1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Niveli i korrupsionit në Shqipëri ka ndryshuar shumë pak

17 Nëntor 2009

Transparency International, publikoi sot indekset e korrupsionit për 180 vende, mes tyre edhe vendet e Ballkanit. Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë e madhe për të gjithë rajonin e Ballkanit.

https://p.dw.com/p/KZIB
Fotografi: BilderBox.com

"Ne jemi të shqetësuar, sepse të gjitha vendet e Evropës Juglindore vazhdojnë të ndodhen nën kuotën e 5 pikëve, që tregon se kemi të bëjmë me një problem serioz. Po të kemi parasysh edhe vendet që pritet të futen në BE," thotë Jana Mittermaier, shefja e zyrë së TI në Bruksel.

Në renditjen e vendeve Shqipëria ndodhet sivjet në vendin e 95-të, në listën e 180 vendeve, ndërkohë që një vit më parë ndodhej në vendin e 85-të. Kjo nuk do të thotë shumë, sqaron Mittermaier. Sepse një nga treguesit më të rëndësishëm është indeksi, dhe jo vendi që zë një vend në renditjen e 180 shteteve. Sa i përket indeksit, Shqipëria ka vlerën e 3, 2 në një indeks dhjetësh, pra Shqipëria po ashtu si të gjitha vendet e rajonit ndodhet më poshtë se 5. Niveli i korrupsionit në Shqipëri ka mbetur njëjtë keq, me një ndryshim fare të vogël nga 3,2 në 3,3. Më keq se Shqipëria është Mali i Zi, me indeks 3,9

Jo vetëm vendet që pritet të futen në BE, por edhe ato që janë tashmë anëtare si Bullgaria, Greqia dhe Rumania janë vlerësuar si më të fundit në renditjen e indekseve. Të tria vendet janë vlerësuar me notën 3,8. Edhe Italia ka vlerësime të ulëta, me indeksin 4,3 dhe renditet pas Turqisë me 4,4 pikë.

Indeksi i korrupsionit është një vlerë që tregon se si perceptohet korrupsioni i shërbimeve publike nga popullsia. Në të nuk bëhen ndarjet midis korrupsionit të brendshëm, apo atij të importuar. Në TI nuk bëhen vlerësime për organizatat ndërkombëtare, aktive në vende të caktuara.

Sa i përket Kosovës, nuk ka ende publikime të dhënash të kësaj natyre, sepse sipas Mittermaierit, të dhënat mblidhen për tre vjet kurse Kosova sapo është bërë shtet.

Autor : Aida Cama

Redaktoi : Vilma Filaj - Ballvora