1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110709 Nabucco Pipeline

13 Korrik 2009

"Nabucco" synon të rrisë pavarësinë e Evropës nga furnizimet me gaz prej Rusisë dhe Ukrainës. Të hënën (13.7.) vendet nëpër të cilat pritet të kalojë ky gazsjellës, nënshkruan një marrëveshje në parim për projektin.

https://p.dw.com/p/ImJL
Gazesjelles ne Ukraine
BE shpreson më shumë pavarësi strategjike dhe garanci furnizimi me gaz për gjithë EvropënFotografi: AP

Ideja për t'i dhënë emrin "Nabucco" projektit të gaszjellësit që kishin përpiluar gjatë ditës, u erdhi përfaqësuesve të pesë sipërmarrjeve energjetike një mbrëmje tetori të vitit 2002 kur po ndiqnin operan me të njëjtin emër të Xhuzepe Verdit në Operën Shtetërore të Vjenës. Megjithëse heroi i Xhuzepe Verdit "Nabucco", mbreti i Babilonisë, Nebukadnezar, nuk i njihte pasuritë që fshihte toka nën mbretërinë e tij, pasuri për të cilat është jashtë mase e interesuar brezi i sotëm.

Harta me vendet nga do te kaloje Nabucco


40 kilometra larg Vjenës ndodhet Baumgarten. Në stacionin gjigand të shpërndarjes së gazit, ku deri tani kanë përfundonin tubat nga Rusia, do të përfundojë gazsjellësi Nabucco. Fillimi i ndërtimit të gazsjellësit është parashikuar në vitin 2011. Rruga e parashikuar për të kalon nëpër Hungari, Rumani, Bullgari dhe nëpër Turqi, fillimisht deri në Ankara. Pas vitit 2014 mund të fillojë rrjedhja e gazit. Faza e dytë nga 2014 deri 2015 do të bëjë zgjerimin e "Nabuccos" në drejtim të lindjes. Me një degëzim në Gjeorgji dhe një në Iran. Gjatësia përfundimtare e gasjellësit do të jetë 3.300 kilometra. Numri i tubave të nevojshëm 20.000, kostoja 7,9 miliardë euro.

Nga do të merret gazi dhe ç'ofron Nabucco për gjithë këto para?

Më shumë pavarësi strategjike dhe rritje të sigurisë së furnizimit për vendet pjesëmarrëse si dhe për gjithë Evropën, thonë përkrahësit e projektit. E thënë më troç, ndryshe nga gasjellësit e tjerë, gasjellësi i ri nuk do të kalojë nëpër Rusi dhe as nëpër ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, Bjellorusi dhe Ukrainë. Po atëherë nga do të merret gazi, pyesin ata që e kritikojnë projektin. Deri tani nuk është bërë asnjë kontratë e qëndrueshme furnizimi me gaz. Mbase nga Iraku, por atje qeveria autonome kurde është duke u grindur me qeverinë qëndrore në Bagdad, se kush duhet të jetë partner në projekt dhe furnizues i "Nabuccos". Përveç kësaj gjendja e sigurisë në Irak vazhdon të jetë pak e qëndrueshme, që do të thotë se infrastruktura do të ketë edhe koeficient të lartë rreziku, rrezik do të ketë po ashtu edhe për personelin.

Irani ka reverva të mëdha, megjithatë aktualisht është më shumë duke importuar sesa duke eksportuar gaz. Në Iran mungojnë investimet për hapjen e burimeve të reja të gazit. Në situatën politike aktuale mbetet utopi angazhimi afatgjatë i firmave perëndimore, po ashtu siç mbetet utopi roli i Iranit si furnizues i besueshëm gazi.

Rajoni i Detit Kaspik interesant jo vetëm për Evropën

Lidhjet veriore të gasjellësit "Nabucco" synojnë rajonin Kaspik. Segmenti do të duhet të kalonte nga Gjeorgjia. Në rast nevoje, Rusia është në gjendje të ruajë me shumë efektivitet interesat e saj politike në Gjerogji, siç u tregua edhe në luftën e shkurtër vitin e kaluar. Por, pavarësisht opsioneve ushtarake në rast krize, Moska zhvillon bisedime intensive ekonomike me furnizuesit e mundshëm të gazit që ndodhen në Detin Kaspik, ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Me Azerbaxhianin sapo u nënshkrua një marrëveshje e re furnizimi, Kazakistani dhe Turkmenstani janë duke parë në qetësi ofertat, që vijnë për më tepër edhe nga Kina. Rusia ka bërë planet e veta për transportimin e gazit nga rajoni i Detit Kaspik për në Evropë, të ashtuquajturin gazsjellës „Southstream“, i cili kalon nga Deti i Zi nëpër Bullgari, me një degëzim për në Austri, dhe një për Greqi, e prej këndej në Itali. Ky projekt mund të përfundojë më shpejt se "Nabucco".

Autor: Michael Gessat/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani