160910 GB Papstbesuch
16 Shtator 2010Gjatë vizitës së tij Papa Benedikti i XVI nuk do ta ndiejë veten si në shtëpinë e tij . Britania e Madhe në parim është një vend shumë laik, ndikimi i fesë dhe kishës në shoqëri është shumë më i vogël se për shembull në Gjermani. Vetëm rreth dhjetë për qind e popullatës është katolike. Ateistë të njohur tani janë në qendër të vëmendjes - ata protestojnë kundër vizitës së Papës. Kështu thotë Keith Wood nga "Shoqata laike kombëtare": "Papa ka disa arsye për tu shqetësuar për shkak se ka zemërim dhe pjesërisht edhe inat për faktin që ai është ftuar për të përhapur pikëpamje të cilat me siguri nuk pranohen shumica e popullatës dhe ndoshta shumica e katolikëve."
Shteti britanik duhet të shpenzojë më shumë se 15 milionë euro për vizitën e dytë të një pape në Britaninë e Madhe - kjo për shumë britanikë konsiderohet si vizitë shumë e shtrenjtë. Kardinali skocez Keith O`Brein hedh poshtë kritikat e kundërshtarëve, Papa është ftuar nga mbretëresha dhe është e vetkuptueshme që ai që fton merr përsipër edhe shpenzimet. Kryeipeshkvi Vincent Nichols, kreu i kishës katolike të Anglisë mendon: "Unë jam goxha i sigurt dhe kjo është edhe përvoja ime nga komuniteti dhe bisedat e mia të përditshme në katedralën ëestminster se katolikët i gëzohen shumë kësaj vizite. Ata do ti shprehin Papa Benediktit mbështetjen e tyre."
Në bazë të anketimeve të fundit dy të tretat e popullatës britanike kanë shumë pak interes për vizitën e Papës në vendin e tyre.
Megjithë kritikat që vijnë nga ishulli Papa Benedikti i XVI ka shprehur gëzimin e tij për vizitën: "Unë gëzohem shumë për vizitën time në Mbretërinë e Bashkuar. Zoti i bekoftë njerëzitë në Britaninë e Madhe."
Autor: Torsten Huhn/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama