110809 interview lammert weimarer verfassung
11 Gusht 2009DW: Kushtetutës së Vajmarit, kushtetutës me të cilën u vendosën themelet e demokracisë në tokën gjermane, i është vënë faji kryesor për dështimin e Republikës së Vajmarit. Mësimet e Vajmarit u kthyen kështu në instrumenta të të menduarit në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas sundimit të nazistëve. Prandaj pyetja e parë për zotin Lammert ishte: a ka në të vërtetë ndonjë pikë, në të cilën ne nuk kemi nxjerrë mësime nga Vajmari?
'Përpjekja për një fillim të ri pas Luftës së II-të Botërore është orientuar në përvojat e dështimeve në Vajmar'
Norbert Lammert: Me siguri që do të ishte pak e guximshme po të doja të ngrija pretendimin, se ne i kemi mësuar pa përjashtim të gjitha leksionet tona. Por përpjekja për të ndërmarrë një nisje të re në epokën e politikës moderne - pas Luftës së II-të Botërore është orientuar gjithnjë në përvojat e dështimeve nga Vajmari. Kjo vlen si kur flitet për tekstin e kushtetutës ashtu edhe për praktikën politike, mësimet nga Vajmari janë një shoqëruese e përhershme e Republikës së dytë gjermane.
DW: A ka një nen të kushtetutës, për të cilin do të thoshit se mësimet e Vajmarit janë vjetëruar tani 90 vite më vonë?
'Kemi një dallim esencial mendësie të Republikës së dytë nga Republika e parë gjermane dhe kjo ka të bëjë me nivelin e kompromiseve'
Norbert Lammert: Përvojat nuk mund të konsiderohen kurrë të kapërcyera. Ndoshta ato kanë qenë të pranishme në një masë më të madhe se në ndonjë rast tjetër tek vetëdijësimi publik ose në modelet e sjelljes së klasës politike. Unë shpresoj përshembull se kemi një dallim esencial mendësie të Republikës së dytë nga Republika e parë gjermane dhe kjo ka të bëjë me nivelin e kompromiseve. Kjo është diçka që nuk rregullohet me tekstet e kushtetutës, por pa aftësinë dhe gatishmërinë për kompromise një sistem demokratik nuk është i aftë për veprim.
DW: Ligjvënësit kanë bërë bashkëpërgjegjëse demokracinë e Vajmarit dhe po ashtu Kushtetutën e Vajmarit për ngritjen e Hitlerit, prandaj kanë kufizuar demokracinë e drejtpërdrejtë. Kështu që asnjë organ kushtetues në Gjermani nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, gjysma e vendeve në parlament zihen përmes listave nga partitë. Zoti Lammert a nuk ka ardhur koha që të rimendohen këto gjëra?
Norbert Lammert: Së pari: Bundestagu gjerman zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Ai është organi kushtetues, i cili merr legjimitetin e tij drejtpërdrejt nga zgjedhja e popullit.
DW: Por që të jemi të qartë, listat e landeve caktohen nga partitë?
Edhe pse zgjedhësit në nivelin komunal nuk ndikojnë një renditjen e kanditatëve në listat partiake, kjo nuk ndryshon asgjë në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të një parlamenti nga zgjedhësit
Norbert Lammert: Po, kjo është e vërtetë dhe kjo nuk është një prej pyetjeve të reja, por për mua është një prej pyetjeve legjitime. Edhe pse zgjedhësit në nivelin komunal nuk kanë mundësi që të ndikojnë në renditjen e kanditatëve në listat partiake, prapëseprapë kjo nuk ndryshon asgjë në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të një parlamenti nga zgjedhëset dhe zgjedhësit.
Autor: Bettina Klein/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi