1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nis mësimi i fesë islame në Renani Veriore-Vestfali

Ulrike Hummel / Auron Dodi20 Gusht 2012

Fare i ri. Dhe me shumë ngjyra: një libër mësimi për fenë islame. Ai do të futet në shkollat fillore të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Libri synon të pëcjellë si fakte, ashtu edhe vlera islame. Po cilat vlera?

https://p.dw.com/p/15sdi
Realiteti ndërfetar në Gjermani
Realiteti ndërfetar në GjermaniFotografi: Ernst Klett Verlag GmbH, Stuttgart/Liliane Oser

Mësim i fesë islame në një shkollë fillore në Bonn. Ajo që deri tani quhej "njohuri për fenë islame" dhe që praktikohej si model në shkolla të caktuara, do të quhet në të ardhmen "mësimi i fesë islame" dhe do të futet si lëndë e rregullt në shkollat e Landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Në kohën e duhur, para fillimit të shkollës më 22 gusht, një shtëpi botuese sipas saj botoi "librin e parë të orientuar në besim për fenë islame në shkolla".

"Këtë deklaratë, për ta thënë hapur, unë do ta kundërshtoja. Ne kemi ndërkohë një sërë veprash, të cilat informojnë nga perspektiva e brendshme e fesë, pra e fesë islame- kështu që shtëpia botuese bën këtu ca reklamë për punën e saj." Kështu shprehet Michael Kiefer, ekspert për fenë islame.

Shumë vizatime për klasat e para

Libri i ri i mësimit "Së bashku në rrugëtim" dallohet nga librat e tjerë të fesë islame jo sepse në të janë vënë në qendër normat dhe vlerat. Ai dallohet prej veprave të tjera, si prej "Libri im i fesë islame" dhe "Burimi i bukur" në radhë të parë për shkak të ilustrimeve të shumta.

Miteinander auf dem Weg (Buchcover); Illustratorin: Liliane Oser, Hamburg; Ernst Klett Verlag GmbH, Stuttgart***Das Bild darf nur im Rahmen einer Buchbesprechung benutzt werden
Miteinander auf dem Weg (Buchcover)

"Në një vepër mësimore për klasën e parë dhe të dytë kjo tani është veçanërisht e rëndësishme, sepse nuk duhet harruar se veçanërisht nxënës të klasës së parë ende nuk dijnë të lexojnë- prandaj vizatimet këtu marrin një rëndësi të veçantë."

Miqësisht, me ngjyra dhe të vizatuar me shumë ngrohtësi, protagonistët Sarah dhe Bilali i shoqërojnë nxënësit e klasës së parë dhe të dytë në jetën e përditshme, me synimin për ta pasqyruar përditshmërinë e nxënësve myslimanë sa më saktë.

"Më pëlqeu veçanërisht pjesa ndërfetare. Ajo është shkruar në mënyrë të mrekullueshme, sepse u mundëson nxënësve informacionte të argumentuara edhe për hebraizmin dhe krishtërimin. Ajo që nuk më pëlqeu kaq shumë është që aktorët Sarah dhe Bilal paraqiten si fëmijë migrantësh, prindërit e të cilëve kanë ardhur në Gjermani. Do të kisha dashur që feja islame të mos paraqitet kaq shumë në perspektivën e fesë së të huajve. Sepse turqit që jetojnë këtu janë tashmë në brezin e katërt."

Interpretim tradicional apo modern i fesë islame?

Prindërit e Sarahs janë nga Arabia Saudite, prindërit e Bilalit kanë ardhur nga Turqia, mësojnë nxënësit në fillim të librit. Por cilat vlera fetare dhe norma jetojnë këta dy aktorë? A kemi të bëjmë me mënyrat më tradicionale të interpretimit të Kuranit apo gjejmë edhe elementë modernë të një teologjie islame të iluminuar? Për këtë flet Mouhanad Khorchide, botues dhe autor i librit:

"Objektivi ynë ishte që të hartonim një libër të fesë islame, i cili të jetë i përshtatshëm për të gjithë. Komuniteti mysliman dëshiron të ruajë edhe njëfarë feje islame tradicionale në Gjermani, të ruajë identitetin islam. Dhe kjo ishte njëra nga sfidat- ne jemi përpjekur të gjejmë të mesmen midis modernes dhe traditës."

Prof. Mouhanad Khorchide flet për kompromiset
Prof. Mouhanad Khorchide flet për kompromisetFotografi: WWU-Peter Grewer

Së bashku me gjashtë autorë të tjerë, Mouhanad Khorchide u përpoq të mbajë parasysh ato që prej shkenca, shoqatat islamike si dhe prindërit dhe nxënësit. Në këtë raport të tendosur midis traditës dhe modernes me sa duket qenë të nevojshme edhe kompromise.

"Për shembull në temën e shamisë së kokës. Kur në libër paraqitet një mësuese, atëherë komuniteti mysliman pret që ajo të mbajë edhe shami koke. Por këtë nuk e lejon politika gjermane. Ndaj ne e zgjidhëm në mënyrë pragmatike, duke vizatuar një burrë si mësues."

Në vizatimet në jetën publike paraqiten vajza me dhe pa shami koke. Kjo nga njëra anë i përgjigjet jetës së përditshme të nxënësve, por nga ana tjetër lë hapur edhe opsione për nxënëset. "Së bashku në rrugëtim" për klasën e parë dhe të dytë është libri i parë i një serie, që do t'i shoqërojë në të ardhmen nxënësit myslimanë deri në klasën e fundit të gjimnazit. Janë planifikuar edhe vëllime përkatëse për mësimdhënësit.