kundrejt korrupsionit, veçanërisht atëherë, kur rrogat e ulëta i detyrojnë shumë nëpunës që të kryejnë punë ilegalisht, mendon mësuesi Polichroniadis. « Kjo është sikur shteti të na thoshte ne: 'O.K., ju mësuesit paguheni pak, por ju keni mundësinë të jepni edhe mësim privatisht, duke mos i deklaruar të ardhurat shtesë, e në këtë mënyrë mund ta përballoni jetesën'. Shumë kolegë kështu veprojnë."

Ai vetë nuk vepron kështu, përbetohet Polichroniadis. Ai e ka ditur qysh përpara, se mësuesit nuk fitojnë mirë, e megjithatë me vetëdije të plotë vendosi për këtë profesion. Përveç kësaj, ai beson tek zhvillimi përmes arsimit dhe do që si mësues të japë shembullin e mirë.

Përderisa tani ai nuk ka para për të kaluar pushimet e verës, ai shfrytëzon sezonin e verës për të shkruar punimin e masterit. Ai shpreson për kohëra më të mira në Greqi.

Autor: Jannis Papadimitriou/ Ajete Beqiraj

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora