1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një bilanc i suksesshëm i "Tetorit Gjerman" në Shqipëri

30 Nëntor 2010

“Tetori Gjerman 2010” në Shqipëri është mbyllur fundjavën e kaluar. Për dy muaj rresht në Tiranë dhe disa rrethe të vendit u zhvilluan veprimtari të karakterit historik e kulturor

https://p.dw.com/p/QLpk
Ambasada gjermane në Tiranë
Ambasada gjermane në TiranëFotografi: DW

Edicioni që sapo është mbyllur i “Tetorit Gjerman 2010”, sipas njërit prej organizatorëve kryesorë të tij, Atasheut të Kulturës në Ambasadën Gjermane në Tiranë, Harald Schindler, pati në fokus 20 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë. Sipas tij kjo ishte si një pikë fillese për t'u kthyer mbrapa në zhvillimet në Shqipëri e Gjermani në dy dekadat e fundit.

Shumë nga rreth 40 aktivitetet gjatë ‘Tetorit Gjerman' shqyrtuan faktin se si të dy vendet përballen me të shkuarën komuniste dhe eksperiencat respektive nën diktataturë. Disa nga këto çështje dolën në pah gjatë një paneli diskutimi mbi hyrjen e refugjatëve brenda ambjenteve të Ambasadës Gjermane në Tiranë 20 vite më parë. Aktiviteti u zhvillua në një vend historik: tek Piramida në Tiranë, ku u mblodhën gjermanë dhe shqiptarë si dëshmitarë të kësaj periudhe të trazuar. Dy evente të rëndësishme ishin dhe ekspozita që hidhte dritë mbi negociatat dhe situatën politike rreth të ashtuquajturës marrëveshja ‘Dy plus Katër' që shënoi fundin e pasluftës në Europë dhe që përbënte një aspekt deciziv në procesin e bashkimit të Gjermanisë; gjithashtu një panel diskutimi në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë që nxori në pah diferencat në gjykimin e vlerësimin e të kaluarës komuniste dhe eksperienca e periudhës së diktaturës në Gjermani dhe në Shqipëri”.

Harald Schindler, Atasheu i Kulturës në Ambasadën Gjermane në Tiranë
Harald Schindler, Atasheu i Kulturës në Ambasadën Gjermane në TiranëFotografi: DW/Arben Muka

Tetori Gjerman 2010 shumë aktiv në fushën e kulturës

Harald Schindler, përmend për DW-në dhe shumë aktivitete të tjera si seminare, konferenca, prezantime nga studentët shqiptarë mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit. Ai e përshkruan “Tetorin Gjerman 2010” si mjaft aktiv në fushën e kulturës. Në kuadër të serive të përvitshme “Klasik” kuartetet Albhia dhe Dejean veç performancës në Tiranë ato ishin prezente me shfaqje dhe zhvilluan workshop-e dhe në qytete të tjera të vendit. U zhvilluan shfaqje teatrale, filma, aktivitete nga letërsia si dhe u mbajt konferenca vjetore e mësuesve të gjuhës gjermane.

Studiuesi i arteve pamore Gëzim Qendro vlerëson kualitetin e veprimtarive kulturore të zhvilluara gjatë dy muajve.

Nga një aktivitet i ambasadës gjermane dhe Institutit Gëte në Tiranë
Nga një aktivitet i ambasadës gjermane dhe Institutit Gëte në TiranëFotografi: DW

“Mendoj se në një jetë kulturore të varfër siç ka Tirana këto veprimtari cilësore kanë impaktin e tyre. E vërteta është se kam parë një publik shumë cilësor, njerëz që duan të shijojnë vepra jo të zakonta. Nuk janë aktivitete që ndodhin çdo ditë dhe kërkohet një publik i përzgjedhur. Pra mendoj se këto aktivitete nuk duhet të maten më shumë me numrin e pjesmarrësve se sa me cilësinë e publikut. Dhe cilësia e tij mendoj se ka qenë e lartë”.

Harald Schindler, Atashe i Kulturës në Ambasadën Gjermane në Tiranë veçon dhe “Oktoberfest”, që mblodhi bashkë shqiptarët dhe gjermanët në një festë birre të gëzueshme dhe plot surpriza, si dhe dy aktivitetet që ishin fokusuara në zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve e prezantimin e projekteve në afër dy dekada nga GTZ-ja, KfW-ja etj.

Gazetarët të pranishëm në projektet e përbashkëta gjermano-shqiptare

Si pjesë e ‘Tetorit Gjerman' udhëtimi me median iu dha mundësinë gazetarëve shqiptarë që të shikonin nga afër një sërë projektesh të zhvillimit të bashkpëunimit gjermano - shqiptar në jug të vendit. Në këtë mënyrë ata morrën informata plotësuese në terren dhe patën rastin të bisedonin e të intervistonin dhe ambasadoren gjermane Carola Müller-Holtkemper. Gazetarët vizituan dy hidorcentralet e rehabilituara në Bistricë, dy nënstacionet e energjisë elektrike në Gjirokastër e Sarandë, si dhe u njohën me projektet ekzistuese dhe ato të së ardhmes në fushën energjitike, në rikonstruktimin e sistemeve ujësjellës e të kanalizimeve në këto rrethe të vendit”, thotë Schindler për DW-në.

Armand Afezolli është njohës i gjuhës gjermane. Ai ka kryer specializime të ndryshme në Gjermani dhe së fundi është duke kryer një kualifikim akademik pranë Universitetit të Kaiserslauten-it. Ai ka ndjekur pjesën më të madhe të aktiviteteve të “Tetorit...” që u zhvilluan në Tiranë dhe shprehet se i ka bërë përshtypje angazhimi i nxënësve dhe studentëve më shumë se në edicionet e tjera. Gjithashtu dhe gjeografia e kalendarit u zgjerua me më shumë qytete të vendit, thotë ai për DW-në.

Tirana Universität deutsche Fakultät
Studentë nga departamenti i gjermanishtes në Universitetin e TiranësFotografi: DW

E vetmja gjë që do të nënvizoja për të ardhmen do të ishte e nevojshme dalja nga klishetë e krijuara për ‘Tetorin Gjerman' në 2-3 vitet e fundit. Mund të themi se edhe ky ‘Tetor..' ju përmbajt këtyre parametrave. Mendoj gjithashtu se aktivitete të tilla të mos mbeten vetem në këtë periudhë 2 mujore, por do të ishte më e ndikueshme që të shtriheshin në disa periudha kohore brenda vitit”.

Sipas Harald Schindler tashmë ka nisur puna për përgatitjen e edicionit të ri të “Tetorit Gjerman 2011”. “Në këtë moment unë mund të them që ai do të jetë ndryshe”, thotë Atasheu i Kulturës në Ambasadën Gjermane në Tiranë për DW-në.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi