Nahost Friedensbemühungen
11 Maj 2009Direkt pas deklaratës së pavarësisë izraelite në maj të vitit 1948 shumë vende arabe sulmuan shtetin e ri të sapo themeluar. Në këtë luftë të parë izraelito-arabe në vitet 1948-49 Izraeli arriti jo vetëm të mbrojë territorin, por edhe të zgjerojë kufijtë e parashikuar nga Kombet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë rreth 700 mijë palestinezë u larguan për në kampet e refugjatëve në Liban, në Jordani, në Egjipt si dhe në Jordanin Perëndimor. Lufta përfundoi përmes një armëpushimi, por jo përmes ndonjë marrëveshjeje paqeje. Në vitet e mëpasme luftra të tjera vazhduan mes Izraelit dhe shteteve të ndryshme arabe, luftra gjatë të cilave Izraeli mundi të zgjeronte edhe më tej territoret e tij. Qysh në fillim marrëdhëniet izraelito-palestineze janë karakterizuar nga luftra, terrori dhe përpjekjet për paqe.
Në të ashtuquajturën „Lufta gjashtëditëshe“ në vitin 1967, Izraeli pushtoi gadishullin egjiptian Sinai, lartësitë Golan në Siri, pjesë të Jordanisë, Jordanin Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Dy vjet më vonë ministri i Jashtëm amerikan William Rogers, prezantoi në bazë të rezolutës 242 të Këshillit të Sigurimit planin e parë të përgjithshëm të paqes. Izraeli duhej të tërhiqej fillimisht nga territoret e pushtuara jashtë kufijve të parashikuara nga Kombet e Bashkuara dhe refugjatët palestinezë duhet të rivendoseshin në vendet prej nga u larguan. Megjithatë si Izraeli ashtu edhe vendet arabe e hodhën poshtë planin.
Për shumë vite nuk pati tensione të mëdha dhe armëpushimi u shndërrua në çelës të paqes. Në vitin 1977, ish-Presidenti egjiptian dhe më vonë fituesi i Çmimit Nobel për paqe Anwar el Sadat, udhëhoqi drejtpërsëdrejti bisedimet me Izraelin. Këto bisedime çuan, nën ndërmjetësimin e Presidentit të SHBA-së Jimmy Carter në vitin 1979, në Marrëveshjen për Paqe të Camp David-it.
Pjesa më e madhe e vendeve arabe dhe Organizata për çlirimin e Palestinës (PLO) e kritikuan Marrëveshjen e Paqes izraelito-egjiptiane dhe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Egjiptin. Në fillim të tetorit në vitin 1981, Sadat u vra nga islamistët gjatë një parade ushtarake në Kairo. Procesi i paqes ngeci.
Në nëntor të vitit 1988, në kohën e intifadës së parë, një lëvizje kryengritësish të përbërë nga palestinezë të rinj të territoreve të pushtuara i bëjnë thirrje Jassir Arafatit, udhëheqësit të PLO-së për ngritjen e shtetit të pavarur palestinez. Por kufijtë e tij nuk u përcaktuan. Për zhvillimin e një konference ndërkombëtare për paqen mungoi gatishmëria e nevojshme politike e fuqive të mëdha dhe tre vjet më vonë, në tetor të vitit 1991, kjo u arrit në Madrid.
Pak kohë më vonë bisedimet izraelito - palestineze vazhduan në Oslo të Norvegjisë. Në vitin 1993 aty u miratua një deklaratë themelore e përbashkët mbi bazën e “Principit për paqe“. Ajo hodhi bazat për marrëveshjen GAZA-Jerichos dhe të marrëveshjes së Oslos, e cila u nëshkrua në Kajro në fillim të majit të vitit 1994. Kjo marrëveshjet parashikonte një vetadministrim palestinez në Rripin e Gazës.
Një vit më vonë kjo marrëveshje u plotësua përmes Marrëveshjes II të Oslos. Ushtria izraelite u largua plotësisht nga Gaza, Jericho dhe disa territore të Jordanit Perëndimor. Procesi izraelito-perëndimor u ndërpre nga vrasja e kryeministrit izraelit Jizchak Rabin, në vitin 1995.
Aktualisht, përmes inisiativës së ashtuquajtur Kuarteti i Lindjes së Afërt, ku bëjnë pjesë Bashkimi Evropian, SHBA-të, Rusia dhe OKB-ja, është pranuar një plan për zgjidhjen e paqes së diskutueshme, e cila quhet ”Roadmap”. Ky plan parashikon themelimin e një shtetit të pavarur palestinez. Por, si shpërblim palestinezët duhet të njohin të drejtën e ekzistencës së Izraelit, si dhe të heqin dorë nga terrorizmi. Ky plan është edhe baza e përpjekjeve të tanishme për arritjen e paqes në Lindjen e Afërt.
Autor: Zoran Arbutina / Mimoza Kelmendi
Redaktoi: Aida Cama