Një kandidat lufton kundër vetes
10 Janar 2013Peer Steinbrück është prej rreth 100 ditësh kryesuesi i listës zgjedhore për Partinë Socialdemokrate Gjermane (SPD). Në këtë kohë sfiduesi ka tërhequr vëmendjen vazhdimisht në mënyrë negative. Pas deklaratave të papërshtatshme ose të keqkuptueshme vlerat e tij në sondazhe të opinionit kanë rënë edhe më poshtë, siç ka vrojtuar Manfred Güllner i Institutit të Sondazheve të Publikut Forsa. Tetë muaj para zgjedhjeve parlamentare, në bisedë me DW-në, ai konstaton: "Nëpërmjet Steinbrück-ut SPD-ja është në një gjendje, ku duhet të ishte e lumtur po të arrinte 30 për qind." Për krahasim: Partia Demokristiane (CDU) orientohet aktualisht më shumë tek vlera 40 për qind.
A thua se nuk do që të bëhet kancelar
Nuk kisha për të pirë kurrë një verë të kuqe që kushton vetëm pesë euro, tha për shembull Steinbrück në një intervistë. Kush kërkon të bëhet kancelar i Gjermanisë si socialdemokrat, çorodit me një deklaratë të tillë ata zgjedhës, të cilëve nuk ua mban xhepi as një verë të kuqe kaq të lirë.
Natyrisht që mund të thuhet se edhe ministritë e fundit duhet t'i mbyllin filialet e tyre në ish-kryeqytetin Bon dhe të zhvendosen në Berlin. Por një kandidat për kancelar duhet ta dijë që kështu nuk fiton zgjedhës në landin me popullsi më të madhe, Renani Veriore / Vestfali.
Fakti që kancelari gjerman fiton pak krahasuar me një drejtor banke kursimesh, nuk është gjë e re. Por kur këtë e thotë dikush që do të bëhet kancelar, ai duhet ta ketë të qartë se i bën shumë dëm imazhit të vet. Në të njëjtën intervistë ai pati akuzuar Angela Merkel-in se përfiton prej "avantazhit të të qenit grua". Intervista të tilla krijojnë përshtypjen se kandidati do thjesht të fitojë shumë para dhe se ai gjithashtu nuk pranon humbje.
Kësisoj lind dyshimi se Peer Steinbrück minon në mënyrë të pandërgjegjshme fushatën e vet dhe nuk do vërtet të bëhet kancelar. Në fund të fundit ai është një politikan me përvojë dhe konsiderohet si me inteligjencë mbimesatare. Mirëpo hulumtuesit të opinionit Manfred Güllner i duhet të konstatojë: "Me çdo intervistë imazhi është bërë më negativ. Diferenca midis Merkel-it dhe Steinbrück-ut është më e madhe se kurrë."
Ka ende kohë
Si politologët ashtu edhe hulumtuesit e opinionit vënë në dukje faktin që deri në zgjedhjet parlamentare në shtator ka distancë të madhe, gjatë të cilës mund të ndodhin shumë gjëra. Por për shefin e institutit Forsa, Manfred Güllner, Peer Steinbrück i ka ngarkuar vetes peshë të rëndë: "Kur imazhi i tij dominohet nga etja për para, atëherë është e vështirë që të çlirohesh prej këtij imazhi."
Volker Kronenberg sheh sidoqoftë ende shanse për Peer Steinbrück-un. Për kandidatin ka për të pasur raste "ku ai mund të bëjë të qartë qëndrimin e tij [kundrejt kancelares], pa ju dashur që të pësojë zbritje pikësh." Dhe ai thotë se mbetet ende kohë e mjaftueshme: "Këtë e kemi përjetuar vazhdimisht, që gjërat kanë kthyer. Tetë a nëntë muaj janë një kohë shumë e gjatë."