1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga qendra për rintegrimin e të miturve në Shqipëri

8 Korrik 2010

Me një fond prej 2.75 milion eurosh të akorduara nga Bashkimi Europian, në Shqipëri është mundësuar për herë të parë hapja e një qëndre për rintegrimin e të miturve.

https://p.dw.com/p/OE0a
Qendra për rintegrimin e të miturve në ShqipëriFotografi: DW

Qëndra e riintegrimit të të miturve, ose siç thirret burgu i të miturve, zë një sipërfaqe prej rreth 14 mijë metrash katrore në periferi të qytetit të Kavajës. Ky është institucioni i parë i këtij lloji në Shqipëri që trajton të dënuarit me vendim gjykate, ose ata që janë ende në hetim gjyqësor nga mosha 14 deri 18 vjeç. Të sistemuarit në qëndër janë rreth 40 të mitur, nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët kanë mbi vete akuza gjithëfarë: vrasje, vjedhje me dhunë, shpërndarje të lëndëve narkotike, aksident automobilistik etj.

Rreth 2.75 milion euro që ka shpenzuar BE për ta ndërtuar e vënë në funksionim qëndrën e riintegrimit të të miturve janë një mbështjetje konkrete për plotësimin e standarteve europiane nga Shqipëria: T'i krijojë kushtet e jetesës dhe të punës në përshtatje me moshën të miturve në konflikt me ligjin. Të mos i trajtojë ata në të njëjtin ambjent të mbipopulluar me të rriturit. Në shërbim të të burgosurve dhe të paraburgosurve të jetë një personel i kualifikuar profesionalisht.

Jugend Reintegrationszentrum in Kavaja Albanien
Qendra për rintegrimin e të miturveFotografi: DW

Qëndra përveç elementëve të natyrshëm të sigurisë ka një ofertë të pasur ambjetesh ku të miturit kalojnë kohën në çdo segment të ditës. Është palestra, salla e kompjuterave, ambjentet ku realizohen ëorkshop-et e punës me dru ose me metal, përfshihet fusha e futbollit, e basketbollit, salla e ping pong-ut etj. Drejtori, Emin Cani, tregon për DW se këto ambjente shfrytëzohen maksimalisht nga të rinjtë. Ai i referohet një kalendari të ngjeshur veprimtarish argëtuese e edukuese ku protagonistë nuk kanë qënë vetëm banorët e qëndrës, por dhe bashkëmoshatarët e tyre ose të ftuar specialë nga të gjitha fushat. “Psh aktivitete në fushën e futbollit me minorenët e Besës së Kavajës, me ata të sportklubit të Shkumbinit në Peqin. Kemi bërë aktivitete me gjimnazin e Kavajës, duke shfaqur dhe pjesë teatrale. Në bashkëpunim me UNICEF këtu ka qënë i ftuar futbollisti i njohur Lorik Cana, kemi bërë të mundur sjelljen në qëndër të estradës së qytetit të Shkodrës me mjeshtrin e madh të humorit Zef Deda, duke grumbulluar këtu të gjithë minorenët nga sistemi i burgjeve të vendit, si ai i Lezhës, 313-s në Tiranë etj., në një shfaqje jashtëzakonisht të bukur”.

Jugend Reintegrationszentrum in Kavaja Albanien
Erida HysesaniFotografi: DW

Në të tilla programe ata qëndrojnë së bashku, por ne i trajtojmë dhe në mënyrë individuale, duke ndarë me ta probleme të tjera që kanë në marrëdhënie me familjen apo shoqërinë jashtë qëndrës- thotë për DW psikologia Erida Hysesani. Për vetë natyrën e punës së saj Erida është për të miturit personi më i afërt nga personeli në qëndër. “Unë flas dhe këshillohem për çfarëdo lloj problemi që i shqetëson ata. Çdo problem i tyre është pjesë e punës time. Vëmendje të madhe i kushtojmë të sapo mbërriturve në qëndër. Ambjentimi me kushtet e reja, me shokët e rinj është një periudhë delikate psikologjike që kërkon kontakte dhe bashkëbisedime që ata të mos ndjehen në vetmi dhe si të huaj”.

Granit, 17 vjeç është ende në hetim gjyqësor
Granit, 17 vjeç është ende në hetim gjyqësorFotografi: DW

Ledi është një 16 vjeçar që është në qëndër për shkak të kryerjes së një aksidenti automobilistik disa muaj më parë. Ndërpreja papritur e mësimeve nga viti i dytë në gjimanzin e qytetit të tij, ndarja nga prindërit, shokët e miqtë për të vuajtur dënimin në këtë ambjent i krijuan një gjëndje të vështirë. Por gradualisht ai thotë se iu bind fatit për ta kapërcyer mërzinë dhe stresin fillestar. Ai thotë për Dw se veç personelit në qëndër mjaft pranë i qëndrojnë prindërit, të afërmit, si dhe shokët e shoqet e gjimanzit. Jo vetëm kontakte të drejtëpërdrejta por dhe në distancë. “Nëpërmjet telefonit që na ofron institucioni. Është një telefon kabine që e kemi në holl dhe flasim aty”.

Drejtori, Emin Cani
Drejtori, Emin CaniFotografi: DW

Graniti, 17 vjeç është ende në hetim gjyqësor për një vepër të rëndë penale. Pa dashur ti kthehet asaj që ka ndodhur rreth 2 vjet më parë, ai thotë se përpiqet që ti shfrytëzojë të gjitha ambjentet e qëndrës. “Me aktivitetet që ka këtu, palestër, futboll, ping –pong, por në fakt futbollin e kemi më qejf”. Në vjeshtë Graniti dhe shokët e tij pritet të nisin vitin shkollor brenda ambjenteve të qëndrës. Ata do ti marrin mësimet sipas nivelit që ju është ndërprerë dhe provimet do ti japin sipas programit të Ministrisë së Arësimit në një nga shkollat më të afërta të qytetit të Kavajës.

Kjo plotëson trajtimin e tyre sipas standarteve europiane, në mënyrë që ata të mos ndjejnë shkëputjen nga njëra prej të drejtave bazë siç është ajo e arsimimit. Për ti dhënë çdo të mituri shansin e rikthimit në jetën normale pas qëndrimit në qëndër, të jenë në të njëjtin temp me vërsnikët e tyre në shkollat dhe qëndrat e banimit nga vijnë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama