1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk është ende gati ftesa për Shqipërinë në NATO

Viron Gjymshana19 Tetor 2007

Shefi i Aleancës Atlantike, Jap de Hop Skefer pas takimit që zhvilloi me presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, deklaron se është ende herët për të garantuar se ftesa do të mbërrijë për samitin e Bukureshtit.

https://p.dw.com/p/Bsdn
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop SkeferFotografi: AP

Bisedimet ndërmjet Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jap de Hop Skefer (Jaap de Hop Scheffer) dhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi rrokën të gjitha çështjet me rëndësi dypalëshe por edhe rajonale.

Por kryetema e këtyre bisedimeve kishte të bënte me mundësinë që Shqipëria së bashku me Kroacinë e Maqedoninë të ftoheshin për t’iu bashkëngjitur Aleancës Atlantike në samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s që do të mbahet prillin e ardhshëm në Bukuresht të Rumanisë.

Pa mohuar një mundësi të tillë, madje duke deklaruar se deri atëhere, ka ende shumë muaj përpara, shefi i NATO-s megjithatë pohoi se deri më sot ftesa që duhet t’i drejtohet Shqipërisë nuk është ende gati.

Zyrtari i lartë i NATO-s pasi përshendeti bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Aleancës Atlantike në misionet ushtarake të Aleancës e vuri theksin në nevojën e vënies në jetë praktikisht të reformave të domosdoshme për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Reforma në sistemin gjyqësor, ajo e sistemit zgjedhor dhe sidomos kultura politike në vend dhe marrëdhëniet pozitë – opozitë do ndikojnë në vendimin e pritshëm të Aleancës Atlantike - nënvizoi ai.

Nga ana e tij, presidenti i Shqipërisë vuri në dukje angazhimin tërësor të shtetit shqiptar për te realizuar reformat e nevojshme për t'u anëtarësuar në NATO. « Shpresojmë se do të ftohemi gjatë samitit të Bukureshtit, por ne do të vazhdojmë të punojmë me ngulm për këtë objektiv edhe në rast se gjatë këtij takimi nuk do të marrim ftesë » - nënvizoi Bamir Topi.

Skefer dhe Topi u shprehën edhe ndaj situatës në rajon dhe zgjidhjes së statusit të Kosovës. Shefi i NATO-s u shpreh se Alenaca Atlantike mbështet plotësisht misionin e udhëhequr nga Treshja ndërkombëtare për të arritur në një zgjidhje, ndërsa presidenti shqiptar deklaroi se zgjidhja më e mundshme mbetet plani i Marti Ahtisarit.