1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ngrohja me energji diellore në Shqipëri

7 Dhjetor 2009

Shqipëria merr pjesë në një projekt të OKB për promovimin e energjisë diellore në ngrohjen e ujit. Në përfundim të tij në Shqipëri do të jetë instaluar një kolektor energjisë diellore prej 75 mijë metrash katrorë.

https://p.dw.com/p/Ks1v
Në kodrat pranë qytetit "Studenti" ka vila dy -trekatëshe që nuk kanë çati por tarraca ku janë vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit.
Në kodrat pranë qytetit "Studenti" ka vila dy -trekatëshe që nuk kanë çati por tarraca ku janë vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit.Fotografi: DW

Në kodrat pranë qytetit "Studenti", mes ndërtesave të reja shumëngjyrëshe, syri të kap edhe vila dy -trekatëshe, të ngritura pas vitit 2000. Shumica e tyre nuk kanë çati por tarraca, ku janë vendosur panele diellore për ngrohjen e ujit.

Andon Petro, banon me familjen e tij në njërën prej këtyre vilave. "Kam dy djem emigrantë në Greqi dhe ata ngulën këmbë që të përdorim panele diellore për të ngrohur ujin. Kemi shpëtuar nga faturat e KESH-it, nuk varemi më nga vjen drita- iku drita, ngrohjen e ujit e kemi gratis, nga dielli i bekuar. Po është pastër, as tymra as gaz karbonik," thotë ai për DW.

Mirela Kamberi, nga Programi në Shqipëri i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.
Mirela Kamberi, nga Programi në Shqipëri i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.Fotografi: DW

Andoni i ka shijuar tanimë të gjitha përfitimet nga shfrytëzimi i energjisë diellore. Por ato duket se do t`i gëzojnë edhe familje dhe subjekte të tjera në Shqipëri. Një projekt i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, (UNDP) dhe ai për Mbrojtjen e Mjedisit, (UNEP) ka përfshirë edhe Shqipërinë në nismën globale për transformimin e tregut të energjisë diellore për ngrohjen e ujit. Projekti synon promovimin e përdorimit të paneleve diellore, si një mënyrë që shmang ndotjen e atmosferës me gazra me efekt serrë. Në të marrin pjesë 6 vende: Shqipëria, Algjeria, Libani, India, Meksika dhe Kili.

Izabel Floer, koordinatorja e projektit në nivel global, punonjëse në ekipin e energjisë dhe mjedisit në New York, tregon për DW pse janë përzgjedhur pikërisht këto vende. "Kemi zgjedhur nga gjithë bota, për të patur perspektiva nga rajone dhe nivele të ndryshme zhvillimi në tregun e ngrohjes së ujit përmes energjisë diellore." Projekti sjell së bashku vende të ndryshme për të lehtësuar shkëmbimin e përvojave. Qëllimi i tij është global dhe do të realizohet në kontekstin e zhvillimit të pastër, të qëndrueshëm, duke synuar zbutjen e ndryshimeve klimatike në përgjithësi. Për realizimin e këtij projekti Shqipëria ka në dispozicion rreth 2 milion e 750 mijë dollarë, ndërsa vende më të mëdha si India apo Meksika rreth trefishin.

Vesa Rutanen, nga Finlanda, konsulent ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara.
Vesa Rutanen, nga Finlanda, konsulent ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara.Fotografi: DW

Vesa Rutanen, nga Finlanda, konsulent ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara dhe disenjatori i këtij projekti global, tregon për DW përfitimet nga pjesëmarrja në një projekt global : "Vendet mund të mësojnë shumë nga njëri tjetri. Në vend që secili të operojë i veçuar dhe të bëjë të njëjtat gabime që ka bërë para tij një vend tjetër, u përpoqëm për një projekt global, ku secili vend të ketë lirinë të zbatojë projektin e vet, i mbështetur në karakteritistikat, kushtet dhe tiparet e tregut lokal ndërkohë që menaxhimi global i ofron drejtimin dhe këshillimin secilit vend. Bashkëpunimi është filozofia në bazën e këtij projekti."

Projekti do të zgjasë 4 vjet. Në përfundim të tij do të jetë bërë instalimi i një kolektori me sipërfaqje 75 mijë metra katrorë. Në vitin 2014 nga përdorimi i paneleve diellore pritet të reduktohet emëtimi i 800 mijë ton gazi karbonik në atmosferë.

Izabel Floer, koordinatorja e projektit në nivel global.
Izabel Floer, koordinatorja e projektit në nivel global.Fotografi: DW

Mirela Kamberi, nga Programi në Shqipëri i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, thotë se kjo kërkon veç hartimit të legjislacionit përkatës edhe gjetjen e mekanizmave financiarë. "Përmes eksperiencës ndërkombëtare edhe përmes institucioneve bankare për të gjetur mekanizmat financiarë që do t`u lehtësojnë konsumatorëve blerjen dhe vendosjen e paneleve diellore në banesat e tyre, në institucionet publike apo edhe në sektorin e tregtisë dhe të hotelerisë."

Shqipëria është palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet Klimatike dhe ka ratifikuar Protokollon e Kyotos për të reduktuar emëtimin në atmosferë të gazrave me efekt serrë. Përfshirja e saj në këtë projekt konsiderohet si hapi i parë drejt ngritjes së një tregu nacional afatgjatë dhe të konsoliduar në këtë fushë.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama