1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një dashuri me urrejtje

Ivan Kulekov / Elert Ajazaj27 Mars 2012

Libri "Mbi fatkeqësinë e të qenit grek" është një lloj tërheqje vërejtjeje e rëndë e shkrimtarit dhe filozofit grek Nikos Dimou për bashkatdhetarët e tij. I shkruar 37 vjet më parë , libri duket i bërë enkas për krizën.

https://p.dw.com/p/14SnY
Nikos Dimou Der Philosoph Nikos Dimou, geb. 1935 in Athen, studierte in Athen und München und ist Autor von über 60 Büchern. Bekannt wurde der streitbare Intellektuelle durch seine Fernsehtalkshows, Radiosendungen und vielbesuchten Blogs. Sein berühmter Aphorismenband “Über das Unglück, ein Grieche zu sein” erschien zuerst 1975. Bild: Pressedownload vom Verlag Kunstmann Nutzung nur zur Berichterstattung über das Buch Über das Unglück, ein Grieche zu sein
Autor Schriftsteller Nikos DimouFotografi: Penelope Massouri

Deutsche Welle: Përse është sipas jush fatkeqësi të jesh grek?

Nikos Dimou: Ne grekët kemi një problem të madh identiteti. Kur Greqia u çlirua nga sundimi osman në 1830-n, 90 për qind e grekëve ishin fshatarë. Një "borgjezi" si në Evropën Perëndimore nuk qe zhvilluar te ne. Ne nuk kemi përjetuar rilindje, iluminizëm, reformim kishtar. Të gjitha këto zhvillime, të cilat kanë themeluar Evropën moderne, mungojnë te ne. Në të njëjtën kohë atyre u është përcjellë ndjenja se sidoqoftë janë më të mirë se evropianët e tjerë (bijtë dhe bijat fisnike të civilizimit më të madh, që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë botë). Ne jemi edhe sot shumë krenarë, që jemi pasardhësit e Aristotelit dhe të Platonit (por në të njëjtën kohë kjo është edhe paksa deprimuese). Ndihesh si djali i një fituesi të çmimit Nobel, që për vete nuk ka arritur shumë dhe krahasohet vazhdimisht me të atin e njohur.

A ka lidhje midis këtyre problemeve të identitetit dhe krizës së sotme të Greqisë?

Po, natyrisht. Për mendimin tim ky problem identiteti është një pjesë përbërëse qendrore e shpirtit grek. Marrëdhënia jonë me Evropën është një lloj dashurie me urrejtje. Ne i kemi zili vende si Gjermania ose Franca dhe duam të jemi si ato. Mirëpo, nga ana tjetër grekët nuk i besojnë Perëndimit. Ne priremi t'i eksportojmë shkaqet për problemet tona dhe t'i mbushim mendjen vetes se fajin për gjithçka e kanë fuqi të këqija nga bota e jashtme. Këtu bën pjesë edhe tendenca aktuale për ta parë kancelaren gjermane Angela Merkel si dash kurbani për krizën greke. Në këtë mosbesim kundër Perëndimit ka kontribuar edhe Kisha Ortodokse Greke, e cila për shekuj me radhë ka sulmuar me polemikë Perëndimin "heretik".

Sa i madh është ndikimi i Kishës Ortodokse Greke në kohën e sotme?

Kisha ka ende një ndikim tepër të madh mbi Greqinë. Sa herë që shteti ka dashur të ndryshojë diçka, që nuk i përshtatej kishës, kisha ka dalë e fituar nga grindja. Mendoj se Kisha Ortodokse Greke është aq e pasur saqë mund ta shlyente malin e huave greke për dy ditë. Më duket krejt e gabuar që në Greqi kisha përfiton nga paratë e të gjithë taksapaguesve, pa dallim qofshi ata shtetas besimtarë ose jo. Kjo në një kohë që shumica e bashkatdhetarëve të mi shkojnë në kishë vetëm për Krishtlindje (besimi ortodoks është për ta më tepër traditë, një pjesë e identitetit kombëtar).

A e keni pritur ju krizën në Greqi?

Po, këtë e kam parashikuar para shumë kohësh. Ne grekët kemi shpenzuar gjithnjë më shumë para, kemi punësuar gjithnjë më shumë nëpunës dhe i kemi lejuar vetes madje Lojërat Olimpike. Kjo sjellje më kujton familjet e varfra, që futen në borxhe deri në fund të jetës për të organizuar një dasëm spektakolare për vajzën. Ne thjesht nuk mund t'ia lejonim vetes Lojërat Olimpike. Dhe më e keqja ishte: Ato u organizuan në stilin grek. Fillimisht do të kushtonin dy milionë dhrahmi, mirëpo shuma përfundimtare ishte dhjetë herë më e lartë. Njëherë mezi bënin përpara përgatitjet, dhe papritur u tha: Mbeten vetëm gjashtë muaj, por koha është tepër e shkurtër. Atëherë duhen dhjetë herë më shumë para, në mënyrë që gjërat të bëhen megjithatë gati.

Si e shihni të ardhmen e Greqisë në dhjetë vjet?

Njerëzimi do të zhvillohet, Evropa ka për ta kapërcyer krizën financiare. Mirëpo, nuk besoj se do të jem në këtë botë kur të ndodhin këto gjëra. Tani jam 77 vjeç, dhe edhe sikur të kem dhjetë vjet a më shumë për të jetuar, nuk mendoj se do ta përjetoj fundin e krizës. Kriza nuk ka për ta lënë të qetë Evropën edhe për shumë kohë.