1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një drekë në "Tavolinën e dashurisë" - mesazh solidariteti në Greqi në kohën e krizës

3 Prill 2010

Në Greqi kisha në bashkëpunim me bashkitë u vijnë në ndihmë të pastrehëve, të papunëve, vendasve dhe të huajve. Në “Tavolinat e dashurisë” shpërndahen në të gjithë Greqinë çdo ditë 50.000 racione ushqimi.

https://p.dw.com/p/MmaP
Fondacioni i të pastrehëve në AthinëFotografi: DW

Tasos, një kapiten grek pasi lë motoskafin privat që prej 8 muajsh çdo ditë në orën 14.45 gjendet para Fondacionit të të Pastrehëve, në rrugën Sofokleus të Athinës si vullnetar në ndihmë të të pastrehëve, të vobektëve, imigrantëve dhe vendasve që vijnë për të ngrenë drekën. Ai thotë se vjen edhe për të ndjerë pak ngrohtësi dhe dashuri në “odën e solidaritetit” siç e quan kryetari i Bashkisë së Athinës, Niqitas Kakllamanis.

Fytyra humane e shoqërisë greke

Tasos tërheq derën e hekurt të fondacionit. “Fytyra të reja përditë, më të shumtët gra, në një radhë që arrin deri në rrugën më lart, Menandru, do ta shikoni pas pak” thotë ai. Pas asaj dere, për të shfaqet ana e bukur dhe humane e shoqërisë, ajo e solidaritetit që këto ditë të shenjta të Vuajtjeve të Krishtit sikur e ndiçojnë më tepër.

Armut in Athen Griechenland
Prifti Ioannis Llambru, gjen kohë gjithmonë për nevojtarëtFotografi: DW

“Prehri i Kishës është i madh. Vetëm Kryepeshkopata e Athinës, jo pra mitropolitë e tjera të vendit, ofrojnë 1.600 racione nga ky program që quhet “kisha nëpër rrugë” dhe ndan përditë në gjithë Athinën dhe Pireun 6.000 racione” thotë at Ioanis Llambru, përgjegjës i ushqimit që gjen përditë kohë për tu shkëputur nga famullia e tij dhe për tu përkushtuar “njerëzve nevojtarë të panjohur” pasi, siç thotë, “që të adhurosh Zotin duhet të duash më parë njerëzit”. Është pikërisht kjo ndjenjë, po aq e nevojshme sa edhe ushqimi kur, siç thotë at Ioanis, “instikti i mbijetesës është shumë i fortë te njeriu”.

“Dashuri? Dashuri? Nga këta njerëz këtu, po” përgjigjet e befasuar nga pyetja jonë Maria Vasillaku, drogamane që fajëson shoqerinë dhe familjen e saj që “nuk e mbështeten sa duhet” pasi humbi punën e sanitares dhe përfundoi në botën e rreme të drogës. Ndërsa Vasilis, një burrë i gjatë dhe thatim që nuk të jep përshtypjen e një njeriu të margjinalizuar edhe pse fle rrugëve që kur shtëpia iu sekuestrua për shkak të borxheve të babait të tij tregon. "Peripecia ime është se endem sa andej këndej me dy batanije në krahë”. Kjo qëkur humbi humbi punën e pasiguruar si transportues bagazhesh në stacionin e trenave të Selanikut. “Të dukem për dembel?” pyet i brengosur duke kërkuar me sytë e tij majtas-djathtas “ndihmën” e të tjerëve që sikur mbinë nga fundi i dheut dhe krijuan brenda pak minutash radhën e stërgjatur. Me 50 cents në xhepin e tij, të cilat i tregon në pëllembën e dorës, nuk mund të shkojë në Selanik te një teze e tij për Pashkët.

Armut in Athen Griechenland
Vasilis tregon 50 centët e mbeturFotografi: DW

Të paktë shqiptarët në “sheshin e racionit”

“Harta” e këtyre njerëzve i kalon kufijtë, bëhet ballkanike dhe përfton “aromë gruaje” sapo kalojmë në radhën përballë të grave, kryesisht bullgare por dhe rumune rom dhe polake. “Jo nuk dua të them emrin tim” thotë një bullgare rreth të pesëdhjetave, që ka 8 vjet në Greqi pa humbur besimin se do të gjejë “një punë tani që fillon sezoni turistik”. Dinjiteti është po aq i dukshëm sa peripecia në fytyrat e “bashkëvuajtesve të saj” në krah që aprovojnë me kokë dhe hezitojnë të flasin. Sa për shqiptarë, vështirë se do të “zbulonim” njeri pa ndihmën e shoferit të furgonit që sjell përditë ushqimin, Vasil Sulopullit, nga Grazhdani i Sarandës. “Janë njerëz hallexhinj, fukarenj. Shqiptarë janë rreth 10 veta” thotë Vasili dhe thërret Nekiun. “Kam ardhur herë pas here se nuk kam përkrahje tjetër dhe kam gjetur mbështetje shumë të madhe” thotë Nekiu, i kënaqur dhe nga menuja. “Herë makarona, herë pilaf, është një ndihmë për tu përshendetur”. “Janë të paktë shqiptarët. Nga sa shoh janë ose njerëz që kishin punë por e humbën ose punojnë me hope dhe tani me gjithë këtë krizë që po kalon vendi dhe shoqëria po preken edhe ata” thotë Meri Pini, gazetare që shqitarëve u flet siç thotë në “gjuhën e tyre” si arvanitase që është. “Ka një karakteristikë kjo përpjekje. Nuk shikon ngjyrën, shikon njeriun, nevojtarin” thotë gazetarja vullnetare e dashurisë kristiane dhe na tregon dhe “vullnetarët me ngjyrë”, protestantë apo katolikë, të komuniteteve të krishtera që vijnë për ndihmë dhe lehtësojnë komunikimin si njohës të gjuhës së afro-aziatikëve.

Armut in Athen Griechenland
Duke pritur për racionin e ditësFotografi: DW

Festë me 5.000 të vobektë të Dielën e Pashkëve

“Athina tashmë është një qytet multikulturor që duhet të presë si të huajt po kështu edhe vendasit siç i shkon për shtat kulturës sonë” thotë nënkryetari i Bashkisë së Athinës dhe presidenti i Fondacionit të të Pastrehëve Eleftherios Sqadhas. Në të njejtin shesh ku ndahet për ditë ushqimi të dielën e Pashkëve Fondacioni do të presë rreth 5.000 vetë në një panair me gjithçka të nevojshme: “Qëngja, muzikë, valle, ku do të ndjehemi të gjithë njësoj”. Në mesin e tyre edhe donatori i parë dhe zemërgjerë i Fondacionit, një rast i dhimbshëm dhe didaktik për të gjithë. “Ky njeri pasi falimentoi u detyrua të vijë pranë nesh dhe të ushqehet tani nga Fondacioni” thotë Skiadhas. Është ndoshta ky instikt i fatit të përbashkët njerëzor që i bën kalimtarët e rrugës së zhurmshme Sofokleus të kthejnë sytë me përdëllesë nga bashkëqytetarët e tyre të sheshit të “nevojës njerëzore” që sikur ka marrë trajtën e një zemre të madhe natyrore.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi