1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një grup nxënësish shqiptarë dhe serbë punojnë së bashku për një projekt teatror me premierë në 27 shtator në Tiranë

25 Shtator 2010

Projekti zhvillohet në nisje të agjendës së Javëve të Kulturës Gjermane. “Emili dhe detektivët” i Kästnerit, një roman i dramatizuar dhe ekranizuar në disa variante, është një vepër mjaft e njohur në shkollat gjermane.

https://p.dw.com/p/PMgO
Regjisori Stefan Neugebauer me grupin e nxënësve shqiptaro-serbë gjatë provave për vënien në skenë të veprës "Emili dhe detektivët".Fotografi: DW

Grupi prej 13 nxënësish të përfshirë në projektin teatror është vendosur në ambientet e Fondacionit “NEHEMIA”, në komunën Buçimas, rreth 3 km larg qytetit të Pogradecit. Ata sapo kanë mbyllur punën në tavolinë dhe tashmë janë duke bërë prova në një skenë të improvizuar. Regjisori gjerman Stefan Neugebauer e ka projektin e tij të tretë kulturor në Shqipëri. Me idenë se veç realizimit të premierës dhe dhënies së disa shfaqjeve ne rrethe të ndryshme të Shqipërisë, ky është rast i volitshëm, thotë ai për DW-në, që ata të marrin njohuri bazike mbi interpretimin teatror, të shkëmbejnë përvoja dhe mendime mes tyre.

Dua të them se si gjithmonë nuk është e lehtë një punë e tillë, pasi pjesa më e madhe e kanë për herë të parë kontaktin me skenën. Nuk dinë se si të lëvizin dhe të sillen. Duhet t'ua tregosh gjithçka edhe disa herë, por më besoni se brenda 10 ditëvë që punojmë së bashku ata kanë ndryshuar shumë. Mosha e tyre është mjaft reflektive. Ata mësojnë shumë edhe nga njëri – tjetri. Janë pa përvojë në fushën e teatrit, por shumë të vëmendshëm dhe të dëshiruar që të mësojnë më shumë në këtë zhanër. Nuk e ekzagjeroj kur them se ata hapur shfaqin sjelljen e të qenit para një sfide që duhet ta kalojnë me sukses. E di që koha që kemi në dispozicion për këtë projekt teatror është e shkurtër, por pres që ata do ta realizojnë."

Njëri ndër organizatorët e këtij projekti, Wolf Diekmann, si përfaqësues i Institutit Gëte, më thotë se mjaft e rëndësishme gjatë këtyre ditëve është dhe koha që kalojnë pas provave. Nuk ka patur asnjë problem integrimi për pjesatarët e grupit, aq sa të duket sikur ata kanë pasur një kohë të gjatë duke qëndruar kështu bashkë, dhe jo pak më shumë se një javë, thotë Diekmann për DW-në.

Balkan Jugend
Wolf Diekmann, njëri nga organizatorët e projektit.Fotografi: DW

"Ju i shikoni në tavolinë ku ata janë ulur. Nuk rrinë të veçuar, p.sh. vetëm serbët të jenë bashkë. Jo, ata janë të gjithë duke komunikuar, kështu ndodh edhe kur luajnë, kur dalin në qytet, apo në kohën e ngrënies. Tregojnë histori nga më interesantet nga shkollat ku vijnë. Që nga fillimi i punës i kemi pasur bashkë."

Përbërja e trupës teatrore është vetëm me nxënës nga Shqipëria dhe Serbia. Për arsye krejt teknike nxënësit e planifikuar të vinin nga Kosova nuk arritën të marrin pjesë. Milica është nga pjesa veriore e Serbisë dhe mëson në klasën e 8. Tregon me sinqeritet se kur mësoi fillimisht për projektin që zhvillohej në Shqipëri, vetë, por dhe nga njerëzit e familjes kishte një ngurrim për të konfirmuar pjesëmarrjen. Tani më duket se kjo nuk ka ndodhur kurrë, thotë ajo duke qeshur. "Ia kalojmë mirë dhe jam e kënaqur që jam mes këtyre shokëve e shoqeve të këndshëm”.

Balkan Jugend
Nxënësja Milica SamacFotografi: DW

Si për të më bindur për konsideratat ajo përmend emrat e miqvë e mikeshave nga Shqipëria, si të Reit, Vasilit, Kevinit, Erisës, Arnoldit etj., dhe sigurisht bashkëatdhetarëve të saj, Darkos e Dejanit. Shumë përshtypje nxënëseve nga Serbia iu ka bërë përmbajtja e programeve mësimore që zhvillojnë vërsnikët e tyre nga Shqipëria, duke dalluar mjaft elemente të përbashkëta, por edhe dallime.

Balkan Jugend
Pjesëmarrësja BlertaFotografi: DW

Blerta ndihet në rolin e mikpritëses qysh ka nisur projekti. Ajo është nxënëse tek NEHEMIA dhe përpiqet që si miqve nga Serbia, por dhe atyre që kanë ardhur nga Tirana e Shkodra t'u qëndrojë afër për çdo kërkesë që kanë në të gjithë pjesën kohore pas angazhimit me përgatitjen e pjesës tetarore. "Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne, duke qëndruar me shokë që më parë nuk i njihnim. Në fakt është një gjë e mirë të bësh shokë të rinj. Kur kemi dalë nëpër qytet ne i kemi çuar në vendet më të bukura, buzë liqenit të Ohrit."

Balkan Jugend
Mësuesi i gjermanishtes Milan MundriçFotografi: DW

Milan Mundriç, mësues i gjermanishtes në Serbi, shikon një element tjetër të dobishëm të pjesëmarrjes së fëmijëve në këtë projekt teatror. Sa i takon atyre dialogëve që do te interpretohen në gjuhën gjermane, ai thotë për DW se ky është një ushtrim praktik për nxënësit në përvetësimin e gjuhës. “Gjatë provave, kur ata janë në kohën e lirë komunikimi mes tyre dhe me regjisorin në gjuhën gjermane jep ndikim pozitiv. Pasi është praktikë e veçantë për stadin aktual të njohurive që ata kanë”.

Pjesa teatrale “Emili dhe dedektivët”, bazohet mbi romanin me të njëjtin titull të shkruar qysh në vitin 1929 nga Erich Kästner. Kjo është një vepër mjaft e njohur në shkollat në Gjermani duke u dramatizuar dhe ekranizuar në dhjetëra variante në periudha të ndryshme kohore. Stefan Neugebauer ka bërë një përshtatje duke e sjellë Emilin në Shqipëri. Sipas variacionit të Neugebauerit, Emili, që është me origjinë nga Shqipëria, viziton të afërmit e tij në Gjermani.

Por gjatë rrugës një bashkëudhëtar i vjedh atij paratë dhe këtu nis dhe aventura e tij dhe e një grupi shokësh në ndjekje të hajdutit. Pjesa krijon kolorit personazhesh dhe situate në dinamikë. Duke u interpretuar në disa gjuhë, me format e shprehjes dhe të lëvizjeve që ka zgjedhur regjisori, ajo është e kapshme nga shikuesit.

Mbështetës të projektit teatror “Emili dhe dedektivët” janë Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, Instituti Gëte dhe Fondacioni NEHEMIA.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj