1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një firmë gjermane që prodhon tekstile në Shqipëri

Eberhard Nembach27 Maj 2005

Për shkak se në Rumani, Bullgari apo Poloni rrogat po rriten, një firmë gjermane prodhimesh tekstili i qep prodhimet e saj në Shqipëri. Rrogat në Shqipëri duket se janë konkurruese me ato në Azinë Lindore. Për rreth 120 euro në muaj rreth 600 gra qepin në Shqipëri bluza për rrjete dhe magazina të mëdha tregëtare si Quelle apo Otto-Versand.

https://p.dw.com/p/As9Q
Fotografi: AP

23-vjeçarja Fioralba tregon se është duke punuar jashtë orarit dhe përkulet sërish mbi makinën qepëse, sepse duhet mbaruar një seri bluzash të bardha për femra. Me kujdes ajo bën tegelat për vrimat e kopsave.

Bernd Naber, ka bashkë me familjen një firmë të mesme rrobaqepsie. Firma e tij bën një xhiro prej 10 milionë eurosh në vit dhe 50 punonjës në afërsi të Nyrenbergut bëjnë skicat dhe sheshin ato që prodhohen prej 600 punëtoreve në Shqipëri. "Në radhë të parë ne prodhojmë këtu bluza për rr jetet tregtare. Klientët tanë janë Klingel- dhe Otto-Versand." - thotë ai.

Punonjëset në Shqipëri punojnë gjashtë ditë në javë dhe marrin rreth 120 euro në muaj. Pagat në vendet e tjera të Evropës janë tepër të larta dhe vetëm Shqipëria mund të konkurrojë me pagat e Lindjes së Largme. Naber sqaron: "Përvoja në sektorin ku ne punojmë tregon, se sapo një vend hyn në BE, rriten çmimet dhe pagat. Këtë e kemi vënë re tani në Poloni, ku nuk mund të prodhojmë më, apo më parë në Greqi. Dhe kam frikë se edhe në Bullgari dhe në Rumani do të ketë rritje të çmimeve pasi të anëtarësohen në BE dhe ne do të na duhet të shkojmë më tej."

Për shkak të ndërprerjeve të rrymës elektrike Bernd Naber ka shtruar një kabëll të vetin. Për gjendjen e rrugëve nuk shqetësohet, sepse firma e tij është vetëm disa kilometra larg portit të Durrësit, ku ai mbush kamionët që i nis për Itali. Me burokratët shqiptarë merret partneri i tij shqiptar. Naber vetë shkon gjithsesi një herë në muaj vetë në Shqipëri për të parë se si shkojnë punët. Pranë ndërtesës ku prodhohet ai ka ngritur një shtëpi tipike gjermane të pajisur edhe me pishinë për të gjithë familjen.

Në Shqipëri s'është keq, thotë ai: "Ne ndjehemi mjaft mirë në Shqipëri. Vendi është i bukur, malet të mrekullueshme, deti është afër. Po kërkove pak atëhere në Shqipëri gjen gjëra të bukura."

Bernd Naber është një ndër pionerët e investitorëve të huaj në Shqipëri. Në krahasim me firmat e tjera, firmat e prodhimeve të tekstilit e kanë më të lehtë, sepse nuk kanë nevojë për investime të mëdha. Mjaftojnë disa makina qepse dhe fuqia punëtore. Asnjë makinë qepse e drejtuar prej kompjuterit nuk mund të punojë me aq cilësi dhe t'u përshtatet modeleve të reja sa njeriu, thotë ai, por pagat duhet të mos jenë shumë të larta.

Industria e tekstilit mund të jetë një prej mundësive për të investuar në Shqipëri. Por për investitorët e huaj janë interesante edhe fusha të tilla si ndërtimi i rrugëve, hidrocentraleve, përpunimit të mbeturinave dhe të plehrave, apo shfrytëzimit të mineraleve. Gjermania merr pjesë edhe në zgjerimin e aeroportit të Rinasit. Viteve të fundit Shqipëria është bërë dukshëm e sigurt. Zgjedhjet e 3 korrikut do të tregojnë, nëse vendi do të vazhdojë të mbetet i qëndrueshëm edhe në fushën politike.